LAJMI I FUNDIT:

Kur flet (dhe këndon) Mentor Mripa!

Kur flet (dhe këndon) Mentor Mripa!

Këngëtar, kontautor, gazetar, moderator dhe kompozitor, ky është mitrovicasi i prishtinalizuar, Mentor Mripa. Ai, ka njëzet vjet që është bërë emër i dëgjuar dhe respektuar i radios, por edhe skenës e ekranit

Modest në jetë, miqësor e virtuoz, por temperament dhe sharmant në skenë e mikrofon, Mripa gjithmonë mbetet i sjellshëm, pedant, i përgjegjshëm dhe profesionist, duke fituar simpatinë e pakufishme të dëgjuesve dhe shikuesve të shumtë. Me mënyrën e komunikimit, qasjen dhe stilin, Mentor Mripa, sakaq të bën për vete dhe si më magji, të dhuron simpati, por edhe energji pozitive.


Mentor Mripa qysh si fëmijë dhe i ri kishte një ylber ëndrrash, shumë prej të cilave, tashmë i ka bërë realitet. Ai, madje këtyre ditëve ka lansuar edhe këngën e tij më të re “Ëndërr”, duke përmbushur, kësisoj pra, edhe një ëndërr të tij. Por, cilat ishin synimet, preokupimet, aspiratat, dëshirat dhe planet për të ardhmen, mësoni nga intervista tepër e veçantë, të cilën e dha më shumë kënaqësi, enkas për Telegrafin.

Mentor, duket se qysh si fëmijë jeni shquar për shkathtësi dhe një vetëbesim, të bazuar në talentin tuaj. Sigurisht askush më mirë se ju, nuk do ta përshkruante fëmijërinë. Si ishte ajo?
Fillimisht ju falënderoj shumë që më përzgjodhët mua të më intervistoni. Jam sinqerisht mirënjohës, sepse portali juaj është shumë i vizituar, i lexuar dhe i pëlqyer. Kam lindur më 1973 në Mitrovicë. 27 vite kam jetuar në pjesën e okupuar. Assesi nuk e pranoj Mitrovicën me dy emra, sepse aty kalova çastet me të bukura të jetës, me gëzimet, dëshpërimet dhe kënaqësitë më të mëdha. Fëmijëria ime, nuk ka ndryshuar asgjë nga fëmijëria e të tjerëve. Më vjen mirë nëse ju vërtet mendoni se jam shquar me ndonjë talent. Vetëbesimin e kam sigurisht dhuratë nga Zoti, i cili, më sprovoi me verbërinë prej lindjes, por m’i dhuroi të gjitha të mirat tjera.

Mentor Mripa - foto ridvan slivova (2)

Meqë e nisëm këtë bisedë nga kujtimet e hershme, a mund t’ia vëni një kapak të artë, kësaj kaptine, poashtu të artë, të fëmijërisë suaj.
Ndoshta kapaku i artë, siç e thoni ju bukur dhe më pëlqeu, është se unë e kuptova pa i mbushur 10 vite jetë se çka dua të punoj në të ardhmen, sepse këndoja gjithkund me familjarë dhe në shkollë, e përcjellja muzikën dhe mblidhja shokët dhe improvizoja se unë isha gazetar dhe i intervistoja ata. Bëheshin figura të njohura, e unë isha moderatori.

Si ka shpërthyer pasioni për këngën dhe nëse mund të themi, kush të ka zbuluar?
Me një xhaxha timin, dëgjonim shumë muzikë. Bashkë me të, gjyshërit dhe prindërit e mi, disi më shtynin që të ec me këngën. Nuk e di se, a kanë besuar se unë në të ardhmen do të jem interpretues, porse kam pasur talent, këtë e thonin gjithkund. Të gjithëve, mënyra ime e këndimit, u pëlqente, përveç meje, sinqerisht.

