LAJMI I FUNDIT:

Ta ruajmë shtetin e Kosovës, sepse s’kemi shtet rezervë

Ta ruajmë shtetin e Kosovës, sepse s’kemi shtet rezervë
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Duke e marrë si shkas vendimin e para dy ditëve të Gjykatës Kushtetuese – që pezullon deri më 29 maj të këtij viti zbatimin e dekretit të presidentit Hasim Thaçi, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës – përmes këtij shkrimi do të mundohem ta jap pikëpamjen time se përse shteti i Kosovës prodhon demokraci. Në mënyrë të veçantë, dua të theksoj se përse duhet ta duam dhe ta ruajmë këtë shtet, me çdo kusht.

Argumentet e mia do t’i mbështesë fillimisht tek teoria e filozofit Karll Popper. Sipas tij, çelësi i një sistemi demokratik nuk është domosdo sundimi i shumicës. Kjo sepse edhe shumica mund të sundojë në mënyrë despotike e tiranike. Çelësi kryesor i një demokracie është shoqëria e cila përmes sistemit zgjedhor arrin të ndryshojë pushtetet politike – nga një formacion politik tek tjetri, pa dhunë dhe pa gjakderdhje.


Nëse këtë interpretim e marrim si të mirëqenë, a mund të themi se funksionon sistemi demokratik i Kosovës? Unë them se po dhe konstatimin tim e bazoj së paku në ty fakte.

Argumenti i parë lidhet me mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, sidomos me mënyrën se si janë menaxhuar rezultatet e tyre. Jo rrallë rezultatet e këtyre zgjedhjeve kanë mundësuar ndryshimin e pushteteve në nivelin lokal, si në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Kamenicë e gjetiu. Shembull edhe më i freskët janë zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Së dyti, Kosova dhe sistemi i saj ka krijuar një traditë të jashtëzakonshme me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është hera e parë që vendimet e kësaj gjykate pranohen pa asnjë kundërshtim nga akterët politikë të Kosovës. Kështu ka ndodhur në vitin 2014, kështu ndodhi edhe para dy-tre ditëve. Besoj se kështu do të ndodhë edhe këtë 29 maj. Dikush mund të mos pajtohet me përmbajtjen e vendimeve të Kushtetueses. Unë p.sh. kam pasë vërejtje me verdiktin e dhënë me 2014, për emërimin e kryetarit të Kuvendit dhe pastaj vonesat që ai interpretim i shkaktonte për të krijuar shumicën parlamentare. Por, fatmirësisht, verdikti është pranuar nga të gjitha subjektet politike.

Megjithatë, të jemi të qartë: nuk jam duke i bërë elozhe demokracisë në Kosovë, sepse nuk ngjason me atë të Norvegjisë apo të Finlandës. Mirëpo, sipas pikëpamjes sime, defekti më i madh i kësaj demokracie është mos prodhimi i një shumice parlamentare që mund të krijojë qeveri kompetente, jashtë traditës kleptokratike dhe autoritare. Kjo demokraci s’po arrin të nxjerrë në sipërfaqe një garniturë pushtetarësh me mendësi civile, të qytetëruar, që institucionet e shtetit nuk i shohin si mjet për promovim të liderëve populistë apo kleptokratë. Besoj që vendit i duhen zyrtarë të dëshmuar në fushën personale, me kredenciale të qarta profesionale. Veç kështu institucionet e shtetit vihen në shërbim të mbrojtjes së lirive dhe të pronës së individit.

Pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës asnjëherë nuk guxojnë të rrezikojnë ekzistencën e institucioneve të shtetit dhe të vetë shtetit. Kjo sepse ky shtet nuk na takon vetëm neve, të gjallëve të sotëm. Ky shtet i takon edhe gjeneratave që do të vinë pas nesh. Çdokush që pandeh që ky shtet duhet të rrëzohet njëherë për toke dhe pastaj të “ringritet”, e ka shumë gabim. Shumica pajtohemi se institucionet e shtetit janë të kapura. Por, e kam të vështirë të besojë që shteti do mund të çkapet me interpretime personale e jashtë zgjedhjeve dhe votës se lirë!

A është në rrezik ekzistenca e shtetit? Nuk them se shtetin e kemi në rrezik. Por, kur dëgjojmë se pushteti duhet të përmbyset me dhunë dhe këtë duhet ta bëjmë përmes mobilizimit të turmave, kjo nuk të lë të qetë. Pa dyshim, gjendja e shtetit tonë nuk është e mirë. Por, a mund të fajësohen veç politikanët për këtë gjendje? Faj kemi të gjithë ne. Faji është individual. Ne si individë shumë lehtë pranojmë të jemi pjesë e turmave që ndjekin individët. A nuk shohim çdo ditë sesi intelektualë e gazetarë, njerëz të fuqishëm të kompanive mediatike, tek rreshtohen pa fije etike krah grupeve politike duke u bërë pjesë e një propaganda të frikshme linçuese!?

Ka shumë nga ta që i frynë zjarrit të së keqes. E lexova një titull të një gazetari që çdo ditë shkruan nga ana e anës dhe shet mend sesi gjoja ‘Gjykata Kushtetuese nuk mund të pastrojë çdo bërllok (mbeturinë) të shkaktuar nga partitë politike’. Për mua kjo është thirrje indirekte për një përmbysje të madhe. Ky dhe shumë si ky që i fryjnë zjarrit, duhet të kuptojnë se shteti i Kosovës dhe institucionet e saja janë të shenjta. Ato para se gjithash janë të qytetarëve të Kosovës, të atyre që frymojnë në Kosovë. Çdo yshtje, çdo stimulim i dhunës në Kosovë është krim, është veprim bandit dhe duhet të dënohet nga të gjithë ne.

E saktë, tash për tash shteti jonë nuk është i fuqishëm e shpeshherë mund të mos jetë në shërbimin tonë. Por, për sa e kemi, e kemi edhe shpresën që një ditë gjërat do të ndryshojnë dhe se edhe ne do ta kemi një qeveri të qytetëruar, me mendësi civile. Deri atëherë, dhe gjatë gjithë kohës, nuk duhet kurrë të harrojmë se: ne që jetojmë këtu, s’kemi shtet rezervë!