LAJMI I FUNDIT:

Letra e “Senekës” për “Neronin” dhe letra e debatuar e Kadaresë

Letra e “Senekës” për “Neronin” dhe letra e debatuar e Kadaresë
Ilustrim

Ndriçim Kulla

Flitet për një letër të Senekës për Neronin para se i pari të detyrohej të bënte vetëvrasje për të shmangur vdekjen e mundimshme që i kishte rezervuar tirani. Si biograf i Kadaresë në librin tim me mbi 500 faqe, “Ylli i shkrimtarit” (kam pasur parasysh yllin e fatit të njeriut), e kam shpjeguar gjerësisht marrëdhënien e ndërlikuar të shkrimtarit me diktatorin ziliqar ndaj tij. Marrëdhënia e Kadaresë me Enver Hoxhën ka qenë po aq e ndërlikuar sa marrëdhënia e Senekës me Neronin. Njëri ishte filozof dhe tjetri ishte diktator. Njëri kishte në dorë pushtetin politik dhe organet e diktaturës, tjetri kishte në dorë pushtetin e fortë të fjalës. Të dy e urrenin njëri-tjetrin për vdekje dhe luftonin në mënyra të ndryshme për ta shkatërruar njëri-tjetrin, por brenda kësaj marrëdhënieje konflikti dhe lufte ishin të detyruar ta respektonin njëri-tjetrin.


Le ta marrim të mirëqenë që letra e Ismail Kadaresë për Enver Hoxhën është një denoncim ndaj motrës së tij, siç po thonë me të madhe kundërshtarët e shkrimtarit, megjithëse nga përmbajtja e letrës del se bëhet fjalë vetëm për një dënim të sjelljes së saj. Pyetja është: A e priste këtë gjë diktatori nga shkrimtari i parë i vendit, kur motrën e tij e kishte mbërthyer tanimë mekanizmi i diktaturës? Pra, a priste diktatori që në këto rrethana Ismail Kadareja të mbante këtë qëndrim ndaj motrës? A e priste këtë gjë Sigurimi i Shtetit që kishte nisur procedurën që po të ecte do të sillte arrestimin e motrës së shkrimtarit?

Ata që e njohin sadopak raportin e komplikuar të shkrimtarit me diktatorin dhe në përgjithësi me regjimin e tij, dhe këtu e kam fjalën për dokumente të botuara tanimë, e kanë të qartë se Enver Hoxha dhe Sigurimi i Shtetit nuk e prisnin këtë reagim të shkrimtarit. Ata prisnin që ai ta merrte në mbrojte të motrën duke thënë se ndaj saj është shpifur për të goditur indirekt atë Ismail Kadarenë dhe veprën e tij. Ata e njihnin temperamentin e Kadaresë dhe e dinin se ai kështu kishte reaguar në rastin e akuzave të rënda ndaj tij, ishte tërhequr vetëm kur e kishte parë qartë se diktatura kërkonte një kompromis me të, që t’ i kalonte fajet shumë të rënda për të cilat akuzohej (armik i regjimit) me një autokritikë pas së cilës do ta linte të qetë për disa kohë.

Por, Kadareja me intuitën e shkrimtarit të madh, parandjeu grackën që i kishte ngritur diktatura këtë herë, sipas skenarit të përgatitur me siguri nga vetë diktatori. Shkrimtari e kuptoi se arrestimi i motrës së tij kërkohej që pastaj ajo e gjendur në birucat e Sigurimit të Shtetit të detyrohej me tortura të denonconte të vëllain si armik të regjimit dhe si frymëzuesin e sjelljes së saj. “Këto që kam thënë i kam dëgjuar nga im vëlla”. Këtë pohim do t’i nxirrnin ustallarët e Sigurimit të Shtetit me tortura Kadrie Kadaresë.

