LAJMI I FUNDIT:

Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – ligj për të cilin shumë pak dihet në sektorin privat

Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – ligj për të cilin shumë pak dihet në sektorin privat

Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve është miratuar tash e dy vite në Kosovë, mirëpo ky ligj nuk po gjen zbatim në fushën e sektorit privat. Përveç që nuk po zbatohet, për ekzistimin e një ligji të tillë që prek edhe sektorin privat në vend ka shumë pak informata.

Madje, Telegrafi ka kontaktuar me disa kompani vendore e përfaqësues të odave por të njëjtit kanë thënë se kanë pak informata për punën dhe përgjegjësitë e këtij ligji.


Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve që ka për qëllim të raportojë çdo parregullsi në sektorin privat dhe publik që është në dëm të interesit publik, është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 18 dhjetor të vitit 2018.

Kryetari i Odës Amerikane Ekonomike në Kosovë, Arian Zeka për Telegrafin thotë se sektori privat ka shumë pak njohuri sa i përket Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

“Mendoj që ekzistojnë njohuri modeste brenda ndërmarrjeve të sektorit privat sa i përket ekzistimit të Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve, edhe kur po them modeste po e potencoj nevojën e një fushate pak më agresive edhe nga ana e asociacioneve të bizneseve por edhe nga ana e institucioneve përgjegjëse, por pse jo edhe të organizatave të shoqërisë civile. Oda Ekonomike Amerikane në këtë aspekt ka organizuar ose bashkë-organizuar disa ngjarje edhe me Lëvizjen FOL për të informuar vetë bizneset për ekzistencën e një ligji të tillë, përfitimeve që dalin edhe për vetë punëdhënësit e sektorit privat, respektivisht drejtuesit e ndërmarrjeve të sektorit privat”, ka thënë ai.

Zeka thotë që Inspektorati i Punës duhet të vazhdojë me rolin e tij, por të mos jetë ndëshkues.

“Besoj që Inspektorati i Punës duhet që të vazhdojë me rolin e tij informativ, përderisa në vitet e fundit IPK ka qenë kogja aktiv në promovimin e sigurisë në punë dhe të punësuarve, duke pasur parasysh edhe incidentet që kanë ndodhur në këtë aspekt. Besoj që fushata të tilla duhet të bëhen në promovimin e Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve. Qasja nuk duhet të jetë ndëshkimore, pasi që kemi një ligj relativisht të ri, për të cilin ka pasur pak njohuri, prandaj duhet të shmangemi nga sanksionet e mundshme apo nga ndëshkimet”, tha ai.

Për funksionimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve është deklaruar edhe Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Mbrojtja e Sinjalizuesve është fushë shumë e rëndësishme edhe ligji i ri aplikim ende nuk gjen, fatkeqësisht në totalin e tij, për shkak se nuk e kemi një rregullore, ku obligohen prej 6 muajve menjëherë pas miratimit ta nxjerrë Ministria e Drejtësisë, në këtë kuptim, fatkeqësia qëndron se ende institucionet tona nuk e kanë arrit ligjin me zbatu në tërësi. Ka pasur sinjalizime të kohë pas kohe, por që edhe gjykatat edhe vetë institucionet kanë hezitu t’i mbrojnë në kuptimin e ligjit të ri”, ka thënë ai për Telegrafin.

Spahija pohon se sektori privat ka shumë pak njohuri për Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

“Sektori privat nuk është se ka shumë njohuri, për faktin se pjesa e sektorit privat është lënë pak më anash me ligjin, obligohet sektori privat mbi 50 persona me pas një zyrtar përgjegjës për sinjalizim, në anën tjetër ajo që shohim është së nuk ka persona të vendosur në institucion”, është shprehur ai.

Kurse, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve, Jusuf Azemi thotë se gjendja e punëtorëve në sektorin privat vazhdon të jetë e keqe. Ndërsa për Ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve në Kosovë, Azemi thotë se nuk beson se i njëjti do të respektohet.

“Në gjithherë kemi dhënë pasqyrën se gjendja e punëtorëve në sektorin privat është shumë e rëndë dhe me shenja të përkeqësimit , pasi që nuk kemi asnjë element që pozita e tyre do të rregullohet, përkundrazi duke u nis nga mungesa e kontratës, nga paga vogël, nga mos mbështetja në aspekt ligjor, dhe nga marrëveshja kolektive, e bëjnë të vetën që gjendja e punëtorëve të jetë më e keqja në rajon. As Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve nuk besoj se do të gjej zbatim”, theksoi Azemi.

