LAJMI I FUNDIT:

Kur Leze Qena ishte 18 vjeçe: Për probleme në shkollë isha vetë dreqi!

Kur Leze Qena ishte 18 vjeçe: Për probleme në shkollë isha vetë dreqi!

– Shkrim i publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, në vitin 2000, në kuadër të rubrikës “Kur isha 18 vjeç” –

Përgatiti: Luljeta Tahiraj


Atë kohë babai im ka punuar si furrtar. Ishim pesë fëmijë, por babai mua më çmonte shumë. Unë, shpeshherë fshehurazi, shkoja të punoja te disa kushërinj të mi, si “argat” i tyre. Punoja për një palë patika. Sa herë që shkoja atje, të gjithë më bërtisnin duke u munduar që të më bindin se nuk isha për punë të tilla. Me të vërtetë kam qenë e vogël dhe si e re dukesha edhe më fëmijë. Ata të gjithë ishin shtatgjatë dhe unë “hupja” afër tyre. Mezi i bindja që të më merrnin …

Leze Qena është aktore e njohur e Teatrit Kombëtar. Në fillim të karrierës ajo më së shumti ka luajtur role fëmijësh. Ka ndodhur që në të njëjtën shfaqje të luajë nga dy role. Leze Qena nuk e di saktësisht se sa role deri tash ka luajtur, se janë shumë. Por, thotë se nuk ka pasur ditë që nuk ka shkuar për të bërë ndonjë incizim. Lindi dhe rrit në Prizren. Kohën më të mirë të jetës e ka kaluar aty. ”Edhe sot kur e shoh Prizrenin, mallëngjehem për çdo gjë. Më vjen të qaj, më vjen të shkruaj ndonjë poezi, të recitoj, të këndoj ndonjë këngë …”, filloi kështu të flasë aktorja jonë e njohur, për kujtimet, për ditët kur i kishte 18 vjet …

Për herë të parë në teatër …

“Në atë moshë, çdo i ri ishte i dashuruar. Edhe unë kam qenë e dashuruar. Bile shumë, shumë e dashuruar. Ndjehem e lumtur që jam nga Prizreni, ku jam lindur dhe rritur. Kohën më mirë të jetës e kam kaluar aty. Prizreni për mua është sikurse Parisi, sepse të dy vendet fillojnë me shkronjën e njëjtë, ha-ha-ha …

Në lumin Sena mbyteshin njerëzit. Dikush prej dashurisë së madhe, dikush nga ndonjë brengë që kishte. Unë kam qenë aq shumë e dashuruar në atë moshë, pra në moshën 18-vjeçare (por, jo në Xhevatin, se atëherë nuk e kam njohur), sa që çdo mbrëmje dilja buzë Bistricës, ulesha përskaj saj dhe mendoja. Nganjëherë qëndroja në urë, shikoja poshtë dhe thosha me vete: ‘A të mbytem tash …’! I shikoja ata gurë, më dukej aq i thellë lumi dhe pendohesha. Nëse hidhem poshtë vetëm do të sakatohem e nuk do të vdes, ndaj e ndërroja mendimin. Pra, isha aq shumë e dashuruar dhe atë e dashuruar në vetvete. Por, kuptohet, si çdo i ri që është në këtë moshë …

Çdo gjeneratë i ka ato të mirat e veta. Edhe unë mendoj se si gjenerata ime nuk ka askund. Kemi qenë një grup shokësh dhe shoqesh, ku të gjithëve na ka kënaqur çdo gjë. Të gjithë ishim të hareshëm. Unë gjatë asaj moshe jam marrë me sport, pikërisht me atletikë. Më 1953 në Prishtinë e kam zënë vendin e parë. E kemi pasur një akademi solemne në Teatrin Krahinor dhe për herë të parë këmba ime shkeli aty, po atë vit, duke mos e ditur se më vonë do të vij si aktore. Sikur ta kisha ditur se do të vija si aktore, do të isha çmendur nga gëzimi.

Kur hyra në teatër m’u duk sikurse hyja në një shtëpi të shenjtë dhe i thashë vetes sime: ‘Kisha pranuar të vij këtu, pa më paguar asgjë, vetëm të më japin nga një copë bukë sa për të mbetur gjallë dhe një skutë diku sa për të fjetur’. Kurrë nuk kam ëndërruar se një ditë do të jem aktore. As nuk kam shpresuar. Po ta kisha ditur se do të bëhem aktore dhe se më duhet t’i mësoj të gjitha këto tekste, do t’i kisha përfunduar dy fakultete. Kur më propozonin një gjë të tillë, unë kundërshtoja ngase mendoja se nuk isha për teatër, sepse aktorja duhet të jetë e bukur, e gjatë, me të gjitha të mirat. Artisti luan edhe njerëz të bukur edhe njerëz të këqij, të urtë, të pasur, të varfër, jevgj dhe nuk ishte ashtu si kam menduar unë …

Atë kohë babai im ka punuar si furrtar. Ishim pesë fëmijë, por babai mua më çmonte shumë. Unë, shpeshherë fshehurazi shkoja të punoja tek disa kushërinj të mi, si ‘argat’ i tyre. Punoja për një palë patika. Sa herë që shkoja atje, të gjithë më bërtisnin duke u munduar që të më bindin se nuk isha për punë të tilla. Me të vërtetë kam qenë e vogël dhe si e re dukesha edhe më fëmijë. Ata të gjithë ishin shtatgjatë dhe unë ‘hupja’ afër tyre. Mezi i bindja që të më merrnin.

Problemet në orët e mësimit …

A e dini se çka kam punuar?! Kam mbledhur ‘arpagjikë’. Kjo punë mua më dukej shumë zbavitëse. Punoja shumë shpejt dhe e para ia dilja. Në fund më paguanin më shumë se të tjerët. I blija patikat, por edhe babës tim ia dorëzoja ca të holla.

Ai filloi të më bërtiste se pse shkoja dhe punoja atje, se nuk kisha nevojë. Por, unë prapë vazhdoja me atë zakonin tim.

Në atë kohë kam qenë maturante e gjimnazit në Prizren. Isha vetë dreqi, sa u përket problemeve në shkollë. Ah, sikur të kishte pasur kamerë dhe të më incizonin, e ju të më shikonit tash se çfarë kam bërë atëherë, nuk do të besonit!

Në banka kanë qenë të ulur nga dy nxënës, por vetëm në bankën e parë, pranë profesorit kemi qenë tri vajza.

Në orën e profesorit të gjuhës shqipe, Mehmet Vokshit – i cili ka qenë shumë i urtë dhe të cilin e kam dashur shumë, por edhe e kam hidhëruar shumë – kam bërë shumë probleme. Si e kthente kokën në anën tjetër, unë futesha nën bankë dhe shkoja në bankën e fundit ku ishin dy meshkuj. Profesori më shihte, por nuk reagonte. Si e kthente kokën prapë në anën tjetër, unë prapë futesha nën banka dhe dilja në bankën e parë. Dikur fillonte të shikonte në një drejtim dhe thoshte: ‘Pelë, gomaricë, dreq …’, por duke mos m’u drejtuar mua. Unë e dija se fjala ishte për mua. Kur e humbaste durimin më thoshte: ‘Spinaq, dil te tabela’. Kur dilja atje, bëja edhe më shumë probleme, andaj e gjithë klasa qesheshin edhe më shumë.

