LAJMI I FUNDIT:

Kurti dhe ministrja gjermane Huml flasin për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe arsimit profesional

Kurti dhe ministrja gjermane Huml flasin për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe arsimit profesional

Mundësitë e rritjes së bashkëpunimit me theks në investime ekonomike dhe në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional u diskutuan në takimin që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati me ministren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Bavarisë, Melanie Huml.

Kurti e falënderoi ministren Huml për përkrahjen e vazhdueshme dhe investimet gjermane në Kosovë.


“Në Bavari jeton numër shumë i madh i mërgatës sonë dhe kjo lidhje e fortë është një shans i mirë për shtimin e investimeve të Bavarisë, por edhe të Gjermanisë në përgjithësi”, tha kryeministri Kurti.

Si rezultat i bashkëpunimit të afërt me mërgatën në Gjermani, kryeministri Kurti theksoi marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe “Besa Foundation” në fushën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional. Ky Memorandum i Mirëkuptimit do të mbështetë bashkëpunimin ndërmjet akterëve relevantë, me qëllim të lehtësimit dhe zbatimit të dialogut nacional në Republikën e Kosovës.

“Modeli gjerman i sistemit dual të arsimit është treguar i suksesshëm dhe kryeministri kërkoi që Bavaria të ndihmojë me përvojën dhe përkrahjen në këtë fushë.

Një aspekt tjetër që do të kontribuonte në shtimin e investimeve do të ishte edhe hapja e një zyre ekonomike bavareze në Prishtinë”, tha kryeministri Kurti.

Në njoftim thuhet se ministrja Huml shprehu përkrahjen dhe angazhimin e mëtejmë të Bavarisë për një perspektivë më të qartë për rrugën e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik.

Gjithashtu, ajo përshëndeti renditjen e Kosovës përkrah botës demokratike në sanksionimin e Rusisë, pas invazionit dhe agresionit në Ukrainë, si edhe për gatishmërinë për të pranuar 5000 refugjatë.

Kryeministri Kurti foli për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, ministrja Huml theksoi nevojën për kthimin e vëmendjes dhe riorientimin e investimeve në këtë rajon. /Telegrafi/