Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Serbia dhe Rusia synojnë të delegjitimojnë dhe diskreditojnë shtetësinë e Kosovës, duke e lidhur këtë përpjekje edhe me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.

Në intervistën e tij të fundit para shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, dhënë ekskluzivisht për Debat Plus, Thaçi ka thënë se pas dështimit të përpjekjeve të Serbisë për ta delegjitimuar pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas tij, fokusi është zhvendosur drejt Këshillit të Evropës.


“Liria dhe ndërtimi i pavarësisë së Kosovës ishte e pakapërdishme për Serbinë dhe Rusinë. Pasi dështuan ta delegjitimojnë pavarësinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ata iu drejtuan Këshillit të Evropës. Synimi serbo-rus është i qartë: të diskreditohet projekti i shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, Thaçi ka thënë se Prokuroria Speciale po u jep peshë dëshmive që ai i konsideron të fabrikuara nga periudha e regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Në të njëjtën kohë, ai ka thënë se Prokuroria po i anashkalon dëshmitë e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, të cilët sipas tij kanë pasur rol të drejtpërdrejtë në zhvillimet e Kosovës gjatë luftës dhe pas saj.

“Prokuroria po lartëson dëshmitë e fabrikuara nga epoka e regjimit të Millosheviqit; në anën tjetër mohon dëshmitë dhe argumentet e zyrtarëve të lartë të SHBA-së, NATO-s, Britanisë së Madhe, OKB-së, OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Zyrtarët ndërkombëtarë ishin sytë dhe veshët e Perëndimit në Kosovë”, ka thënë ai.

Thaçi ka folur edhe për dëshmitë e zyrtarëve ndërkombëtarë në sallën e gjyqit, duke thënë se prania e tyre në proces, sipas tij, tregon një obligim moral për të dëshmuar atë që kanë parë dhe përjetuar gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

“Ata, erdhën me lejen e qeverive të tyre. Nuk është e lehtë që këto personalitete të spikatura të ulen në një sallë të tillë gjyqi. Erdhën vullnetarisht dhe e deklaruan vetë arsyen e tyre për të dëshmuar. Kuptova se ata po e shihnin se diçka e gabuar, po ndodhte në këtë proces. Po ndienin obligim moral të thoshin të vërtetën”, ka deklaruar Thaçi./RTVDukagjini.