Në orën e edukatës fizike, profesor e kam pasur Bashkim Fehmiun i cili po ashtu më donte shumë, ndoshta edhe pse isha sportiste e mirë. Bëja probleme të shumta. Kështu, më kujtohet se një ditë u fsheha nën bankën e profesorit që ka qenë e mbyllur anash …

Ai më ka vërejtur shumë mirë që nuk jam në bankë dhe më vonë ka pyetur për mua, por askush nuk ka guxuar të thotë asnjë fjalë. Më preku me këmbë ngadalë dhe filloi të më shtynte. Unë nuk bëzaja. Dikur me zë të lartë më urdhëroi që të dal nga klasa. Kur më ka thënë që të dal përjashta, më shumë kisha dëshiruar që të më rrihte sesa të më urdhëronte në një mënyrë të tillë. U pata prekur thellë në shpirt. Dola jashtë dhe fillova të qaj. Merreni me mend, fajin tim ia gjuaja dikujt mbi shpinë. Më vonë doli nga klasa profesori dhe më urdhëroi që tani të futesha në klasë …

Mbrëmja e maturës dhe patikat e bardha …

Më kujtohët edhe diçka tjetër. Kur pat ardhur për të parën herë në klasë profesori Faik Nushi, si e ka hapur derën dhe ende pa u futur mirë në klasë, unë ia prita: ‘Valla, profesor, në ballë po të shkruan që je shumë nervoz”, por ai menjëherë ma pat kthyer se do të shohim më vonë se jam apo nuk jam. Dhe, kurrë më nuk kam guxuar të flasë asnjë fjalë.

Ka shumë probleme të tilla, të cilat i kam bërë gjatë asaj moshe. Vetëm në orën e sociologjisë, te profesori Xhemil Doda, nuk kam bërë kurrfarë problemi. Ai shpjegonte shumë mirë. Prej atëherë unë e kam kuptuar dhe jam bindur se nëse nxënësi e dëgjon mirë profesorin, nuk ka nevojë më as të lexojë as në shtëpi. Unë vetëm atë e dëgjoja dhe atëherë çdo gjë ishte në rregull me mua. Vetëm matematika nuk më ka shkuar kurrë. Gjithmonë kam mbetur për vjeshtë. Kurrë nuk e kam dashur këtë lëndë. Më vinte shumë keq për këtë nga profesori Riza Paqarizi … As historinë nuk e kam dashur, ngase kishte shumë emra, shumë data, pra kishte diçka të ngjashme me matematikën, numrat, dhe nuk mund t’i mbaja mend.

Unë, kam qenë e angazhuar edhe në korin e gjimnazit. Muzikë na jepte Gani Luboteni. Si fillonim me këngën, unë menjëherë bëja diçka e pastaj pasonte qeshja si gjithnjë dhe kënga prishej. Prapë vazhdonim nga fillimi dhe prapë unë vazhdoja me të njëjtën gjë. Ganiut, dikur i humbi durimi, më ra shuplakë të madhe, por njëherësh edhe u skuq nga turpi. Ka qenë shumë i ndjeshëm. Më kërkoi falje, por unë menjëherë reagova dhe fillova ta pranoj fajin.

Në mbrëmje të maturës kam shkuar me patika. Asokohe shtyheshim se kush i kishte patikat më të bardha dhe më të reja. Kam qenë valltare shumë e mirë dhe djemtë mezi pritnin që të vallëzojnë me dikë që di të luajë mirë. Aty ka qenë edhe Veli Vraniqi. Unë, kur e shihja ndonjë djalë që po niset drejt meje, menjëherë nxitoja tek Veliu dhe e lusja që të vallëzojë me mua. Pas Veliut çmendeshin vajzat dhe ai kishte hall i shkreti se cilën ta marrë. Por, mua kurrë nuk ma ka prishur, gjithmonë më ka ndihmuar …

Në atë kohë kam marrë pjesë në Teatrin e amatorëve të Prizrenit. Më shumë kam luajtur ndonjë pikë baleti, aty këtu ndonjë fjalë. Kur kishim prova, gjithmonë ikja tinëzisht.

