LAJMI I FUNDIT:

Legalizimi i kanabisit duhej bërë me kohë

Legalizimi i kanabisit duhej bërë me kohë

Për të shpjeguar arsyen dhe absurditetin e ndalimit të kanabisit, dua t’ju ftoj për një eksperiment mendimesh: përfytyroni sikur shkoni në një supermarket dhe doni të blini alkool. Por, raftet janë të mbushura vetëm me shishe pa etiketë. Në rastin më të mirë forma e shishes mund të të japë informacionin për lëndën që përmban ajo brenda vetes. Ndoshta është një uiski 20 vjet i vjetër, ndoshta një birrë bajate, ndoshta një pije alkoolike e bërë vetë që të marrin mendjen. Kësaj shtoja edhe faktin që ky supermarket ndodhet në një nga zonat më të errëta e më të rrezikshme të qytetit.

Një sistem i tillë tregtimi nuk i ndihmon askujt, kjo është evidente – as shëndetit të popullsisë në përgjithësi dhe aq më pak mbrojtjes së rinisë. Por, në mënyrë të ngjashme paraqitet situata për konsumatorët e kanabisit. Nga sondazhet në Gjermani dihet që një e treta të paktën e kanë konsumuar njëherë në jetë drogën ilegale; kanabisi është droga më e përhapur. Deri tani legjislacioni i vjetruar detyron këdo që do ta konsumojë kanabisin që të furnizohet në tregun e zi të pakontrollueshëm e që është në dorë të kriminelëve. Nuk ka asnjë kontroll për cilësinë, përmbajtjen e përbërësve aktivë, përzierësit dhe holluesit, ndërkohë që krimi i organizuar majmet prej xhiros së fitimeve.


Lufta kundër drogave është një luftë kundër përdoruesve të tyre. E, po ashtu edhe dënimet. Nëse i referohesh të dhënave të fundit për gjendjen me kriminalitetin e drogave nga Zyra Federale e Kriminalistikës mëson se nga gati 400 mijë vepra penale me drogat, tre të katërtat janë regjistruar si “krime që kanë të bëjnë me konsumim”. Vetëm kjo shifër tregon se lufta kundër drogave edhe në Gjermani është kryesisht luftë kundër përdoruesve. Një luftë me dëm të konsiderueshëm kolateral që nuk mund të fitohet. Se sa absurd është objektivi për një shoqëri pa droga, këtë e dëshmon fakti se edhe në shtetet totalitare apo nëpër burgje gjendet droga. Argumentet e politikës së ndalimit tingëllojnë ngjashëm sikur politikanët e shëndetësisë t’i varnin shpresat vetëm tek abstinenca në luftën kundër sëmundjeve që vijnë përmes seksit apo infeksionit HIV. Sigurisht që kjo mund të jetë mbrojtja më e mirë prej infektimit. Por, askush nuk do të jetojë në abstinencë seksuale. Sensibilizimi dhe shpërndarja e prezervativë kanë më shumë efekt.

Ndaj, është një lajm i mirë që negociatorët për krijimin e qeverisë së re, që do të krijohet nga koalicioni tresh mes socialdemokfratëve, ekologjistëve dhe liberaldemokratëve, si duket kanë rënë dakord për ta legalizuar dhe rregulluar përdorimin e kanabisit. Ky hap pritej, sepse pozicionet e ekologjistëve, liberaldemokratëve dhe socialdemokratëve kanë qenë relativisht të përafërta lidhur me këtë temë. Ky vendim shënon heqjen dorë prej dogmave të vjetra dhe pranimin e një realiteti kompleks. E, ky realitet është se, pavarësisht ndalimit – kanabisi përdoret në masë – pikërisht edhe prej të rinjve të cilët synojnë t’i mbrojnë ata që ndjekin politikën e ndalimit të kanabisit. Kanabisi prej kohësh ka mbërritur në shoqërinë gjermane. Një politikë moderne ndaj drogave përpiqet të komportohet në mënyrë  inteligjente me këtë situatë ekzistuese. Ajo nuk i kriminalizon konsumuesit, por i mbron ata; ajo krijon sensibilitet, ofron ndihmë në rast nevoje.

Natyrisht që kanabisi nuk është pa rreziqe. Si çdo substancë tjetër e fortë, edhe kanabisi bart rreziqe e ka efekte anësore. Megjithatë, njerëzit mund të mësojnë të mbrohen prej këtyre rreziqeve; ata mund të fitojnë kompetencë ndaj kësaj droge – ngjashëm sikurse shumë ia dalin me alkoolin, edhe shumica e konsumatorëve të kanabisit do të gjejnë mënyrën si të mbrohen. Kjo kompetencë krijohet më së miri në një mjedis që nuk karakterizohet prej tabuve dhe ndëshkimit; duke mos i damkosur drogat në mënyrë shabllone, por duke i pranuar ato me një dijeni të kthjellët mbi rreziqet: ato kanë edhe efekte pozitive –  shijen, përftimin e njohurisë, ekstazën, shërimin. Qëllimi është minimizimi i rrezikut.

Ndaj nisma për legalizimi është e drejtë, jo vetëm për ta dekriminalizuar konsumin. Por, përdoruesit e kanabisit duhet që të kenë edhe një mundësi legale për ta poseduar substancën. Edhe unë si baba i tre fëmijëve them: më mirë tregtues të jetë shteti ose bizneset e kontrolluara prej tij, sesa pjesëtarët e krimit të organizuar. Legalizimi do të krijojë edhe mundësinë e financimit për programet masive të parandalimit dhe të ndihmës. Një studim i Universitetit të Dyseldorfit ka llogaritur se të ardhurat nga taksat e kanabisit si dhe kursimet nga ndërprerja e masave të ndjekjes penale sjellin një shumë prej gati pesë miliardë eurosh në vit. /DW/