LAJMI I FUNDIT:

Ligji i pagave dhe çështja e koeficientëve, vizita e të dërguarit britanik në Kosovë dhe deklarata e këshilltarit amerikan Chollet – top lajmet e javës

Ligji i pagave dhe çështja e koeficientëve, vizita e të dërguarit britanik në Kosovë dhe deklarata e këshilltarit amerikan Chollet – top lajmet e javës

Ligji i pagave javën që po lëmë pas u dekretua nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe më pas u publikua në gazetën zyrtare, ndonëse ende nuk dihet vlera e koeficientit. Megjithatë koeficienti më i lartë do të jetë 18 për presidentin, ndërsa më i ulëti do të jetë 3.78.

Po javën që po lëmë pas në vendin tonë për vizitë ishte i dërguari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ndërkaq temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit në veri dhe dialogu Kosovë-Serbi.


Ndërkaq, këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet të premten ka folur rreth vizitës që së shpejti do të bëjë në Kosovë, Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, për çështjen e barrikadave, dialogun Kosovë-Serbi, planin franko-gjerman, etj.

Ligji i Pagave, Qeveria e Kosovës pritet t’i caktojë vlerat e koeficientit gjatë janarit

Ndonëse Ligji për Paga është miratuar javë më parë në Kuvendin e Kosovës, aktualisht vlera e koeficientit përmes të cilit caktohet paga e shërbyesve publikë ende nuk dihet zyrtarisht.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës ditë më parë në një përgjigje për Telegrafin ka treguar se vlera financiare e koeficientit pritet të caktohet brenda muajit janar.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu.

Ai ka bërë të ditur se janë ndarë 745 milionë euro nga buxheti i 2023-së për pagat e sektorit publik.

“Me Ligjin për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit që lamë pas, kemi caktuar se totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro”, theksoi ai.

Kujtojmë se Ligji për Paga më 22 dhjetor të vitit të kaluar është miratuar në Kuvendin e Kosovës, më 4 janar është dekretuar edhe nga presidentja e vendit Vjosa Osmani si dhe më pas është shpallur në gazetën zyrtare.

“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, presidentja Vjosa Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik po më 4 janar 2023”, ishte shprehur për Telegrafin këshilltari për Media i Zyrës së Presidentes, Bekim Kupina.

Koeficienti më i lartë do të jetë 18 për presidentin, ndërsa më i ulëti do të jetë 3.78.

Para se të vinte në Kuvend, ky Ligj kishte qenë në konsultim publik për 15 ditë.

“E rëndësishme të thyhet cikli i krizave dhe retorikës së rrezikshme” – vizita e të dërguarit britanik, Stuart Peach në Kosovë

Me fillimin e vitit të ri për vizitë në vendin tonë ishte i dërguari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i cili gjatë të enjtes takoi presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Temë e diskutimit të dy takimeve të të dërguarit të Mbretërisë së Madhe me liderët e vendit ishin zhvillimet aktuale dhe dialogu me Serbinë.

Pas takimeve në Prishtinë, Ambasada britanike në Kosovë në një postim në Facebook shkruan se Peach gjatë vizitës në Kosovë përshëndeti përpjekjet për uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe inkurajoi riintegrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të thyejnë ciklin e krizave dhe retorikës së rrezikshme dhe të punojnë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi”, thuhet në postimin në Facebook.

Ndryshe, me Peach, fillimisht u takua presidentja e vendit Vjosa Osmani, e cila theksoi se bashkësia ndërkombëtare të jetë unike ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim me Lordin Peach, Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara dhe të angazhuara për paqe dhe siguri.

I dërguari i Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani

“Presidentja Osmani vuri në pah se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë për adresimin e sfidave të sigurisë dhe në këtë kontekst ka kërkuar përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Më tej thuhet se duke folur për zhvillimet e fundit në vend, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu.

Presidentja Osmani ka kërkuar që ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori.

Sipas presidentes Osmani, në veriun e Kosovës, sfidimi i rendit ligjor dhe juridik po ndodh nga banda kriminale të armatosura, të dirigjuara nga lidershipi i Serbisë, të cilat ndodhen në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.