Sa u përket simpative … Nuk kam pasur, ndoshta pse nuk kisha kohë, ngase merresha shumë me sport. Tërë ditën qëndroja në sallën sportive. Kam pasur shumë adhurues, por unë ata i shikoja vetëm si shokë. Dhe, ka ndodhur kur i ka pëlqyer shoqes sime njëri prej tyre, ndërsa ai më ka dashur mua. Kur ma pat shprehur dashurinë, sa nuk u çmenda nga hidhërimi. Shkurt, nuk kisha dëshirë ta prishja shoqërinë me asnjërin. I doja dhe i respektoja shumë shokët …

Atëherë dashuria ishte më e ëmbël …

Më ka ndodhur edhe një rast tjetër atëherë, të cilin kurrsesi nuk mund ta harroj. Në sallën sportive festohej nata e Vitit të Ri, ku vendosëm të shkojmë së bashku me disa shoqe. Një i ri, apo më mirë të them një ‘rrugaç’ ishte aty. U afrua pranë meje dhe më tha: ‘Sonte, mos gabo të më humbasësh diku, sonte do të jesh e imja’ dhe u largua pak. Atëherë, mua filloi të më dridhej trupi, gati më lëshuan këmbët dhe mendoja vetëm si të ik tinëzisht dikah. Vendosa të mos ndahem nga shoqëria ime dhe shkuam në qendër të qytetit. Ai në çdo kohë më ndiqte pas. Rastësisht e pata takuar fqinjin tim, me të cilin u ktheva në shtëpi. Gëzimi im, në ato momente kur e pashë fqinjin, ishte i papërshkrueshëm. Edhe sot, kur po e rrëfej këtë ngjarje, po e ndjej një lloj frike.

Dëshira ime më e madhe në atë moshë, e cila nuk më është realizuar, ka qenë që të bëhem balerinë. Por, kushtet kanë qenë të tilla, por edhe nëna ime ishte kundër. E kam një varg të një poezie, të cilën e pata përpiluar aty për aty në një mbrëmje, kur kam qenë e ftuar nga Naim Krasniqi. Tani mund t’ua them këtë varg: Kur isha fëmijë, kisha dëshira njëmijë. E para ishte të bëhem prima-balerinë. Por, kjo dëshirë nuk m’u plotësua.

Aaa … Për aktore s’guxova të mendoj asnjëherë, se mendoja se duhet të dukem si Sofija Loren…

Xhevatin e kam njohur 3-4 muaj para se të shkoja në teatër. Atëherë më ka lidhur dhe kurrë më nuk më ka lëshuar. Xhevati ka qenë shembull, për sjellje …

I porosis të gjithë të rinjtë që mos të dashurohen në vetvete, ngase kjo është gjëja më e keqe. Sot bota ka ndryshuar krejtësisht. Të rinjtë puthen, përqafohen nëpër rrugë, nëpër kafene, nuk e di se si e ndiejnë veten … Në kohën tonë dashuria ka qenë më e ëmbël, ndoshta pse kemi pasur frikë se mund të na shohë dikush, ndërsa sot nuk ka kurrfarë frike. Por, unë gëzohem që 18-vjeçarët nuk i kanë mendtë që i kam unë sot, sepse sikur t’i kishte mendtë e të moshuarve, kurrë nuk kishin ditur të kënaqeshin.

Në atë moshë më ka bërë të lumtur çdo gjë. Kam fluturuar. Nuk e kam ditur se po eci nëpër tokë. Por, kemi bërë edhe shumë gjëra që nuk kanë qenë të lejueshme … Ah! … Të isha edhe një herë 18-vjeçare … Por, jo! Nuk kisha pranuar, ngase shoqërinë nuk do ta kisha. E, po të ktheheshim së bashku të gjithë, po, me gjithë dëshirë … Mirëpo, jeta shkon përpara, nuk kthehet prapa. Mua ajo kohë më duket se ka qenë më e ngrohtë, shumë më e ngrohtë”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Kulture
Rreth romanit “Tmerri” të Arben Kondit

Rreth romanit “Tmerri” të Arben Kondit

Kulture
Bardi i Bruklinit

Bardi i Bruklinit

Kulture
FALJA

FALJA

Poezi
Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut nuk janë origjinale?

Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut nuk janë origjinale?

Kulture
Libri i pashkruar i Petro Markos

Libri i pashkruar i Petro Markos

Kulture
Kalo në kategori