LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Vizioni ynë, ta bëjmë Kosovën vendin më prosperues në Ballkanin Perëndimor

Kurti: Vizioni ynë, ta bëjmë Kosovën vendin më prosperues në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në shënim të 18 vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se vizioni ynë afatgjatë është të bëjmë Kosovën vendin më prosperues në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se Kosova ka diçka që vendet e rajonit nuk e kanë, dhe ajo është komuniteti i fortë i biznesit nga mërgata jonë, sidomos në Amerikë dhe vendet gjermano-folëse.


“Si Qeveri, dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe odat tjera, synojmë të krijojmë politika dhe ambient të të bërit biznes që mundëson rritje të hovshme dhe të qëndrueshme të Investimeve të Huaja Direkte, eksportit, konkurrueshmërisë së kompanive vendore, startupeve, si dhe infrastrukturës që mundëson rritjen e këtyre të mësipërmeve”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se sektori privat është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit tonë, ndërsa pjesën më të madhe të ekosistemit të sektorit privat e përbëjnë Investitorët e Huaj Direkt dhe kompanitë më konkurruese të vendit.

“Përveç specialistëve sektorial dhe lidhjeve me tregje, jemi duke e shqyrtuar mundësinë e rekrutimit të atasheve ekonomikë për mbi 20 vende të ndryshme në botë, roli i të cilëve do të jetë të krijojnë lista të investitorëve prospektiv, t’i sjellin në Kosovë dhe pastaj do të jetë roli ynë i përbashkët, i Qeverisë dhe odave, që t’i bindim të investojnë këtu”, tha kryeministri.

Ai theksoi domosdoshmërinë e zhvillimit të një të ashtuquajtur harte të vetme të konsoliduar investive për tërë Kosovën.

“Vetëm nga deficiti i gjithmbarshëm i shteteve të BE-së, Kosova mund ta synojë një pjesë të një tregu rreth 120 miliardë euro, përderisa qarkullimi i përafërt vjetor i prodhuesve vendorë është rreth 1.4 miliard euro, apo vetëm 1% e deficitit relevant të BE-së”, tha kryeministri, duke shtuar se mundësitë për prodhuesit vendorë janë të jashtëzakonshme.

Jemi qeveri me dëshirë të madhe për të bashkëpunuar me të gjitha odat e kompanitë vendore dhe të huaja të vullnetit të mirë, ta avancojmë sektorin privat dhe ta bëjmë Kosovën vendin më të begatë në rajonin tonë, tha kryeministri në përmbyllje të fjalës së tij./Telegrafi/