Ju pra, qysh si i ri, keni hyrë në hullinë e artit të këngës. Si rrodhi karriera juaj, tashmë e begatuar?
Nuk e di se sa është kjo karrierë e begatë muzikore, por unë si fëmijë, shkruaja dhe botoja në Rilindjen për fëmijë, etj. Në klasën e gjashtë, mora shpërblimin e tretë për poezi dhe fitova librin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, nga Rexhep Qosja. Pa e përfunduar klasën e tetë, më është pranuar një këngë në Festivalin “Zambaku i Prizrenit 1988”, si autor i tekstit dhe i muzikës. Nuk e këndova vet, sepse isha shumë i ri, por mund të them, se ky ishte një farë fillimi. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Pejë, meqë jam i verbër, jam shkolluar në Prizren pak dhe më pas në Pejë. Kam qenë pjesëmarrës në Zambakun e Prizrenit, viteve ’93, ’94 dhe ’96, ku kompozitorja Arjeta Daci, mori disa shpërblime për këngën që e këndova unë. Në vitin 1994, bashkë me Teatrin profesional të amatorëve, me “Kabare Kosova”, me skenar dhe regji të mikut tim, Skënder Sadiku, i cili ndikoi shumë në personalitetin tim, morëm vendin e parë në komeditë shqiptare “Presheva ’94”, ku u shpërblye edhe muzika ime, si më e mira. Kam qenë pjesëmarrës edhe në Akordet ’95, ’96, pastaj jam aktori i parë i verbër, që kam marrë pjesë në videofilmin e Adem Mikullovcit “Një pallto për babain tim në burg”. Pas luftës, kam fituar tre herë “Zambakun e Prizrenit” (2000, 2002, 2004), ndërsa më 2006, jam shpërblyer me mirënjohje nga ky festival. Më 2007, e kam fituar shpërblimin e publikut në “Lyra Fest”, Gjakovë.

Njiheni si këngëtar që keni tekstet plot melankoli, dashuri për jetën, por edhe porosi që, jeta sido që të jetë, duhet vlerësuar dhe dashuruar, pa asnjë dilemë. Cilët janë kryesisht adhuruesit tuaj të këngës?
Realisht jam përpjekur që të kem tekste sa më të bukura, për këngë që qoftë i kam kompozuar unë, ose të tjerët për mua, por këndoj dhe kam kënduar edhe këngë të bukura popullore. Dashamirët e mi, mund të jenë njerëz të moshave të ndryshme dhe nuk jam prej atyre që e mohoj muzikën e sotme, Pra, nuk jam përjashtues, për çdo këngë të mirë, pavarësisht zhanrit, sepse unë kam kënduar edhe, psh me Mc Kreshën, Lyrical Son, etj.

Sa këngë keni kënduar deri më tashti, si janë pritur ato?
Të incizuara në forma të ndryshme, i kam nja 60-70 këngë, shumica janë pritur shumë mirë. Jam i kënaqur.

Megjithëse njiheni si këngëtar baladave dhe muzikës së lehtë, ju këtyre ditëve keni realizuar një ëndërr të fjetur dhe keni rilindur këngën “Ëndërr”, të cilën kohë më parë e kishte interpretuar këngëtari Agron Berisha.
Viteve të 90-ta, përmes emisionit për bashkatdhetarët në Radio Tiranë, e dëgjoja gati çdo ditë këtë këngë. E pëlqeja shumë. Dhe, e kisha ëndërr ta realizoja. Agroni, tashmë nuk jeton qe 13 vite, por ja që kënga e mirë, mbetet dhe fillimisht e gjeta. Përmes Ismet Shainit, anëtar i Telex, kontaktova me Naxhijen, gruan e Agronit. I kërkova të drejtën që ta këndoja këtë këngë, dhe ajo me kënaqësi, ma dha këtë të drejtë. Më vjen vërtet shumë mirë që kënga dhe video u prit shumë mirë nga publiku dhe familjarët e Agronit. “Na e riktheve Agronin, përkatësisht, babin”, tha Meritoni, i biri i Agron Berishës! Po ashtu, kam obligim moral ta falënderoj Riza Dolakun për orkestrimin e shkëlqyeshëm.

Përveç këndimit ju keni talent të moderoni emisione të ndryshme dhe mjaft atraktive. Një emision të tillë, prej kohësh e mbani në Radio Kosova. Çfarë shihni të përbashkët në këto aktivitete që i bën njëkohësisht?
Çka të them, unë prej 28 nëntori 1999, me shokët, kemi hapur Radio Mitrovicën, që e kishim si moto “Radio Mitrovica, ura më e fortë mbi lumin Ibër”. Më pas, jeta më dërgoi në Prizren; atje punova në Radiot Besa dhe Helix, ndërsa tash e 14 vite, punoj në Radio Kosovë. E përbashkëta e radios dhe e muzikës, është një dashuri imja e madhe për mikrofonin. Pra, mikrofoni, i lidh që të dyja.

Si e ndërton raportin me dëgjuesit dhe me mysafirët në studio?
Kam një raport shumë të afërt, shumë miqësor me ata që më dëgjojnë, një apo sado që janë ata. Sinqerisht, mund t’ua them, se kurrë nuk më kanë refuzuar mysafirët e ftuar në studio, të cilët përpiqem t’i pres, sikur në shtëpinë time. Pra, emisionin e bëj për mysafirët që ata të tregojnë diçka dhe ndoshta pyetjet e mia, tingëllojnë tepër të thjeshta, ndoshta edhe naive, por esenca është që dua të nxjerrë sa më shumë nga i ftuari.