Kësisoj, presidentja Osmani theksoi se është nën përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për ta siguruar sundimin e ligjit, paqes dhe sigurisë në mënyrë të barabartë në të gjithë Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa dallim.

Pas takimit me Osmani, i dërguari i Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach i shoqëruar me ambasadorin Nicholas Abbott ka takuar edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se Ballkani Perëndimor përballet me sfida për shkak të ndikimit rus

Chollet: Duhen vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet gjatë kësaj jave në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur për pritshmëritë gjatë vizitës që do të bëjë së shpejti në Kosovë, Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Chollet ka thënë se është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin, në veçanti mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai duke folur për vendosjen e barrikadave dhe heqjen e tyre, tha se është e rëndësishme që të mos ketë më përsëritje të krizës.

“Faleminderit pikë së pari për intervistën. Doja ta vizitoja rajonin pak përpara festave, por fatkeqësisht ai udhëtim u shty. Kështu që mezi pres të kthehem atje së shpejti. Është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin, në veçanti mes Kosovës dhe Serbisë.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet

Gjatë javëve të fundit ka pasur fatkeqësisht një rritje të tensioneve mes tyre. Është një lajm i mirë që kemi parë të hiqen barrikada, kemi parë pikat kufitare të rihapen mes Kosovës dhe Serbisë. Janë lajme të mira. Shpresoj të mos i kishim harxhuar javët e fundit të përqendruar tek kjo krizë, por tek dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin ne, Shtetet e Bashkuara, e mbështesim plotësisht. Është diçka për të cilën unë dhe kolegët e mi do të flasim kur të jemi në rajon”, tha ai.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit ka folur edhe për barrikadat e vendosura në veri të Kosovës.

“Pikë së pari është e rëndësishme që të mos shohim një përsëritje të kësaj krize. Shumë tepër se ç’duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellë.

Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik. Por, fatkeqësisht acarimet e fundit, i kanë rritur tensionet në rajon dhe kanë zënë të gjithë kohën tonë. Është një lajm i mirë që e shmangëm këtë krizë. Ajo që nuk duam të shohim është një përsëritje të kësaj krize brenda disa javëve për diçka tjetër. Pra duam të lëvizim përpara tashmë dhe prandaj vajtja në rajon së shpejti, siç kam ndërmend të bëj së bashku me kolegët e mi, është një moment i mirë për t’u munduar për një fillim të ri për këtë përpjekje në vitin e ri”, tha ai.

Chollet tha më tej se duan që të dyja palët të bisedojnë.

“Janë bërë disa javë tashmë që dy palët kanë pasur mundësinë të takohen së bashku dhe ne jemi atje të pranishëm, duke punuar së bashku me kolegët tanë të BE-së në përpjekje për ta lehtësuar këtë. Mendojmë se është e rëndësishme që palët të bisedojnë për thelbin e propozimit të BE-së dhe jo të ndërmarrin masa vetëm për të përshkallëzuar apo potencialisht për të shkaktuar një krizë. Pra ka shumë gjëra për të biseduar. Kemi shumë punë për të bërë. Por, e shohim drejtimin përpara dhe do të bëjmë çfarë të mundemi për t’u siguruar që Kosova dhe Serbia të lëvizin në atë drejtim”, tha ai.

Këshilltari amerikan ka thënë se Asociacioni i komunave serbe është prioritet.

“Është një prioritet për ne, Shtetet e Bashkuara. Kemi qenë shumë të qartë për këtë. Besojmë se është një angazhim që është ndërmarrë dhe që duhet të ngrihet. Është qartësisht një hap kyç. Por ka shumë çështje të tjera. Të dyja palët këtu kanë detyrime. Të dyja palët kanë gjëra për të cilat ne do të donim t’i shihnim që të lëviznin përpara. Prandaj duhet t’i bëjmë këto biseda sa më herët”, tha ai.

“Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë.

Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre. Dhe të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë. Duam t’i shohim që të ndërmarrin hapa për ta arritur këtë objektiv dhe duam të bëjmë çfarë të mundemi që t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë”.

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Siguri
Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Politikë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori