LAJMI I FUNDIT:

Le Pen nis sulmin ndaj rivalit: Macron, tejet i dobët përballë terrorizmit

Le Pen nis sulmin ndaj rivalit: Macron, tejet i dobët përballë terrorizmit

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen akuzoi këtë të hënë Emmanuel Macron, rivalin e saj pa eksperiencë në balotazhin e muajit të ardhshëm për “Elizenë”, se është tejet i dobët përballë terrorizmit islamik.

Tregjet globale reaguan pozitivisht pas rezultatit të raundit të parë të zgjedhjeve të zhvilluar të dielën, që theu kështu dominimin e partive kryesore të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë, por sërish la një kandidat të qendrës proeuropian dhe një ish-ministër Ekonomie si pretendent për t’u bërë udhëheqësi i ri i Francës.


Sondazhet e fundit tregojnë se Macron, 39-vjeçari që nuk ka mbajtur kurrë pozita falë votave të popullit, pritet të fitojë të paktën 61 për qind të votave në balotazhin e majit. Këto shifra i kanë lehtësuar investitorët, të cilët ishin shqetësuar nga angazhimet e Le Pen për të braktisur euron, për të shtypur të tjera parà dhe ndoshta edhe për të dalë nga BE-ja, ndërsa u nervozuan më shumë nga qasja antipari për të ndjekur shembullin “Brexit” të Britanisë dhe triumfin e presidentit Donald Trump në SHBA.

Le Pen, 48 vjeç, ka theksuar edhe angazhimet për të pezulluar marrëveshjen e kufijve të hapur me BE-në, si dhe për të dëbuar të huajt që ndodhen në listën e mbikëqyrjes së shërbimeve sekrete, si përgjigjja e vetme dhe e duhur ndaj një serie sulmesh terroriste në Francë.

E duke synuar të shfrytëzojë mungesën e eksperiencës së Macron në këtë fushë, ajo u tha reporterëve në bastionin e saj verior, Henin-Beaumont se “ndodhet në terren për të takuar popullin francez, për të fokusuar vëmendjen te çështjet e rëndësishme, përfshi terrorizmin islamik, në të cilin Macron – siç u shpreh, – është më shumë sesa i dobët”.

Franca është tronditur nga një seri sulmesh terroriste gjatë dy viteve të kaluara, prej të cilave kanë mbetur të vdekur mbi 230 persona. Vetëm 3 ditë përpara votimit të së dielës, një polic u qëllua për vdekje dhe dy të tjerë u plagosën në qendër të Parisit, në një sulm të marrë përsipër nga Shteti Islamik.

Programi i Macron për sigurinë e brendshme bën thirrje për shtimin e 10 mijë oficerëve të policisë, si dhe 15 mijë vende të reja burgimi. Ai ka rekrutuar disa ekspertë sigurie në kabinetin e fushatës së tij, madje ka theksuar se Le Pen ka më pak eksperiencë në qeverisjen kombëtare nga vet ai.