eksperti-banner

Jon Bon Jovi u ka dhënë fansave një përditësim lidhur me zërin e tij, katër vite pas një operacioni për të riparuar një kordë vokale të dëmtuar.

Siç raporton DailyMail, 64-vjeçari, i cili është frontman i grupit Bon Jovi dhe vjehrri i aktores Millie Bobby Brown, kishte deklaruar më herët në vitin 2024 se nuk e dinte nëse do të mund të rikthehej në turne pas kësaj gjendjeje.


Megjithatë, tani ai ka treguar për revistën People se është plotësisht i rikuperuar. “Jam plotësisht i shëruar. Zgjati më shumë se sa e kisha menduar, por duhej bërë siç duhet. Nuk e humbëm kurrë besimin,” tha ai.

Ai kujtoi gjithashtu momentin kur mësoi për problemin shëndetësor. “Shpesh bëja shaka dhe thosha se e vetmja gjë që më ka hyrë ndonjëherë në hundë ishte gishti im. Nuk kisha bërë asgjë që të dëmtonte kordat vokale; nuk kisha teprime,” tha ai.

“Jam një vokalist i trajnuar. Kam praktikuar zanatin tim,” shtoi ai. “Prandaj kur një mjek më tha se njëra nga kordat po atrofizohej, ishte shumë e vështirë për ta kuptuar.”

Në qershor të vitit 2024, dy vite pas operacionit, këngëtari i Bon Jovi tha se po rikthehej ngadalë në performancat live.

Në atë periudhë, grupi publikoi albumin Forever, ndërsa ai deklaroi për People: “Performuam mbrëmë në Nashville dhe gjithçka shkoi shumë mirë. Hap pas hapi, po rikthehem”.

Po atë vit, ai foli hapur për operacionin e tij vokal edhe në një intervistë për revistën AARP në numrin qershor/korrik 2024.

Gjatë një interviste për këtë medium, ai tregoi reagimin e tij fillestar kur mendoi se mund të humbte përgjithmonë zërin.

“Disa njerëz duhej të më qetësonin, sepse ti thua: ‘Nuk kam bërë asgjë gabim! Çfarë nuk shkon?’” tha ai.

Ai përjashtoi përdorimin e playback-ut apo auto-tune gjatë performancave live, duke theksuar: “Më mirë do të më godiste një autobus në autostradë.”

Artisti nga New Jersey po shqyrtonte opsionet e tij kur kolegia e tij, Shania Twain, i rekomandoi mjekun e saj pasi edhe ajo kishte pasur probleme me zërin.