LAJMI I FUNDIT:

Lamtumira mbi çati

Lamtumira mbi çati

Më shumë se gjysmë shekulli pas koncertit historik mbi çatinë e një ndërtese, katërshja fantastike nderohet e respektohet si kurrë më parë. Shkrimin e gazetarit Jon Harris, të publikuar në ditoren “The Guardian”, Telegrafi e sjell të plotë si më poshtë.

Është koha e drekës, në një të enjte të ftohtë të janarit 1969. Pas disa javëve me prova e incizime, ndonjëherë edhe të vështira, The Beatles me këngët e tyre të reja, më në fund – dhe atë në mënyrë spektakolare – përplasen me botën e jashtme. Ky rast tashmë është fiksuar në ikonografinë e tyre. Më 30 janar, në çatinë “3 Savile Row” të selisë londineze të kompanisë së tyre ”Apple”, katërshja fantastike – në taste bashkë me amerikanin Billy Preston – i performuan pesë këngë: “Get Back” (tri herë), “Don’t Let Me Down” (dy herë ), “I’ve Got a Feeling”, “Dig a Pony” dhe “One After 909”. Interpretuan me saktësi dhe vetëbesim që e kundërshtonte momentin e fundit të ngjarjes – një reagim urgjence dhe drame nga dy zyrtarë policie, të përcaktuar për të përmbyllur gjithçka aty.

Kjo shfaqje magjike është finalja e “Get Back”-ut, serisë së dokumentarëve me tri pjesë të Peter Jacksonit për grupin The Beatles. As grupi e as njerëzit që shikonin në çati dhe nga poshtë, nuk ishin të vetëdijshëm se kjo do të jetë performanca e tyre e fundit. Por, për shikuesin, kjo informatë sot është më me rëndësi.

Ajo që ndodhi atë ditë nxjerr në pah një nga temat e “Get Back”-ut, diçka që shpesh neglizhohet: marrëdhëniet mahnitëse të grupit me audiencën e tyre dhe me publikun e gjerë. Poshtë, në rrugët e dominuara nga fasadat elegante të Akademisë Mbretërore, u mblodh një turmë e madhe. Opinionet e tyre u regjistruan nga ekipet e kamerave që bënë pyetjet më të thjeshta të voks-popit: “A e dini çfarë muzike po dëgjoni? ”; “A ju pëlqen muzika që dëgjoni?”; “Zakonisht, a ju pëlqen t’i dëgjoni Beatles-at?”

Ndër të tjera, pamjet që rezultuan – të përdorura në dokumentarin origjinal të vitit 1970, “Let It Be”, dhe tani të rikonceptuara nga Jacksoni – dëshmojnë se The Beatles ende mund të ngacmojnë paragjykimet e moshës dhe të klasës. Këtë e dëshmojnë përgjigjet e një grumbulli biznesmenësh që mblidhen në hyrje të “2 Savile Row”. “Kjo lloj muzike është në rregull në vendin e vet – është mjaft e këndshme”, thotë një burrë, me flokë të lëpira, me syze tashmë klasike dhe me pallto që ia jepte tiparet e një personazhi nga një sitkom i fundit të viteve 1960. “Por, mendoj se është paksa një imponim për të ndërprerë të gjitha bizneset në këtë zonë”. Një burrë pranë tij pyetet nëse i pëlqente ndonjëherë muzika e Beatles-ave. “Në ambientin e duhur”, thotë ai. “Por, assesi jo këtu”.

Kur e pyes Paulin (McCartney) për këto skena, ai përmend një sekuencë nga filmi i parë i tyre, i vitit 1964, “A Hard Day’s Night”. Që të katërtit shfaqen duke u përballur me një udhëtar me kapele “pjepër” që e kundërshtonte ndarjen e hapësirës me ta në një kupe treni. Ai i thotë Ringo Starrit që të lëshonte muzikë nga radio, nga një kanal që, në atë kohë, ishte diçka e zakonshme: “Unë luftova për llojin tuaj”.