Në anën tjetër nga Inspektorati i Punës që është përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, thonë se për shkak të pandemisë nuk kanë arritur të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij ligji.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Ekrem Kastrati në një përgjigje elektronike për Telegrafin është deklaruar rreth kësaj teme.

“Ju njoftojmë se ndër tjera për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia, si dhe faktit se deri më tani nuk është hartuar një rregullore e cila do të rregullonte procedurën që duhet ndjekur deri më tani për arsyet si më lartë dhe numrit të vogël të inspektoreve, të cilit në pjesën e parë të viti 2020 edhe kanë qenë të angazhuar në mbikëqyrjen e masave antiCOVID-19 nuk kemi arritur që të ndërmarrim veprimet e nevojshme në zbatim të Ligjit Nr. 06/L-085 për mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Përveç si më lartë në baza të informacioneve tona të marra nga punëtorit e realizuar në të cilat IP ka qenë palë pjesëmarrëse në lidhje me ketë temë, është kuptuar se ka qenë obligim i Ministrisë së Drejtësisë që të hartoj rregulloren për sinjalizuesit, mirëpo deri më tani e njëjta nuk ka miratuar rregulloren në fjalë, e cila për kundër faktit fushëveprimi i kësaj rregullore është përcaktuar të jetë për zbatim në sektorin publik, në rastin tonë ka mundur të shërbej si udhërrëfyes për krijimin dhe konkretizimin e rregullave edhe në sektorin privat”, thotë Kryeziu.

Megjithatë, Inspektorati i Punës thotë se në planin vjetor të punës për vitin 2021, kanë paraparë aktivitete për ketë temë.

Ndryshe, Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve përcakton rregullat për sinjalizimin, procedurën e sinjalizimit, të drejtat dhe mbrojtjen e sinjalizuesve dhe detyrimet e institucioneve publike dhe subjekteve private në lidhje me sinjalizimin.

Sinjalizues është çdo person i cili raporton ose shpalos informacione për një kërcënim ose cenim të interesit publik në kontekstin e marrëdhënies së vet të punës në sektorin publik ose privat.

Lëvizja FOL nga shkurti i vitit 2020 kishte filluar monitorimin e zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, në sektorin privat. FOL gjatë kësaj periudhe ka organizuar takime të shumta informuese me biznese të ndryshme, me Oden Ekonomike te Kosovës dhe Oden Ekonomike Amerikane.

Përveç kësaj FOL ka hartuar dokumentin “Doracak me 10 skenarë të reagimit për rastet e sinjalizimit në sektorin privat”  i cili synon të kontribuojë drejtpërsëdrejti në ndërtimin e urave dhe kanaleve të komunikimit ndërmjet institucioneve të ndryshme dhe sektorit privat.

Është hartuar Udhëzuesi për sinjalizimin në sektorin privat i cili përmban udhëzime të përgjithshme të cilat lehtësojnë kuptimin dhe përmbajtjen e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizueseve, lidhur me sinjalizimin në sektorin privat. Ky udhëzues është modeluar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë të punësuarave në sektorin privat, të cilët mund të sinjalizojnë veprimet apo praktikat e dyshimta në vendin e tyre të punës. Udhëzuesi gjithashtu përmban edhe një Rregullore Model e cila mund të shërbejë si udhëzues për hartimin e akteve të brendshme të sektorit privat për zbatimin e ligjit.

FOL përmes video-animacioneve të ndryshme të publikuara në televizione dhe rrjete sociale ka bërë promovimin dhe sensibilizimin e opinionit publik rreth rëndësisë së sinjalizimit dhe zbatimit të këtij ligji në praktikë.

Ky artikull / storie është realizuar në kuadër të projektit të Lëvizjes FOL “Sinjalizues, Ligji të mbronë”, i cili është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). /Telegrafi/.

Në trend Lajme

Më shumë
Vetëm edhe një ditë i hapur aplikimi për trajnimin

Vetëm edhe një ditë i hapur aplikimi për trajnimin "Mobile Journalism" në fushën e gazetarisë - në fund shpërblehen më të mirët

Komunat
Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Lajme
U raportua nga gruaja për dhunë, Inspektorati policor thotë se po e heton drejtorin kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës

U raportua nga gruaja për dhunë, Inspektorati policor thotë se po e heton drejtorin kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës

Elfije Boletini
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Lajme
U gjuajtën me armë derisa ishin në veturë, detaje nga rasti që ndodhi në Prishtinë

U gjuajtën me armë derisa ishin në veturë, detaje nga rasti që ndodhi në Prishtinë

Kronika e Zezë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Kalo në kategori