LAJMI I FUNDIT:

Kushtetuta, ligji dhe utilitarizmi partiak

Kushtetuta, ligji dhe utilitarizmi partiak
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Më parë gjatë këtij muaji, përmes një shkrimi jam munduar të argumentoj se pse demokracia në Kosovë, ndonëse e brishtë, është duke funksionuar. Këtë pikëpamje e kam mbështetur në dy fakte: në zgjedhjet e lira dhe ndryshimin e pushteteve pa dhunë, si dhe në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese që reflekton kredibilitet dhe integritet në ndarjen e drejtësisë. Megjithatë, jo rrallë politikanët bëjnë zhurmë duke i kontestuar vendimet e kësaj gjykate, gjë që tregon se këta njerëz operojnë me teori të qarta utilitariste dhe tribale. Për ta, i mirë e i drejtë është vendimi që i favorizon interesat e ‘fisit’ të tyre. Madje, jo rrallë vendimet e Gjykatës kontestohen me mosbindje politike dhe veprime të dhunshme.

Nuk jam kundër mosbindjes politike. Përkundrazi, mosbindjen politike e shoh si indikator të pjekurisë demokratike dhe të ngritjes së nivelit të qytetarisë së një shoqërie. Mirëpo, kjo mosbindje duhet mbështetet në principe, në kauzë civile… ngjashëm p.sh. me modelin e filozofit Henry David Thoreau (1849).


Mosbindja politike, e mbështetur në principe, është shumë më e vjetër; daton që nga koha e Sokratit i cili këtë e pagoi me jetë. Mosbindja e tij paraqet rastin më intrigues të një filozofi, të një kritiku dhe kontestuesi radikal të shoqërisë. U kërkonte athinasve që të ndryshojnë jo këtë apo atë aspekt të jetës politike, por të ndryshojnë kulturën e tyre, të bëjnë revolucion ne mënyrën e jetesës së tyre. Ai u thoshte qytetarëve se jeta e tyre nuk mund të ketë ndonjë vlerë nëse, kur i shqyrtojmë dhe vlerësojmë ndodhitë e ngjarjet përreth, nuk e përdorim ndërgjegjen dhe arsyen tonë personale.

Kjo është njëra anë e mësimeve të Sokratit. Në një dialog tjetër që Platoni e titullon Krito, ai e prezanton vetëdijen e tij. Aty Sokrati flet për dinjitetin e ligjit dhe të rregullit shoqëror. Tek Krito flet ndryshe; flet më shumë me veten dhe ndërgjegjen. Miku Krito i thotë të ikë nga burgu, sepse i ka korruptuar gardianët. Por, ofertën e tij e refuzon, pasi e vlerësonte si dhunim të ligjeve ekzistuese të Athinës. E pyet Kriton, por më shumë veten e tij, se çfarë do të ndodhte sikur qytetarët të liheshin të jetojnë pa ligje, ku secili zgjedhë se cilat do të respektohen e cilat jo. Për të, të veprosh kështu është të vësh në dyshim natyrën e ligjit. Të mos i bindesh ligjit është e barabartë me shkatërrimin e autoritetit të ligjit. Thyerja e një ligji të vetëm, për Sokratin përbënte thelbin e anarkisë dhe paligjshmërisë.

Sokrati shkon edhe më larg se kaq. Ai e bën njëjtësimin e ligjit dhe ‘mendësisë qytetare’. Thoshte se ekzistencën e tij ‘qytetari’ ia detyron ligjit: “Ne ekzistojmë për shkak të fuqisë dhe të autoritetit të ligjeve, zakoneve, traditave dhe kulturës që formësojnë qytetarin”. Ai i bën një interpretim pothuajse ‘biblik’ kësaj rëndësie: “Qytetari është i krijuar, i lindur nga vetë ligjet të cilat ushtrojnë një lloj autoriteti atëror mbi të”. Pra, ço mosbindje e dhunshme ndaj ligjit përbën mungesë devotshmërie ose respekti për gjërat më të vjetra përreth nesh. Ligjet, por edhe shteti, nuk janë veçse si prindërit tanë; ata janë si paraardhësit tanë, baballarët themelues të cilëve u detyrohet respekti dhe devotshmëria.

E kujt duhet ne t’ia detyrojnë respektin dhe devotshmërinë tonë?

Mendoj që respektin dhe devotshmërinë tonë duhet t’ia dedikojmë të gjithë atyre që kanë sakrifikuar për Kosovën dhe për krijimin e shtetit të Kosovës. Çdo përpjekje për të dhunuar ekzistencën e këtij shteti, të Kushtetutës e të ligjeve së saj, paraqet mos respekt, blasfemi dhe sulm direkt ndaj sakrificës dhe idealit të tyre.