Lladrovci: Jemi familjarizuar në skuadër, ky është çelësi i suksesit

Lideri i Raifeisen Superligës së Kosovës, ka shënuar katër fitore në po aq ndeshje në pranverë dhe po vazhdon rrugën drejt titullit.
Kapiteni i ‘Niklit’, Lapidar Lladrovci ka thënë për Telegrafin, se çelësi i suksesit te skuadra e tij është se lojtarët njihen mirë mes vete dhe tanimë janë familjarizuar.
“Mendoj që çelësi i suksesit është harmonia e mirë në klub dhe familjarizimi në ekip. Mbi 70% e lojtarëve luajmë së bashku që dy vite apo më shumë dhe tani e njohim mirë njëri tjetrin. Komponimi i skuadrës e bënë të vetën”, tha Lladrovci i cili flet edhe për titullin e kampionit.
“Pozita e parë në tabelë na bënë ndër favoritët për titull dhe njëherit na detyron ta mbrojmë atë pozitë, por nuk do të jetë fundi i botës edhe nëse nuk shpallemi kampionë. Do të jetë një luftë e madhe për titull mes Ferronikelit, Prishtinës, Trepçës ’89, Besës dhe Hajvalisë. Edhe pse këto tri skuadrat e fundit kanë mbetur më mbrapa prapë se prapë lufta mbetet e hapur pasi ka shumë lojë deri në fund”, tha Lladrovci. /Telegrafi/



















































