Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar sot një prurje të re në listën e partisë për deputetë.

Kurti ka bërë të ditur se Krenare Çerkini i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje dhe do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e 11-të.


Sipas Kurtit, Çerkini vjen nga Ferizaj dhe përfaqëson një profil të ri lidershipi, duke e përshkruar atë si kombinim të shkëlqimit akademik, angazhimit publik dhe përkushtimit ndaj arsimit dhe rinisë.

Ai theksoi se ajo ka përfunduar paralelisht dy studime bachelor dhe dy programe masteri me sukses të lartë, ndërsa aktualisht po vijon studimet e doktoratës në Bruksel.

Po ashtu, ajo ka përvojë si pedagoge universitare dhe ka marrë pjesë në iniciativa ndërkombëtare në fushën e arsimit dhe rinisë.

“Jam i lumtur që nga sot bëhet pjesë e subjektit tonë fitues për deputete në legjislaturën e 11-të. Mirë se vjen, Krenare!”, ka deklaruar Kurti.