LAJMI I FUNDIT:

Lamtumirë ‘vëllam’ i Podrimës!

Lamtumirë ‘vëllam’ i Podrimës!

Nga: Halil Matoshi

Pas Lomparit u ngjit mbi Llovqen edhe dukleasi tjetër Jevrem Bërkoviq …

1.

Nji malazez i madh dhe trim, nji poet i mirë dukleat dhe mbrojtës i paepun i mëvetësisë së Malit të Zi, Jevrem Bërkoviq kaloi në amshim, në moshën 88-vjeçare, me kângën e të shtypunve – lirinë ndër buzë, në vend të dovës së mramë.

Si vlla për nga arma – poezia – me Ali Podrimën, Azem Shkrelin, Mekulin e Rugovën…

2.

Kam qenë në shpi tina, në Podgoricë, si gazetar i ri më 1986, me Idriz Ulajn e Nysret Metarapin e ndjerë, dhe pata bâ nji intervistë me “Arqipeshkopin” e poezisë malazeze të shekullit XX dhe që atëherë ai ishte rreshtu krah shqiptarëve të cilët po përjetonin reprezalie nga regjimi jugosllav i dominuem p’ej serbëvet!

Më pati thânë se shteti serb kishte râ në duert e popave (priftave orthodoksë serbë) dhe çetnikve!

Që atohera e kam përcjellë me empati dramën jetësore të këtij poeti, të ndjekun nga shteti i tij, i cili më 1991 mezi i pshtoi likuidimit nga milicia sekrete e Millosheviqit, por u sulmua brutalisht edhe më 2006, nga e njâjta strukturë vrasëse, duke ia vra në pritë truprojën e tij, Sërgjan Vojiçiq, që ia kishte caktu shteti i ri malazez.

3.

I lemë në nji shoqni fisnore (i biri e mbanë emnin Balsha – vër. HM) në Piper (Biber), njimend Bërkoviqi shquhej si nji malazez që e do Atdheun e tij, që rrnon si kalorës fisnik, si trim që s’lue qerpikë!

Ishte komunist idealist dhe mbi të gjitha shpianik me besë!

4.

Kur fashizmi millosheviqian mori hez, ai nën kercënimin me jetë u strehu sëpari në Tiranë, pastaj nëpërmes Hungarisë në Kroaci (1991) ku ndejti në azil politik deri më 1999.

Ishte antifashist i paepun dhe tânë jetën e tij e kaloi në frontin kundër tij, tue u rreshtu me sllovenët e kroatët fillimisht por edhe me boshnjakët dhe shqiptarët.

Ai u tregonte gazetarëve pastaj një ngjarje si në film, kur ishin rrethu nga mitingashët e Millosheviqit në Podgoricë, në shpi të tij dhe i kishte dhânë pushkën edhe mysafirit të tij Ali Podrimës, të cilin e quente ‘vëllam’ që të luftonin me serbët!?

Tregonte njashtu se si Ali Podrimja saherë ka ra n’Podgoricë, ka vù lula të freskta n’Urë t’Ribnicës, ku në janar të vitit 1916 ishte vra Isa Boletini, në nji betejë me xhandarët malazezë.

5.

Ditën që poeti briliant Mladen Lompar ishte në Prishtinë (2016) pak para deket, në promovimin e librit poetik “Mallkimi i balcamosur”, në shqip, në 10-vjetorin e mëvetësisë së Malit të Zi (përkthy nga S. Smaka), në fjalën time estetikën dhe poetikën e tij e pata rreshtu përskaj Zogoviqit (Kângët e Ali Binakut dhe Bërkoviqit.)

6.

Ai ka me i knu Malit të Zi t’pavarm dhe popujve tjerë, miqve përreth, deri në fundin e kohës! /Telegrafi/