La Fuente jep lajmin e madh për Lamine Yamal në prag të nisjes së Kupës së Botës

Përzgjedhësi i ekipit kombëtar spanjoll të futbollit, Luis de la Fuente, ka theksuar se Lamine Yamal do të jetë gati për ndeshjen e parë të Kupës së Botës.
Yamal humbi fundin e sezonit të klubeve për shkak të një dëmtimi në kofshë, por De la Fuente e përfshiu atë në ekipin kombëtar, duke thënë se ai do të jetë gati për kampionatin.
"Nëse gjithçka mbetet siç është, Lamine duhet të jetë gati për ndeshjen e 15 qershorit, por kjo nuk garanton që ai do të luajë. Ne do ta vlerësojmë situatën në kohën e duhur".

"Jemi të koordinuar plotësisht me klubet, po u japim udhëzime dhe ata po përmirësohen çdo ditë", tha trajneri spanjoll në një konferencë për shtyp.
Nico Williams dhe Mikel Merino janë gjithashtu jashtë për shkak të lëndimeve dhe nuk do të jenë në dispozicion për miqësoren e së enjtes kundër Irakut në La Coruña.

Spanja e hap fushatën e saj në Atlanta më 15 qershor kundër Kepit të Gjelbër, pastaj përballet me Arabinë Saudite në të njëjtin qytet më 21 qershor. Ndeshja e tyre e tretë kundër Uruguait do të luhet në Guadalajara, Meksikë, më 27 qershor. /Telegrafi/


































