Lazarati në shtetrrethim policor (Video)


Vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi ndodhet në postbllokun në hyrje të Lazaratit dhe po monitoron gjithë operacionin.
Ndërkohë, lazaratasit vazhdojnë të djegin parcelat me kanabis për të fshehur provat që mund t’i penalizojnë, pasi ndërhyrja dhe vendosmëria e Policisë pas katër ditësh duket e palëkundur. Kudo në fshat shihen vatra zjarri dhe re të dendura tymi nga djegia e parcelave me kanabis.
Edhe pse mëngjes herët, të shtënat me armë dëgjohen kudo. Janë rreth 400 forca policie në gatishmëri ndërmjet Derviçanit dhe Lazaratit.Policia pritet të vijojë edhe sot kontrollet në banesa.
Dje policia informoi se arrestoi personin e akuzuar, pjesë e një grupi prej 12 personash që qëllonin nga banesa e Altin Dardhës. Gjithashtu, deklaroi se do të kundërpërgjigjet pa paralajmërim për të gjithë ata që qëllojnë mbi policinë dhe mbajnë peng fshatin.
Gjatë operacionit të djeshëm policia ushtroi kontroll në territorin e 7 banesave në fshatin Lazarat si dhe janë gjetur dhe asgjësuar rreth 1.5 ton hashash dhe rreth 2000 bimë narkotike kanabis sativa.
Gazetarët informojnë se tashmë policia ka marrë gati 1/5 e fshatit, pjesën jugore dhe juglindore të fshatit, zonën në kufi mes Lazaratit dhe Derviçanit dhe po përparojnë gjithnjë e më thellë brenda fshatit. /Telegrafi/






































