Kush po i gënjen qytetarët e Kosovës?!

Hashim Thaçi dhe qeveria e tij nuk bën të gënjejnë qytetarët e Kosovës se 6 Pikësh-i ka vdekur e as demagogjia e kinse shkruarjes së letrës te EULEX-i kur ata e dinë se ç'po ndodh dhe marrin pjesë intensivisht në këtë proces.
Dyshimi i deklaratës se kinse 6 Pikësh-i ka vdekur vjen si rezultat i fakteve të mbledhura aktualisht rreth ngjarjeve të ndryshme që po zhvillohen në gjykatë, dogana dhe polici në pjesë ku kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk respektohet. Vetë EULEX-i ka filluar ta implementojë 6 Pikëshi-n në mënyrë të heshtur kurse tani haptazi është duke negociuar me Beogradin, derisa publikisht në mënyrë demagoge nuk përton të gënjejë dhe lëshon propagandë se nuk po merret me atë çështje.
Sivjet EULEX-i rifilloi punën në gjykatën e qarkut të Mitrovicës që gjendet në pjesë veriore qytetit të ndarë, dhe mori vendim juridik të bazuar nga kushtetuta e Millosheviqit dhe rregulloreve të UNMIK-ut; Pikërisht ky ishte edhe lobimi që Zannier bëri në Washington se "kinse 6 Pikësh-i është e vetmja alternativë për mbijetesën e serbëve".
EULEX-i po ashtu implementoi ndarjen zinxhirore të komandës së policisë, ky zë do të fuqizohet si një realitet. Policët në veri dhe ata në Shtërpcë nuk i përgjigjen fare komandantit rajonal të Policisë së Kosovës. Ata i raportojnë vetëm EULEX-it dhe EULEX-i vetëm formalisht e njofton Policinë e Kosovës për vendimet që janë marrë dhe do të merren si mundësi e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Këtu nuk pyetet fare Policia e Kosovës e as organet e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës për vendimet e rendit ligjor. Kjo është një ndër 6 pikat e Ban Ki-moon-it. Andaj, nuk duhet të jetë e habitshme as deklarata e Bogdanoviqit që Serbia do t'iu bëjë thirrje serbëve të kthehen në polici, sepse komanda në stacionet e vendeve me popullsi shumicë serbe është ndarë pjesërisht dhe do të ndahet përfundimisht nga komanda qendrore e Policisë së Kosovës/Ministria e Brendshme, dhe si rrjedhojë EULEX-i do të jetë ndarësi zinxhiror, ashtu siç e ka krijuar Serbia përmes 6 Pikësh-it.
Politika e frazave dhe mospranimit të realitetit të hidhur nga Qeveria e Kosovës po ashtu i ka dhënë hapësirë Serbisë që ti klonojë sabotuesit dhe ndoshta agjentët sabotues te ardhshëm ndër këta policë. Frika se Serbet e tjerë që janë paraqitur vullnetarisht si aplikantë për t'iu bashkuar policisë, tregon se Serbia mund te humb kontrollin. Ne vend se të merren policë të rinj, këta i sjellin te vjetrit. Së dyti, numri i Serbëve në Kosovë është joproporcional me numrin e pjesëtarëve të tyre në polici. Një popullatë 4% në Kosovë përmban gati 10% të numrit të policëve të Kosovës.
Pikat kufitare në veri do të kthenen në bazë të 6 Pikëshi-t. Kjo është edhe lufta e fundit që po bëjnë serbët me protesta në veri. Pra realizimin e asaj që kërkon që këto fonde të shkojnë ekskluzivisht tek qeveria paralele e tyre në Mitrovicë dhe Serbi, asesi në arkën e shtetit të Kosovës. EULEX-i vetëm sa ka filluar ta zbatojë 6 Pikësh-in. Policia kufitare e Kosovës vetëm njoftohet rreth aktiviteteve. Tani, dy mbledhje janë mbajtur rreth këtij aktiviteti ku edhe përfaqësues qeveritarë ka marrë pjesë në takimin e dytë.
E gjithë puna UNMIK-ut, EULEX-it, ICO-s është zgjerimi i territoreve serbe dhe mbrojtja e interesave të Serbisë. Derisa UNMIK dhe EULEX-it zbatojnë urdhrat e Serbisë në Kosovë, ICO mundohet t'i bind edhe qeveritarë e Kosovës t'i pranojnë këto urdhëra të Serbisë. Të tri këto janë institucione antishqiptare, produkte të Serbisë që kanë për synim shkatërrimin e shtetit te Kosovës.
Derisa roli i UNMIK-ut dhe EULEXI-it do të jetë implementimi dhe fuqizimi i plotë i 6 Pikësh-it në Kosovë, roli i ICO do të jetë decentralizimi apo krijimi i territoreve te reja serbe, kur më pas komunat e tyre do të fillojnë të operojnë të pavarura nga shteti i Kosovës dhe nën komandën e mbikëqyrjen e EULEX-it de fakto UNMIK-ut - Serbisë. Decentralizmi po ashtu do të jetë në linjë me 6 Pikshi-n. Decentralizmi fillimisht është prezantuar si 6 Pikësh në diskutimet statusore në Vjenë të 2006-s. Me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe UNMIK-u filluan të kërkojnë forma të tjera të mbijetesës të këtij të fundit duke e legalizuar EULEX-in prapë nën komandën e tij.
