Shumë ujë, fërkim i fortë dhe detergjentet e gabuara mund t’ia prishin ngjyrën, strukturën dhe pastërtinë tepihut tuaj

Tapetet e pastra nuk janë vetëm çështje estetike, por edhe pjesë e rëndësishme e higjienës së shtëpisë. Që të jenë vërtet të pastra, pa alergjenë, pluhur dhe njolla, por edhe që të ruajnë ngjyrën dhe strukturën e fibrave, duhet kushtuar vëmendje mënyrës së mirëmbajtjes.


Ditët e ngrohta janë koha ideale për pastrim të përgjithshëm të shtëpisë, e bashkë me të edhe për larjen e tepihëve, sepse në këtë periudhë ato thahen më shpejt dhe freskohen më lehtë.

Tepihët janë ndër elementet kryesore të enterierit. I japin hapësirës ngrohtësi dhe rehati, por njëkohësisht grumbullojnë lehtë pluhur, papastërti dhe alergjenë. Nëse nuk mirëmbahen siç duhet, mund të bëhen burim i aromave të pakëndshme dhe problemeve shëndetësore, transmeton Telegrafi.

Më poshtë gjeni pesë gabimet më të zakonshme gjatë larjes së tepihëve:

1. Përdorimi i tepërt i ujit gjatë larjes

Një nga gabimet më të shpeshta është përdorimi i sasive të mëdha të ujit. Kur tepihu laget shumë, detergjenti nuk depërton në mënyrë të barabartë në fibra, ndërsa lagështia mbetet për një kohë të gjatë.

Kjo mund të shkaktojë erë të pakëndshme, myk dhe dëmtim të materialit. Moderimi është çelësi – më pak ujë do të thotë tharje më e shpejtë dhe më e sigurt.

2. Përdorimi i mjeteve të gabuara për pastrim

Kimikatet e papërshtatshme mund ta dëmtojnë përgjithmonë tepihun ose të lënë njolla që nuk hiqen më. Çdo material kërkon kujdes të veçantë, prandaj produktet universale nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë.

Është e rëndësishme të lexoni me kujdes deklaracionet dhe të zgjidhni preparate të dedikuara për llojin e fibrave të tepihut tuaj.

3. Fërkimi i fortë i njollave

Fërkimi agresiv i njollave shpesh nuk ndihmon, por shkakton dëme shtesë. Në vend që njolla të hiqet, ajo mund të përhapet ose të depërtojë më thellë në fibra.

Është më mirë të tampononi lehtë dhe ta hiqni gradualisht papastërtinë sesa të fërkoni me forcë.

4. Mosfshirja me fshesë elektrike para larjes

Para larjes, tepihu duhet patjetër të pastrohet mirë me fshesë elektrike. Në fibra grumbullohen pluhur, qime dhe grimca të imta, të cilat pa pastrim paraprak vetëm shpërndahen gjatë larjes.

Pastrimi i rregullt me fshesë elektrike e lehtëson mirëmbajtjen dhe ia zgjat jetëgjatësinë tepihut.

5. Shmangia e pastrimit profesional

Edhe pse tepihu mund të lahet në shtëpi, në disa raste pastrimi profesional është zgjidhja më e mirë. Shërbimet profesionale përdorin pajisje dhe preparate speciale që largojnë papastërtitë në thellësi.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për tepihë të mëdhenj, delikatë ose shumë të ndotur, ku pastrimi në kushte shtëpie nuk mjafton.

Mirëmbajtja e duhur e tepihëve nuk kërkon shumë komplikime, por kërkon kujdes dhe shmangie të gabimeve të zakonshme. Nëse pastrohet siç duhet, tepihu mund të ruajë për vite të tëra pamjen, butësinë dhe pastërtinë, ndërsa shtëpia juaj të mbetet e shëndetshme dhe e këndshme për jetesë. /Telegrafi/