LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi miraton Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik

Kuvendi miraton Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.

65 deputetët kanë marr pjesë në votim.

Në mesin e deputetëve të LVV-së, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka abstenuar për këtë Projektligj, përcjell Telegrafi.

Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.

Për të hyrë në fuqi Ligji për Pagat, duhet të nënshkruhet nga presidentja Vjosa Osmani.

Partitë opozitare nuk e kanë mbështetur këtë Projektligj, ku përmes disa amendamenteve të cilat nuk kanë marrë miratim në Kuvend, kanë kërkuar rritje të koeficientit për punëtorë në disa sektorë, si në shëndetësi, arsim e të tjera.

Në Projektligjin e miratuar në lexim të dytë nuk përcaktohet vlera monetare e koeficientit, por thuhet se “vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të Buxhetit”.

Në këtë buxhet nuk është përcaktuar ndonjë vlerë monetare e koeficientit për pagat e punonjësve të sektorit publik.

Me procedurë të përshpejtuar, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar në lexim të dytë edhe Projektligjin për Zyrtarët e Sektorit Publik. Mes kritikave dhe vërejtjeve opozita ka kërkuar që mos të miratohen me nguti këto dy projektligje, ndryshe sipas tyre mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas prezantimit të Projektligjit për Pagat nga ana e Qeverisë, me të zvogëlohet hendeku mes pagës më të ulët dhe më të lartë në vend. Koeficienti më i lartë do të jetë 18 për presidentin, ndërsa më i ulëti do të jetë 3.78.

Ky Ligj i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj. /Telegrafi/