“Gjithmonë është një tip me kapele të tillë që e urrente atë që ne bënim”, thotë McCartney. “Ai kurrë nuk do ta pëlqejë dhe madje mendon se ofendohen ndjeshmëritë e tij. Por, duhet ta dini se, siç kemi bërë gjithmonë, ka njerëz që reagojnë ndaj atij tipi. Janë sekretarët e rinj, djemtë e rinj në zyre, ose tregtarët apo pastruesit. Këta janë njerëzit që na pëlqejnë. Gjithashtu, shumë nga shefat. Gjithmonë e dinim se aty është baza, pastaj janë njerëzit nga klasa punëtore. E, ne ishim klasa punëtore. Njerëzit që punonin donin të na kenë e të kuptojmë se çfarë po bëjmë. Dhe, herë pas here, e keni atë lloj snobi që zemërohet. Në një farë mënyre, kjo ishte pjesë e argëtimit”.

Në përgjithësi, grupi i njerëzve me opinione pozitive për performancën e çatisë e tejkaloi numrin e kritikuesve, duke dëshmuar se grupi The Beatles kishte tërheqje pothuajse universale – që nga femrat njëzetvjeçare e deri te një shofer taksie që kalonte andej (“A është album i tyre i ri? Oh, sa mirë! Jam përherë në anën e tyre”) dhe njeriu me kapelë “trilbi” që jep mendimin se Beatles-at janë “njerëz të vërtetë të mirë”. Shtrirja e grupit, siç duket, ishte e jashtëzakonshme – dhe, në një farë mase kjo kishte ndodhur me stil.

Siç ka theksuar McCartney në të kaluarën, shfaqjet e hershme të singlave – si “Love Me Do”, “Please Please Me”, “From Me to You”, “She Loves You” – qëllimisht i përdornin përemrat vetorë, për të maksimizuar rezonancën e tyre popullore. Më vonë, këngë e tilla të Paulit, si “Eleanor Rigby”, “Penny Lane” dhe “She’s Leaving Home” e përzien mirë të përditshmen me poetikën. Në rastin e John Lennonit, edhe imazhet e tij më surreale shpesh e kishin origjinën në të zakonshmen: “taksitë e gazetave”, “katër mijë vrima në Blekbërn, Lenkëshajr”, “unë jam fokë”, “e marta e përgjakshme” dhe “duhanpirësit mbytës”. Devijimi i shkurtër drejt krijimit të filmit avangardë që e titulluan “Turneu i misterit magjik” (Magical Mystery Tour), të mos harrojmë, u përqendrua në një udhëtim me autobus rreth Devonit dhe Kornuallit. Çfarëdo që bënë ata, kurrë nuk e humbën cilësinë që ne tani e njohim si “të ndërlidhur”.

Puna e tyre në fillim të vitit 1969, mbi të gjitha bazohej në ide shumë të ndërlidhura. Kur filluan punën në Studion e Filmit “Twickenham”, synonin të ktheheshin në rrënjët e tyre dhe të lidheshin sërish me audiencën. Fillimi me provat dhe seancat e regjistrimit që do të realizonin albumin dhe filmin e titulluar “Let It Be” ishte në plan që nga viti 1966: për transmetim – në mbarë botën – të performancës së tyre para turmave.

Kjo kërkonte biseda të gjata se kush ishte audienca e tyre tash dhe se si mund të mblidheshin së bashku. Regjisori i filmit, Michael Lindsay-Hogg, ka thënë se ata duhej të interpretonin si “para gjithë botës”. Ndër idetë që i konsideruan ishte shfaqja në një amfiteatër romak në Libi, në një inskenim si para një lloj mikrokozmosi të njerëzimit (jo pa arsye Starr u shqetësua se “sa herë që bëjmë diçka, ajo duhet të jetë vërtet e mrekullueshme”).

A mund ta inskenojnë shfaqjen që përfaqëson disi apelin e tyre global? Në verën e vitit 1967 kanë bërë diçka të tillë, duke interpretuar këngën “All You Need Is Love” për një audiencë televizive në mbarë botën – prej të paktën 400 milionë vetëve, falë teknologjisë së re të transmetimit satelitor. Në shtator të vitit 1968, Lindsay-Hogg e kishte bërë regjinë e videos promovuese për këngën “Hey Jude” që kishte një kastë multiracore prej rreth 300 statistëve (“e donim një përzierje, që do të ishte si bota e Anglisë në atë kohë”, ka thënë ai më vonë).

