LAJMI I FUNDIT:

Liverpooli vazhdon me fitore edhe në Ligën Premier, mposht lehtësisht Bournemouthin

Liverpooli vazhdon me fitore edhe në Ligën Premier, mposht lehtësisht Bournemouthin
Liverpool (Getty Images)

Liverpooli ka shënuar fitore në shtëpi ndaj Bournemouthit me rezultat 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 34-të të Ligës Premier.

Skuadra e Jurgen Klopp ka vazhduar me formë të mirë edhe në kampionatin anglez, teksa ka siguruar fitoren e radhës duke mposhtur kësaj radhe Bournemouthin.


Pjesa e parë e ndeshjes i takoi në përgjithësi Redsave, të cilët rrezikuan disa herë dhe patën shumë raste për gol, por vetëm një e konkretizuan.

Festa e Mane pas golit të shënuar (Getty Images)

Ishte ai i minutës së shtatë, ku Sadio Mane shënoi me kokë për 1-0 pas asistimit të mirë të Jordan Henderson.

Edhe pjesa e dytë foli e gjitha në të mirë të Liverpoolit, të cilët menaxhuan ndeshjen dhe krijuan shumë raste, teksa shënuan edhe dy gola tjerë.

Fillimisht ishte ylli kryesor i skuadrës, Mohamed Salah (69′), i cili shënoi për 2-0, ndërsa për 3-0 u përkujdes Roberto Firmino (90′), i cili vulosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes.

Momenti i golit nga Salah (Getty Images)

Pas kësaj fitore, Liverpooli renditet në pozitën e tretë me 70 pikë, ndërsa Bournemouth zë vendin e 11-të me 38 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Reds udhëton drejt West Bromwich Albionit, teksa Bournemouth e pret në shtëpi Manchester Unitedin. /Telegrafi/