LAJMI I FUNDIT:

Limuzina më e madhe elektrike e Mercedes bëhet me versionin AMG

Limuzina më e madhe elektrike e Mercedes bëhet me versionin AMG

Mercedes-AMG EQS ka debutuar në panairin e Minhenit me dy elektromotorë që prodhojnë 761 kuaj-fuqi.

Prodhuesi gjerman i veturave prezantoi në prill veturën luksoze elektrike – modelin EQS si alternativë e S Class konvencionale me motorin SUS, transmeton Telegrafi.

Gjashtë muaj më vonë, arrin versioni më ekstrem AMG që bartë logon Mercedes-AMG EQS 53 4Matic+.

Kjo veturë përdorë dy elektromotorë që në versionin standard prodhojnë 658 kuaj-fuqi. E nëse blerësi vendosë për paketën Dynamic Plus, ka në dispozicion atë me 761 kuaj-fuqi.

Në versionin standard, Mercedes-AMG EQS, shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrin për 3.8 sekonda, kurse Dynamic Plus për 3.4.

Shpejtësia maksimale është e kufizuar në mënyrë elektronike në 220 kilometra në orë sa i përket versionit standard, kurse Dynamic Plus lëviz deri më 250 kilometra në orë.

E tërë energjia elektrike “fshihet” në baterinë me kapacitet prej 107.8 kWh, që sipas standardit WLTP arrin të përshkojë me vetëm një mbushje 526-580 kilometra – që është dukshëm më pak sesa 770 që e ofron Mercedesi standard EQS.

Megjithatë kjo autonomi nuk është për t’u nënçmuar, duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një veturë që peshon 2.655 kilogramë.

Çmimi i modelit Mercedes-AMG EQS 53 4Matic+ do të mësohet në fillim të shitjes së paralajmëruar të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm. /Telegrafi/