Mentor Mripa - foto ridvan slivova (1)

Çdo krijim artistik, besoj se duhet të ushqehet vazhdimisht me dashuri dhe emocione të vërteta. Si i ndërlidhni këto dy komponente dhe si vjen ky emocionalitet te ju?
Çdo punë që e bëj, përpiqem ta bëj sinqerisht, qoftë në radio, qoftë me këngët e mia, duke i incizuar në studio, apo duke kënduar kudoqoftë. Nëse mund të kem pasur sukses, në tre klipet e mia solo dhe dy me grup këngëtarësh, është sinqeriteti dhe dashuria maksimale e ofruar nga unë.

Jeni tepër miqësor në një periudhë kur miqtë, dinë edhe të largohen. Tek ju, sikur ndodh e kundërta….
Do të përpiqem të përgjigjem me zhargon sportiv. Gjithmonë luaj fer, natyrisht si çdo qenie njerëzore, edhe unë gaboj çdo ditë, por asnjëherë me qëllim. I dua njerëzi dhe nuk dyshoj asnjëherë në askënd. Miqtë përpiqem t’i ruaj, dhe të mos i mërzis, aq sa është e mundur, sepse të zësh një mik është një pasuri e madhe. Koha mund të ndërrojë, por njerëzit duhet të jenë ata që janë. Jam shumë kundër patetikës, miteve, stereotipeve, shablloneve, etj.

Fati, shpesh din të lozë me njeriun. Megjithatë, duket se nuk ka njeri pa fat. Si ishte fati juaj dhe si vazhdon të jetë?
Fatin tonë e përcakton Zoti i Madh. Gjithsesi edhe unë kam pasur vështirësi në jetë, kam gabuar dhe kanë gabuar ndaj meje, për këtë gjë u kërkoj falje dhe i fal, njëkohësisht, të gjithë. Duhet ta duam punën, assesi nuk duhet të jetojmë në kurrizin e të tjerëve, nuk duhet të pranojmë ndjenjën e dhimbjes dhe, të trajtohemi, njëlloj si të tjerët, pa paragjykime.

Sa ndikon një dhembje apo një histori personale te krijuesi?
Kjo është shumë relative. Sepse, jemi të ndryshëm dhe emocionet i kemi ndryshe-ndryshe. Kështu, edhe mund të ndikojë edhe ndonjë histori, varësisht nga temperamenti. Dikur, ndoshta jam emocionuar; tani emocionohem më shumë për dhimbjen e ndokujt, por gjithmonë, përpiqem të jem sa më i arsyeshëm. Siç thuhet, ‘të mos gëzohem shumë, e as të hidhërohem shumë’.

Megjithatë, njerëzit me karakter të fortë, i mundin të gjitha. Ju tashmë, keni një jetë të stabilizuar, një familje të mrekullueshme dhe një perspektivë të pakontestueshme…
Çdokujt familja e vet i duket më e mira, pavarësisht, që askush prej nesh nuk e ka të lehtë. Mos mendoni se nuk kam probleme, edhe unë, jam pjesë e këtij realiteti, me të gjitha të mirat dhe të këqijat, por, nuk dua ta lodh askënd me hallet e mia, të cilat nuk dallojnë prej të tjerëve. E dua shumë pavarësinë financiare, sepse ajo përcakton pavarësinë individuale. Nuk do të doja të ketë uri askund në botë, pra jam për paqe të mirëfilltë, jo vetëm deklarative.

Keni edhe një sens humori të lindur. Ky e bën sigurisht më atraktiv Mentorin dhe vet emisionin “Pa protokoll”.
Po, më komplimentoni pak si shumë, hahaa. Unë, di shumë barsoleta, por i interpretoj shumë keq. Më të mirë e kam humorin e çastit, sesa t’i interpretoj barsoletat. Emisioni, Pa protokoll, ka lindur qe tre muaj e gjysmë, natyrisht nuk është zbulim i ujit të nxehtë, por është një emision ku nuk ka plan, as program. Është 50 minutash, i cili, kur kam çka të ofroj, fluturon shumë shpejt. Por, nëse më duhet të improvizoj, edhe vetja më mërzitet.

A mund ta shpalosni se, kur ju ka djegur për herë të parë zjarri i dashurisë dhe si?
Hahaha, nuk e di se si, por e di që ka qenë një simpati e atëhershme si 10 vjeçar, më besoni..

A është shuar ai zjarr, apo ende vazhdon si një vullkan në shpirtin tënd?
Ajo, mbeti vetëm simpati, ndërsa, tash, ka shumë dashuri brenda meje.

Thuhet shpesh se një njeri njihet nga virtytet. Cilat janë ato vlera që sipas jush kanë ndikuar që të jeni, ky që jeni?
Në radhë të parë, sinqeriteti, besimi i madh në Zot, çiltërsia, natyraliteti, solidariteti, etj.

