‘Kurbetçinjtë’ e Vëllaznimit

Superliga e ka skuadrën kurbetçare dhe ajo është Vëllaznimi. Pothuajse gjysma e futbollistëve titullar janë transferuar në shtetet perëndimore për ta vazhduar jetën andej pari me dashuritë e reja, e për ta lënë dashurinë e vjetër, Vëllaznimin, në Stadiumin e Qytetit në Gjakovë, raporton Arena.
Fillimisht Atdhe Gashi ka shkuar në Zvicër e Shpat Tetrica në Finlandë, këtë javë Arian Jasiqi mori rrugën drejt Zvicrës, ndërsa së shpejti në Gjermani do të shkojnë Ylber Myrta e Roland Duraku. Që të gjithë do ta vazhdojnë jetën me gratë e tyre në kurbet, por sigurisht që do të ketë prej tyre që s’do ta tradhtojnë topin dhe do të provojnë ta vazhdojnë karrierën atje.
Ylber Myrta, i cili ka qenë futbollist shumë i rëndësishëm për mesfushën gjakovare këtë edicion, është duke e pritur ‘ok’-in nga ambasada gjermane.
“Jam duke i pritur letrat dhe pres që ato të më dalin diku pas vitit të ri. Pastaj do të udhëtoj për në Gjermani, ku do ta vazhdojë jetën”, deklaroi ai për gazetën Arena, duke thënë tutje që do t’i mungojë shumë klubi ku u rrit. /Telegrafi/






















































