LAJMI I FUNDIT:

Liria e robit

U bënë më se katër vite që mbi shqiptarët e Maqedonisë ka pllakosur e keqja që na u servua nga qeverisja e keqe VMRO-DPMNE dhe BDI. Më se katër vjet shqiptari përbuzet, rrihet, maltretohet, leckoset, varfërohet, kërkon azil nëpër vende të ndryshme të botës mu si nomad, burgoset pa pikë faji….

Se deri kur do të vazhdojë kjo e keqe, këtë nuk e di askush. Nuk e di askush se përderisa marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të tensionuara aq shumë, sa që janë në pikën kritike të vlimit dhe shpërthimit, marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit janë të shkëlqyera. Krejt kjo ngase disa kleptomanë të partisë shqiptare në pushtet, me bekimin edhe të liderit të tyre, u pasuruan dhe u zënë mat nga Gruevski, hynë në hipoteka të mëdha, sa që ec e dil nga Qeveria, kur dera e Gruevskit ua ka zënë bishtin e s`i lënë as të hynë e as të dalin nga ajo.


Sot qeveritari shqiptar ka më pak peshë se secila sekretareshë maqedonase me minifund dhe me syze. Sot qeveritari shqiptar me të drejtë, po mos tu shikoheshin fytyrat e zgjebosura, do të ngjasonte në anëtarin më të devotshëm të VMRO-DPMNE-së, ndërsa BDI në filiale të VMRO-DPMNE. Se deri kur kjo do të vazhdojë, nuk e di. Por, një gjë e di. Durimit është ka i vjen fundi. Ky durim i shqiptarëve, i cili mëton të shpërthejë orë e çast, ka një adresë: adresën e partisë shqiptare qeverisëse, e cila përmes deklaratave të përfaqësuesve të saj ngjason në një degë partiake të VMRO-DPMNE-së.

Sot edhe më tej qytetari shqiptar i pafajshëm, mu sikurse në rastin e Smilkovcit, maltretohet dhe rrahet pa kurrfarë preteksti. Ndërsa, përfaqësuesi shqiptar në qeveri kërkon argumente, e lideri i kësaj partie krekoset me Maqedoninë kur gjoja kjo e fundit do të hyjë në BE dhe në NATO.

Duke u marrë me rastet më të fundit, për të cilat nuk u la pa u thënë më asgjë, e shohim një gjë: e shohim se më në fund po fillon fillimi i fundit të kësaj qeverie të mbrapshtë. Por, përderisa shpresat e qytetarit shqiptar këtu, po edhe të tjerëve, janë leckosur dhe venitur, a thua e mendojmë ndonjëherë se si ndjehen dhe çfarë shpresash të pashpresa kanë të burgosurit shqiptar?

Nga biseda telefonike e përhershme me një të burgosur, Rexhail Qerimi (të cilin rastësisht e kam bashkëfshatar), për të cilin kam shkruar shumë herë – i dënuar nga gjykatat maqedonase me burgim të përjetshëm për një (pa)faj që s`arriti kurrë ta mësoj as ai, as familja e tij, as fshati i tij, as unë e as një shqiptar, mu ashtu sikurse nuk arritën të kuptojnë fajin e tyre as të 130 pjesëtarët e kryengritjes shqiptare që janë në burg, e as 13 shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm nga organet e këtij shteti, kur për këtë nuk çan kokën as zëvendësministri shqiptar i punëve të brendshme, e as partia shqiptare në pushtet – Rexhaili më foli për shpresat e vdirrshme dhe të humbura titanike, nga ana e të burgosurve shqiptarë, ose nga Shqipëria e vogël mu në zemër të burgut të Shutkës, ku ai vuajti paraburgimin, si dhe në Idrizovë ku po vuan aktualisht burgimin.. O tempora, o mores.

Duke i ikur patetizmit dhe refrenizimit të gjërave, mund të shtoj se për këta të burgosur shqiptarëp, nuk ka asnjë shpresë përpos rënie e kësaj qeverie, ridefinim të marrëdhënieve ndëretnike dhe lirim pa kusht, dhe marrje të rolit të duhur të shqiptarëve, ku qeveritari dhe ministri shqiptar do të jetë qeveritar dhe ministër, e jo hyzmeqar e blerës byrekësh e gjevrekësh.

Deri atëherë, Rexhail Qerimi dhe të tjerët si Rexhaili, do të duhet të mos i humbin shpresat, të kenë besim të plotë tek Zoti dhe tek njerëzit e ndërgjegjshëm, dhe të tregohen stoik. Ky kuietizëm, kjo omertë shqiptare, ky poltronizëm, ky maskarallëk, kjo heshtje vrastare… ky servilizëm i folësve shqiptarë në qeverinë Gruevski do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Jo rastësisht nuk thuhet kot se “populli të bën vezir, populli të bën rezil”. Ngase, ata tanimë janë duke shkuar teposhtë, duke iu ngjitur majave të Olimpit të rrejshëm, por kësaj radhe të vetëdijshëm dhe duke mos pasur tjetër shtegdalje.

Mbase këtë e vërtetuan imazhet nëpër ekranet televizive, ku popullata që hiç më larg se para një viti, si dhe tre viteve i votoi, u ngrit masovikisht kundër tyre. Më kot lideri i tyre u mundua të krahasohet me ish kancelarin gjerman Kol. Ky i fundit bashkoi Gjermaninë dhe gjermanët, ndërsa ky i “yni” na ndau dhe përçau edhe më shumë. Ai e solli lirinë për gjermanët, ky i “yni” na solli burgosje, maltretime, vrasje të djemve të pafajshëm, eliminim të komandantëve më të spikatur të luftës, varfëri ekonomike, migrime masive, varfëri intelektuale, krizë, rrahje të civilëve dhe më në fund na e solli lirinë e robit dhe të skllavit.