…po ndonjë shprehi të veçantë, apo gjëra pa të cilat e përditshmja dhe jeta juaj nuk do të ishte kjo që është?
Jeta juaj nuk do të ishte kjo që është pa iPhone dhe çdo që lidhet me teknologjinë. Apple, e ka të instaluar Voice over, me të cilin, ne të verbrit, punojmë pa problem. Kështu, ne konsiderohemi si njerëz normal, pavarësisht që nuk shohim. Përcjelli shumë futbollin dhe, telekomandat kam dëshirë gjithnjë t’i kem afër duarve të mia, etj.

fk

Mund të na veçoni ca detaje interesante gjatë punës suaj, mëse 20 vjeçare?
Ka shumë…psh. si tinejxher, 16-17 vjeçar kam punuar edhe si DJ në një lokal në Mitrovicë. Por, atëherë punohej me kaseta. Pastaj, fitorja e parë e Zambakut më 2000, erdhi një ditë pas vdekjes së gjyshes sime dhe njerëzit më vinin në shtëpi, për urime dhe ngushëllime.

Ju përmes artit tuaj, vazhdoni me misionin tuaj duke rrezatuar dhe përçuar mesazhe të bukura e njerëzore. Sigurisht, nuk do të ndaleni kurrë. Nëse do ta përmblidhni jetën me një fjali, cila është ajo?
Ne, njerëzit nuk e kemi afatin e gjatë të përdorimit. Njerëzit mund të konsumohen. Sa më të natyrshëm që të jemi në misionin tonë, të cilin unë, ia vë vetes si detyrë, atëherë edhe suksesi nuk do të mungojë, sepse ne nuk jemi asgjë më të mirë, sesa ta që na dëgjojnë. Pra, motoja përfundimtare në emisionin tim është: Natën e mirë, njerëz të mirë, ju njerëz me energji pozitive. Pra, të jetojmë sinqerisht, pavarësisht vështirësive, se më ndihmën e Zotit, do t’ia arrijmë qëllimeve tona.

Po të kishe qenë në një mjedis, a mendon se rrjedha juaj e jetës, do ishte dukur (më) ndryshe?
Ma kanë bërë pyetjen se a do të kishe shkuar diku jashtë Kosovës. Unë, të shkoj e të mos punoj asgjë, më besoni se do të çmendem. Nuk e di se si do të dukej, nuk dua të paragjykoj, por besoj se disa vështirësi, që m’i kanë krijuar njerëzit në jetë, në vendet më të civilizuara se ky i yni, nuk do të ndodhnin.

A ka diçka që keni dashur ta bëni dhe thuani dhe ende as nuk e keni thënë, e as nuk e keni bërë?
Po, s’po e them…sepse ne planifikojmë, por Zoti e përcakton. Më përcjellin sfidat në jetë, kështu vitin e kaluar me insistimin e Prof. Shkurte Berisha, kam shkruar tekstin dhe melodinë, ndërsa Riza Dulaku ka orkestruar këngën me titull “Kënga ime ju jep shpresë”, të cilën e ka kënduar djaloshi 12 vjeçar i verbër dhe me autizëm, Arbëresh Pacolli. Videoklipin së shpejti presim ta lansojmë (duket mision i pamundur, por ne e kemi arritur).

Po të ishte kjo intervistë për radio, si do ta mbyllnit ju?
Flm…Zakonisht, nuk kam dëshirë shumë t’i dëgjoj intervistat e mia, sepse gjej shumë gabime në to. Prandaj, shpresoj ta bëjmë edhe ndonjë intervistë tjetër dhe të jem më i mirë se ky që isha sot. /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë
Xhensila Myrtezaj rrëzohet në skenë, në nisje të performancës: Uroj të mos e keni kapur këtë

Xhensila Myrtezaj rrëzohet në skenë, në nisje të performancës: Uroj të mos e keni kapur këtë

Magazina
Bëhet virale videoja e një “Rap Battle” nga një djal shqiptar dhe një turk në TikTok, merr miliona shikime

Bëhet virale videoja e një “Rap Battle” nga një djal shqiptar dhe një turk në TikTok, merr miliona shikime

Magazina

"Ia ka futur kot në atë pjesë", Adelina Ismaili dhe Saranda Bogujevci kritikojnë qëndrimet e Duda Baljes në Komisionin për të drejtat e njeriut

Magazina
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Sara Hoxha befason me deklaratën: S'kam qenë kurrë bashkëshortja e Ledri Vulës

Sara Hoxha befason me deklaratën: S'kam qenë kurrë bashkëshortja e Ledri Vulës

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Kalo në kategori