Llamkos Kosova mposht Prishtinën, Vëllaznimi ia terron Besës

Një gol për tre pikë
Në kryendeshje, Llamkos Kosova në Vushtrri mposhti Prishtinën me rezultat 1:0. Rastin e parë dhe mjaft të mirë e pati Prishtina në minutën 11, kur pas veprimit të Begollit, D. Krasniqi nga pozita ideale gjuan, por nuk ishte i saktë.
Në minutën 27 vendasit kalojnë në epërsi nga një veprim që nuk premtoi shumë. ishte Bashkim Shala ai i cili depërtoi në mesin e mbrojtjes së Prishtinës dhe nga 20 metra gjuan në drejtim të portës, duke e befasuar Mushicën për epërsi 1:0.
Në vazhdim Prishtina ishte më e rrezikshme, pati edhe disa raste të mira përmes Latifit, Salihut e Zhdrellës, madje në minutën 55 shënoi edhe një gol, por që asistenti Kpuska nuk e pranoj, për shkak të pozitës jashtë loje.
Shkëlqen Vëllaznimi
Besa ka pësuar pesë gola dhe është dërmuar në Gjakovë nga skuadra e Vëllaznimit, e cila ka shkëlqyer në çdo aspekt. Pas dy rasteve të humbura, Vëllaznimi kaloi në epërsi në minutën 38, kur Ylber Myrtaj gjuan nga pozita e majtë, kurse topi qëllon një futbollist të Besës, mashtruar portierin Bytyqi dhe futet në rrjetë, 1:0.
Në minutën 49, Nikollë Dushi me gjuajtje nga 15 metra shënon golin e dytë të Vëllaznimit, kurse në minutën 62, Luigj Buqaj nga 35 metra nga gjuajtja e lirë befason Bytyqin për epërsinë e gjakovarëve 3:0. Një minutë më pas portieri i Vëllaznimit, Muhaxheri kuptoi gjuajtjen e Duraku nga penalltia.
Në minutën 70, Lekë Vula shënon golin e katërt, kurse në pjesën shtesë edhe golin e pestë për Vëllaznimin.
Befason Istogu
Istogu ka befasuar duke shënuar fitore 2:1 në Mitrovicë nga Trepça e favorizuar. Në minutën 22, Granit Bajra befason vendasit duke shënuar për epërsinë e Istogut, ndërkohë që në minutën 41, Trepça barazon përmes Fiton handarit i cili pas harkimit të osmanit u gjend më së miri pas portës mysafire dhe e rehatoi topin në rrjetë. Në çastet e fundit të pjesë së parë Milicaj kishte rast ideal për Istogun, por nga 7-8 metra gjuan jashtë. Kur pritej fundi, në lojë u fut Suad Saliagiq, i cili me gjuajtje të furishme nga 22 metra shënon golin e fitores për Istogun. Saliagiq në fund u ndëshkua me karton të kuq. /Zëri/Telegrafi/



















































