Në një kohë kur shumica e fëmijëve të moshës së saj e kalojnë kohën me lojëra apo pajisje elektronike, 9-vjeçarja Lisa Llugaliu, nxënëse e Shkollës Fillore "Hasan Prishtina", ka zgjedhur një hobi krejtësisht ndryshe – peshkimin sportiv.

E regjistruar në Shoqatën e Peshkatarëve Sportivë-Rekreativë, Lisa tashmë merr pjesë edhe në gara zyrtare, ku ka arritur rezultate që do t'i kishte zili edhe ndonjë i rritur. Ajo ka fituar vendin e dytë në një garë lokale në Podujevë dhe vendin e tretë në Kampionatin e Kosovës, duke dëshmuar se pasioni dhe përkushtimi nuk njohin moshë.


Dashuria e saj për peshkimin nisi shumë herët, ku me familje shpesh kalon fundjavat pran Liqenit të Batllavës.

"Që nga mosha katërvjeçare kam shkuar rregullisht me babin në Liqenin e Batllavës për peshkim. Pikërisht aty më lindi dëshira për këtë sport dhe babi ishte ai që më mësoi gjithçka. Çdo fundjavë mezi pres të shkojmë përsëri", tregon Lisa për Telegrafin.

Për të, peshkimi është shumë më tepër sesa një hobi.

"Më pëlqen shumë sepse kënaqem sa herë jam pranë liqenit. Më pëlqen natyra, gjelbërimi dhe qetësia që gjej aty, por mbi të gjitha e dua vetë peshkimin. Ndihem shumë e lumtur sa herë kap një peshk dhe kaloj kohë në natyrë", thotë ajo.

Rezultatet e para në gara e kanë surprizuar edhe vetë Lisën.

"Jam ndjerë shumë mirë kur fitova vendin e dytë në Podujevë dhe vendin e tretë në Kampionatin e Kosovës. Sinqerisht nuk e prisja që do të arrija këto rezultate, prandaj më kanë bërë edhe më të lumtur dhe më kanë motivuar të vazhdoj të punoj", shprehet peshkatarja e re.

Në këtë rrugëtim, mbështetjen më të madhe e ka nga familja, ndërsa me vëllain e saj Enon, shpesh bën gara kush zë më shumë peshq.

"Prindërit më mbështesin shumë, sepse e dinë sa shumë e dua këtë sport. Ata e pëlqejnë hobin tim dhe pothuajse çdo fundjavë shkojmë së bashku në Liqenin e Batllavës. Aty kalojmë kohë si familje dhe unë kënaqem jashtëzakonisht shumë. Bëjë gara edhe me vëllaun tim Enon, pasi edhe ai e pëlqen shumë peshkimin, madje merr pjesë edhe ai në gara", tregon Lisa.

Edhe pse është vetëm nëntë vjeçe, Lisa tashmë ka ëndrra të mëdha.

"Ëndrra ime është të bëhem një peshkatare e njohur dhe një ditë ta përfaqësoj Kosovën në gara ndërkombëtare të peshkimit. Do të punoj shumë që ta arrij këtë."

Në fund, ajo ka edhe një mesazh për bashkëmoshataret e saj, duke iu bërë thirrje që të bashkohen në sportin e peshkimit.

"Dua t'u them të gjitha vajzave që peshkimi nuk është sport vetëm për djem. Edhe vajzat mund të jenë shumë të mira në këtë sport. Mos u dorëzoni kurrë dhe ndiqni ëndrrat tuaja, pavarësisht se çfarë thonë të tjerët", deklaroi për fund Lisa.

Me buzëqeshjen e saj, medaljet e para dhe dashurinë e madhe për natyrën, Lisa Llugaliu është dëshmi se pasioni nuk njeh moshë. Ajo po hedh hapat e parë në një sport jo shumë të zakonshëm për fëmijët, por që për të është kthyer në mënyrë jetese dhe në një ëndërr që shpreson ta çojë deri në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/

telegrafi sport app