Retorika që Serbia po bën kohëve të fundit duke e arsyetuar ardhjen e EULEX-it madje edhe decentralizmin në mënyrë të heshtur, është se Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe EULEX- që është nën rezolutën e 1244 dhe nuk njeh pavarësinë apo Kushtetutën e Kosovës vepron atje. Derisa këto territore të legalizuara nga qeveria e Kosovës si pasojë e politikës të decentralizmit dhe juridikisht të lidhura si pjesë të Serbisë përmes 6 Pikësh-it dhe rezolutës 1244 po konsolidohen, Kosova (nuk) po mundohet të anëtarësohet në OKB-e e as te konsolidojë sovranitetin e territorit të vet.
Një ndër skenarët më të këqij është kur në momentin që Kosova (apo Territory of Kosovo - kështu mund të jetë emri ynë në OKB si kompromis i ardhshëm) bëhet anëtare e OKB-së, këto territore do të mundohen të shkëputen, sepse 6 Pikëshi qe po implementohet nga EULEX-i dhe decentralizimi që po realizohet nga organizata motër e saj, ICO, krijojnë kushte juridike duke i lidhur këto territore juridikisht me Serbinë dhe jo me Kosovën.
Nuk përjashtoj mundësin e ardhjes së Hashim Thaçit në pushtet në kohën apo moment sepse ndarja e Kosovës ka filluar me 1999 nën regjimin e tij dhe do të përfundojë nën regjimin e tij. Vet organet e shtetit i Kosovës e kanë aprovuar decentralizimin i cili mbikëqyret nga EULEX-i - UNMIK-u - Serbisë duke iu përmbajtur plotësisht Rezolutës 1244 dhe 6 Pikësh-it. Mbani mend këtë deklaratë: "Këto territore nuk mund të mbesin nën legalitetin e anëtarit të ri OKB-së, sepse ajo asnjëherë nuk është përmendur në këtë rezolutë, por vetëm Jugosllavia dhe Serbia. Andaj këto territore i takojnë Serbisë."
Serbia eventualisht kërkon ndarjen dhe decentralizmin. Nëse nuk mundet t'i merr të gjitha territoret së paku veriun mund ketë prapë ku 6 Pikësh-i është plotësisht funksional dhe decentralizmin e aprovuar nga Qeveria e Kosovës, ngase atje asnjë institucion legjitim i Kosovës nuk funksionon. Shtyllat themelore të shtetit, gjykata, dogana, dhe policia nuk funksionojnë nën sovranitetin dhe pushtetin qendror të Kosovës, por të EULEX-it i cili po ashtu nuk njeh as shtetin dhe as kushtetutën e Kosovës, por ato funksionojnë pak a shumë duke përdorur ligjet e Serbisë.
Serbia po krijon elemente të fuqishme juridike në këto pjesë për ta legjitimuar ndarjen. Serbia se pari po i krijon kushtet për ndarje duke e legjitimuar institucionet që nuk respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se dyti vetëm pushtimi ushtarak (policor dhe administrative e ka instaluar) ka mbetur për ta jetësuar brumin e kësaj çështje.
Interpretimi ndërkombëtar do të jetë se 'republika serpska e Kosovës' që Serbia po e krijon me ndihmën e UNMIK-ut, EULEX-it, ICO-s është shumë më fuqishme se ajo e Bosnjës sepse është e aprovuar nga pushteti i shqiptarëve të Kosovës, dhe Serbia si përpiluese e saj, dhe është mbikëqyrur nën EULEX-in që është nën komandën e UNMIK-ut dhe juridiksionit ndërkombëtar serb sipas 6 Pikesh-it i cili është pranuar nga të gjithë përfaqësuesit e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në një të ardhme shumë të afërt, krijimi 'republika serpskës' në Kosovë nuk do të ketë vetëm legjitimitet nga Qeveria e Kosovës permes decentralizmit por edhe ndërkombëtar përmes 6 Pikësh-it dhe rezolutës 1244.
Agjenda e këtyre organizatave si UNMIK,EULEX and ICO të cilat kane fuqi ekzekutive nuk është ndërtimi i Kosovës e as stabiliteti i saj, por thjesht zbatimi i politikës të Beogradit të copëtimit dhe shkatërrimit eventual të Kosovës. E kjo nuk arrihet pa sabotuesit e brendshëm të shtetit josovran dhe joshqiptar të Kosovës. Udhëheqja e politikës së brendshme, ekonomike dhe ajo e jashtme janë pjesëtarë të këtij plani sabotues kundër shtetit të Kosovës. Nuk do të isha habitur që në një të ardhme ta dëgjojë sagën se si u pyet dhe vendosi Beogradi në përzgjedhjen e këtyre njerëzve ne krye të Kosovës.
I tëre thelbi i kësaj ngjarje është se Beogradi merr iniciativa çdo ditë, kurse Prishtina flenë në gjumin e saj dimëror josezonal. Ne nuk sillemi si shtet, sepse populli nuk ka vetëvendosur ne ndërtimin e këtij shteti. Qytetarët e Kosovës duhet të ngritën në protesta masive kundër këtyre armiqve të Kosovës. Princ Vidi (EULEX, UNMIK, ICO), Esat Toptani (qeveria legjitime sipas Princ Vidit) që bëjnë marrëveshje më Serbinë në kurriz të popullit shqiptar të Kosovës. Deri kur do të lejojmë këtë marrëzi antikombëtare?!


