Megjithatë, këtë herë antipatia e George Harrisonit për t’u rikthyer në skenë, që çoi në largimin e tij të përkohshëm nga grupi, thoshte se çdo plan ambicioz shpejt do të bllokohej. Shpërthimi i muzikës së tyre në Londrën qendrore, pa paralajmërim, në një ditë të ftohtë janari ishte kompromisi i minutës së fundit … por duke tërhequr turmë të të gjitha moshave, gati se e theksoi të njëjtën gjë.

Dhe, kështu shkojmë në një aspekt pak më të vogël të sagës 50-vjeçare “Let It Be/Get Back”. Njëjtë si editimet e reja të CD-ve dhe LP-ve të “Let It Be”-së, seria e Jacksonit shoqërohet me librin “Get Back” i cili, ashtu si filmat, e shpërfaq një histori shumë më të nuancuar dhe më të ndërlikuar sesa ideja e pranuar e seancave të ushtrimeve si një kohë e grindjeve të pafundme. Libri përmban imazhe të shkëlqyera nga Linda McCartney dhe nga fotografi i “Let It Be”-së në skenë, Ethan Russell, si dhe transkripte të marra nga 120 orë të bisedave të grupit – për të cilat ende kënaqem kur them se e kisha për detyrë për t’i redaktuar. Pasi ajo punë përfundoi, kompania “Apple” më pas ra në kontakt me mua dhe me kolegun tim John Domokos, për këtë ide: duke pasë parasysh rëndësinë e voks-popit në disa nga pamjet e vitit 1969, dhe gjithashtu serinë tonë të videove të ditores “The Guardian”, “Anywhere But Westminster”, a mund të bëjmë një film të shkurtër film për grupin The Beatles, për audiencën e tyre të shekullit XXI, dhe për Londrën?

Kaluam kohë brenda dhe përreth rrugëve “Savile Row” dhe “West End”, duke u përzier me publikun, duke treguar me gisht çatinë dhe duke i bërë pothuajse të njëjtat pyetje që ishin bërë në vitin 1969. Këtë herë askush nuk ishte shpërfillës apo snob, dhe 99 për qind e njerëzve të intervistuar iu përgjigjën me të qeshura idesë nëse dikush do të përpiqej të ndalonte performancën e fundit live të Beatles-ave. E takuam një adhurues të hip-hopit i cili foli se kishte mësuar për grupin The Beatles përmes artistëve të tjerë që kishin semplluar muzikën e tyre, si dhe një burrë vajza 24-vjeçare e të cilit sapo kishte përfunduar kopertinë e këngës “Eight Days a Week” dhe e kishte vendosur atë në internet. “Të rinjtë janë ende të interesuar”, tha ai. Nga një kalimtar morëm një përmbledhje faktike të asaj që po përpiqeshim të arrinim: “Nuk ka njeri që nuk i pëlqen Beatles-at. Të gjithë, në një moment të caktuar, kanë kujtime për një nga këngët e tyre. Pra, ata janë pjesë e kulturës sonë kolektive.”

Shembulli më i mirë i kësaj ishte familja Thayer nga Somerseti, të cilët më vonë i takuam jashtë studiove “Abbey Road”, duke e ribërë kopertinën e famshme të albumit me të njëjtin titull. Babi Tom i udhëhoqi fëmijët e tij – Lois, Evie dhe Jude (e emërtuar sipas këngës) – nëpër vendkalimin e zebrave, ndërsa mamaja Esther e bëri foton. Pasuan duartrokitjet. Dhe ja, këtu, edhe një herë ishte magjia e grupit The Beatles: një pjesë shumë e zakonshme e rrugës britanike, e mbushur edhe një herë me mrekullinë e grupit vërtetë më universal të muzikës pop në histori.

Versionet e reja të librit “Let It Be” dhe “Get Back” tashmë dalë tani. Dokumentari “Get Back” i Peter Jacksonit transmetohet më 25 nëntor në platformën “Disney+”. /Telegrafi/