Stadiumi i ri i Suharekës pajiset me leje ndërtimore, hapet rruga për nisjen e projektit madhor

Komuna e Suharekës ka dhënë lejen ndërtimore për stadiumin e ri sipas standardeve të UEFA-s, me kapacitet prej 6,500 ulësesh të mbuluara.
Një hap i rëndësishëm drejt realizimit të njërit prej projekteve më të mëdha sportive në Suharekë është bërë zyrtar. Stadiumi i ri i qytetit është pajisur me leje ndërtimore, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve për ndërtimin e impiantit modern futbollistik.
Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mjedis e Komunës së Suharekës, e cila ka miratuar kërkesën e Drejtorisë për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë për pajisjen me leje ndërtimore.
Sipas dokumentit zyrtar, stadiumi do të ndërtohet sipas standardeve të UEFA-s, me dimensione të rregullta të fushës së futbollit dhe me kapacitet prej 6,500 ulësesh tërësisht të mbuluara. Projekti bazohet në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Komunës së Suharekës.
Në aktvendimin e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mjedis thuhet se parcela e planifikuar për ndërtim ka destinim hapësirë dhe komplekse sportive, ndërsa pas shqyrtimit të dokumentacionit janë plotësuar kushtet për dhënien e lejes ndërtimore.
Ndërtimi i stadiumit të ri pritet të jetë një investim i rëndësishëm për sportin në Suharekë dhe më gjerë, duke krijuar kushte moderne për zhvillimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve sportive sipas standardeve evropiane. /Telegrafi/



































