Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka bërë hapjen e konferencës ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026”, e cila po mbahet në Schloss Bensberg të Gjermanisë.

Konferenca shërben si platformë për shkëmbime profesionale, inovacion dhe dialog të nivelit të lartë në fushën e industrisë, digjitalizimit dhe transformimit teknologjik.


Në edicionin e sivjetmë, Kosova po merr pjesë si Shtet Partner, ndërsa përfaqësues institucionalë dhe kompani kosovare janë pjesë e aktivitetit dyditor.

Në fjalën e tij hapëse, Kurti foli për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke falënderuar shtetin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Në Gjermani jetojnë rreth 600 mijë pjesëtarë të mërgatës nga Kosova, të cilët janë mirë të integruar dhe të suksesshëm, përfshirë doktorë, inxhinierë, ndërmarrës dhe punëtorë të aftë”, tha Kurti.

Ai theksoi se Kosova ka potencial të madh të fuqisë punëtore, duke qenë një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë.

“Dekada të migrimit kanë krijuar një gjeneratë të kosovarëve që janë rritur si bilingualë, që flasin shqip dhe gjermanisht, të cilët kanë studiuar në Gjermani, janë trajnuar në Gjermani dhe në shumë raste kanë punuar në Gjermani para se të kthehen në shtëpi”, deklaroi ai.

Kurti shtoi se bashkëpunimi mes kompanive kosovare dhe atyre gjermane lehtësohet edhe nga infrastruktura digjitale në Kosovë.

“Kur ekipi juaj në Prishtinë bashkohet në një video-lidhje me selinë qendrore në Köln ose Frankfurt, nuk ka nevojë për përkthyes. Krejt çfarë duhet është interneti i mirë”, u shpreh ai.

Duke folur për raportet ekonomike ndërmjet dy vendeve, kryeministri në detyrë tha se qarkullimi i përgjithshëm tregtar ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë ka arritur në 1.8 miliardë euro.

Sipas tij, kompanitë gjermane kanë investuar rreth 1.5 miliardë euro në Kosovë, ku 62 për qind e investimeve janë realizuar vetëm gjatë pesë viteve të fundit.

Kurti vlerësoi kompanitë kosovare pjesëmarrëse në konferencë si partnere serioze për tregun ndërkombëtar, me fokus të veçantë në sektorin e teknologjisë informative dhe shërbimeve.

“Kompanitë në këtë dhomë tashmë janë dëshmuar për klientë ndërkombëtarë. Ato kanë përmbushur afatet evropiane dhe kanë ndërtuar ekipe që komunikojnë rrjedhshëm në gjermanisht”, tha ai.

Ai shtoi se këto kompani “nuk janë në fillim të rrugëtimit të tyre”, por ndodhen në një fazë ku partneritetet e reja mund të përshpejtojnë zhvillimin e tyre të mëtejmë. /Telegrafi/