Pastaj do të thirrej Ismaili në hetuesi dhe ndaj tij do të veprohej sipas skenarit që kishte bërë diktatori, i cili duket se si gjithmonë vazhdonte të ishte në dilemë për atë që duhet të bënte me shkrimtarin e parë të vendit, ta arrestonte dhe ta dënonte me burg apo t’i përdorte provat ndaj tij për ta kompromentuar dhe lidhur përjetë me diktatorin, sido që të shkonte fati i vendit. Në rastin e dytë regjimi do t’ i propozonte shkrimtarit kompromisin e radhës, këtë herë me kosto për një tjetër njeri. Dil në gjyq dëshmitar kundër motrës dhe do të ta falim gabimin, do t’i thuhej shkrimtarit. Ai udhëheqësi është zemërgjerë, di edhe të falë. Si nën zë mund t’i thuhej se edhe motra do të falej pas njëfarë kohe duke u shpallur jo në rregull nga trutë e kokës.

Ismail Kadareja i prishi të dy këta skenarë që kishin në shënjestër atë vetë, duke i dërguar diktatorit letrën ku dënonte sjelljen e së motrës. Pas kësaj nuk kishte më vlerë për diktatorin gjyqi i motrës së shkrimtarit, sepse ky i fundit kishte shpëtuar nga gracka. Pas letrës për diktatorin, shkrimtari nuk mund të thirrej më si dëshmitar në gjyq kundër motrës. Diktatori donte që materialet e akuzës dhe vendimi i gjyqit ndaj shkrimtarit të parë të vendit të ishin plotësisht të kopsitura, pa pikë dyshimi nga këndvështrimi i ligjeve të diktaturës, kuptohet. Por, edhe kështu letra e prishte të gjithë skenarin, e rrëzonte si kështjellë prej rëre. Kjo për arsye se në qoftë se Ismaili do të kishte qenë bashkëpunëtor me motrën për akuzat që i bënte Sigurimi i Shtetit asaj, atëherë ai nuk do t’ i kishte dërguar atë letër diktatorit. Me letrën Kadareja e bëri të pavlefshme dëshminë eventuale kundër tij që mund t’i nxirrej me tortura. Më ikë nga gracka dhe këtë herë, do të ketë menduar me siguri diktatori. Dhe, dy vjet më vonë, pasi dështoi në skenarin për ta goditur shkrimtarin me anë të motrës, diktatura ia nxori inatin duke e prekur te vajza. Të dyja këto gjëra nuk janë pa lidhje.

Gjakatari Neron mund ta vriste kur të donte Senekën, por kështu do të humbte famën që pretendonte të kishte tek artistët dhe filozofët, si mik i artistëve dhe filozofëve. Enver Hoxha e mbante veten edhe për shkrimtar. Librat e tij me kujtime janë shkruar si romane. Në fjalimet e tij ai përdorte shumë figura letrare. Enver Hoxha kishte të njëjtat ambicie si Neroni. Diktatori e dinte se nëse vriste shkrimtarin e parë të vendit, kjo do t’i quhej edhe si xhelozi artistike. Kjo e ka shpëtuar Kadarenë me sa duket nga dënimi kapital prej diktaturës.

Unë nuk do të bëj gabimin e Neronit që e detyroi senator Senekën, filozofin dhe shkrimtarin e parë të Perandorisë, të bënte vetëvrasje, ka menduar diktatori. Neroni nuk ishte filozof dhe shkrimtar i vërtetë, unë jam i tillë. Duke e lënë gjallë këtë, Ismail Kadarenë, unë do të pohoj se nuk e kam pasur zili atë si shkrimtar.

Diktatori ndoshta e ka medituar skenarin e vetëvrasjes së shkrimtarit pak më vonë, kur Sigurimi i Shtetit bëri skenarin kundër vajzës së Kadaresë. Pra, shkrimtari vriste veten nga tronditja. Por, diktatori sapo kishte bërë të ditur vetëvrasjen e numrit 2 të regjimit, dhe vetëvrasja e shkrimtarit të parë të vendit menjëherë pas tij, jo vetëm që nuk do të besohej po do ta bënte akoma më të dyshimtë edhe të parën.

Seneka shqiptar i shkroi një letër Neronit shqiptar dhe ky ia kurseu jetën, sepse e dinte historinë e Neronit me Senekën. Kur ka marrë letrën diktatori e ka kuptuar se po përsëritej historia, dhe se çfarë ishte në lojë.