Lizzo u shfaq me një stil të guximshëm në Javën e Modës në New York, ku mori pjesë në sfilatën e Christian Siriano.

Artistja 37-vjeçare veshi një kostum trupi transparent me korse ngjyrë kafe dhe një pareo të zezë shifoni, duke vënë në dukje humbjen e saj të madhe në peshë.


Pamjen e kompletoi me sandale me taka të larta dhe flokë të gjatë të kuq, ndërsa zgjodhi një grim natyral, shkruan DailyMail.


Krijuesja e hitit About Damn Time ka rrëfyer se rezultatet i ka arritur përmes disiplinës dhe një rutine të re ushqimore, por ka pranuar gjithashtu se ka provuar edhe Ozempic dhe barna të tjera GLP-1.

“Është shkencë, kalori të marra kundrejt kalorive të djegura. Ozempic funksionon sepse të bën të ndihesh i ngopur”, tha ajo.

Në event, Lizzo u pa në shoqërinë e ikonave Oprah Winfrey dhe Whoopi Goldberg, të dyja të njohura për suksesin e tyre në rënien nga pesha me ndihmën e barnave GLP-1.

Oprah u shfaq elegante me një kostum të zi të kombinuar me sateni jeshil, ndërsa Goldberg zgjodhi një stil klasik me një këmishë të bardhë dhe sandale të zeza.

Christian Siriano, stilisti që fitoi Project Runway në vitin 2007, vazhdon të spikasë për krijimet e tij për gra të çdo madhësie.

Me fustane që arrijnë deri në 12 mijë dollarë, ai është bërë një prej emrave më të kërkuar në botën e modës, duke theksuar se “një fustan i shkëlqyer është i tillë, pavarësisht numrit të madhësisë së trupit”. /Telegrafi/