Ato u rritën duke besuar se kishin të njëjtin baba, derisa një test ADN-je zbuloi një fenomen tepër të rrallë biologjik dhe ua ndryshoi përgjithmonë historinë familjare

Michelle dhe Lavinia Osbourne lindën me vetëm disa minuta dallim, por shumë vite më vonë zbuluan se historia e tyre familjare ishte shumë më e pazakontë sesa kishin menduar: ato kanë baballarë biologjikë të ndryshëm.


Dy motrat, të lindura në vitin 1976 në Britaninë e Madhe, u rritën duke besuar se babai i tyre ishte një burrë me emrin James. Ai nuk kishte qenë pjesë e jetës së tyre, por për shumë kohë ato nuk kishin arsye të dyshonin se e vërteta ishte ndryshe.

Michelle dhe Lavinia kishin kaluar një fëmijëri të vështirë. Nëna e tyre ishte bërë nënë në moshën 19-vjeçare dhe, për shkak të rrethanave të rënda familjare, vajzat kaluan periudha të ndryshme larg saj, herë te kujdestarë e herë në familje strehuese.

Në një periudhë, ndërsa nëna e tyre ndiqte një program universitar në Londër, ato jetuan me një grua që e quanin “gjyshe”, ndonëse ajo ishte në të vërtetë nëna e shoqes më të mirë të nënës së tyre. Motrat e kanë përshkruar atë si të rreptë dhe jo shumë të ngrohtë emocionalisht, transmeton Telegrafi.

“Nëna jonë ishte gjithmonë e paarritshme”

Kur ishin 10 vjeçe, Michelle dhe Lavinia iu bashkuan nënës në Londër, por u vendosën sërish në një familje kujdestare. Lavinia ka treguar se nëna e tyre ishte shpesh e paarritshme, si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht.

Megjithatë, kjo përvojë i lidhi edhe më shumë dy motrat. Ato u mbështetën te njëra-tjetra dhe për shumë kohë e panë lidhjen e tyre si gjënë më të sigurt në jetë.

Më vonë, Lavinia, e dëshiruar të mësonte më shumë për prejardhjen e saj, gjeti James, burrin për të cilin besonte se ishte babai i saj. Ajo ndjeu njëfarë lidhjeje me të. Michelle, përkundrazi, nuk e ndjeu të njëjtën afërsi.

Rreth asaj kohe, nëna e tyre nisi të shfaqte shenja të demencës së hershme. Kur ajo nuk ishte më në gjendje të jepte përgjigje të qarta, Michelle pa një fotografi të James dhe filloi të dyshonte. Ajo nuk shihte asnjë ngjashmëri mes tyre.

Testi ADN ndryshoi gjithçka

E shtyrë nga kureshtja dhe dyshimet, Michelle bleu një test ADN-je për përdorim në shtëpi. Rezultatet sollën një zbulim tronditës.

Më 14 shkurt 2022, pikërisht ditën kur nëna e tyre ndërroi jetë, Lavinia mori përgjigjen që tregonte se ajo dhe Michelle nuk kishin të njëjtin baba biologjik. Teknikisht, ato ishin motra nga nëna, por jo nga babai.

Për Lavinia-n, ky ishte një goditje e rëndë. Ajo kishte besuar se Michelle ishte personi i vetëm që i “përkiste” plotësisht, i vetmi element i sigurt në historinë e saj familjare. Michelle, nga ana tjetër, ka thënë se nuk ishte krejtësisht e befasuar, sepse prej kohësh kishte ndjerë se diçka nuk përputhej.

Çfarë thotë shkenca?

Fenomeni njihet si superfekundim heteropaternal. Ai ndodh kur një grua liron më shumë se një qelizë vezë gjatë të njëjtit cikël menstrual dhe secila prej tyre fekondohet nga spermatozoide të burrave të ndryshëm.

Në këtë rast, fëmijët lindin si binjakë, por gjenetikisht janë gjysmëvëllezër ose gjysmëmotra, sepse kanë të njëjtën nënë, por jo të njëjtin baba.

Kjo mund të ndodhë vetëm te binjakët dyvezorë, pra kur dy qeliza vezë të ndryshme fekondohen veçmas. Ndryshe nga binjakët njëvezorë, këta binjakë nuk janë gjenetikisht identikë.

Dy baballarë të ndryshëm

Testet zbuluan se babai biologjik i Michelle nuk ishte James, por një burrë me emrin Alex, vëllai i një shoqeje të nënës së tyre.

Lavinia vendosi të bënte edhe vetë testin për të marrë konfirmim. Rezultati tregoi se as James nuk ishte babai i saj. Babai biologjik i Lavinia-s ishte një burrë tjetër, me emrin Arthur.

Takimi me të atin biologjik ishte shumë emocional për të. Ajo ka treguar se ndjeu menjëherë një afërsi të veçantë dhe se, për herë të parë, pati ndjesinë se kishte gjetur një vend ku i përkiste.

Sipas raportimeve, Michelle dhe Lavinia Osbourne konsiderohen si rasti i vetëm i dokumentuar në Britaninë e Madhe i binjakeve me baballarë të ndryshëm. Në botë janë përmendur vetëm rreth 20 raste të tilla të dokumentuara.

Megjithatë, ekspertët besojnë se raste të ngjashme mund të jenë më të shumta, sepse jo të gjithë binjakët bëjnë teste ADN-je.

Pavarësisht zbulimit tronditës, Michelle dhe Lavinia mbetën të lidhura fort. Për to, ADN-ja zbuloi një të vërtetë të papritur, por nuk e ndryshoi atë që kishte më shumë rëndësi: jetën e përbashkët, fëmijërinë e vështirë dhe mbështetjen që i kishin dhënë gjithmonë njëra-tjetrës. /Telegrafi/