Lulzim Basha po përsërit hap pas hapi të gjitha manovrat e Edi Ramës kur ky i fundit, humbi zgjedhjet e vitit 2009. Të enjten në mbrëmje, pas një mbledhjeje të tensionuar të kryesisë, Basha doli para mediave për të shpallur se sa të jetë ai në krye të partisë, fraksionet në PD nuk do të lejohen. Duke thënë këtë, ai u dha fund edhe shpresave tepër të vakta për të mbajtur të bashkuar të gjithë ato figura historike të partisë, të cilëve u ndërpreu në mënyrë brutale karrierën.

Po në të njëjtën mënyrë pat vepruar edhe Edi Rama pas betejës së tij të parë elektorale në krye të socialistëve. Ai përbetohej se në PS nuk do të kishte kurrë fraksione, duke sjellë shembullin e partisë së majtë franceze që u telendis prej tyre.

Por, ngjashmëritë mes mënyrës se si sillen në humbje të dy liderët e partive të mëdha, nuk përfundojnë këtu.

Të dy prishën standardin e vendosur nga paraardhësit, se kryetari i humbur jep dorëheqjen e parevokueshme. Të dy organizuan zgjedhje të shpejta dhe pa pikë reflektimi. Të dy stimuluan konkurrentë fallco për të krijuar idenë e rreme të garës. Të dy u përpoqën të mposhtin zërat kritikë, duke ngritur alarmin se lufta më e rëndësishme është ajo me pushtetin.

E parë nga këndi i interesit publik dhe nga aksioma se nuk mund të ketë një demokraci të shëndoshë, pa një opozitë të fortë, përsëritja e kësaj fabule është një katastrofë. Ajo është një hap më tej drejt konsolidimit të partive personale, ku një njeri vendos për gjithçka, bën dhe listat e deputetëve, vendos dhe emrat e të zgjedhurve lokalë, madje kur ka në dorë emëron edhe krerët e institucioneve kushtetuese (ose deri para miratimit të reformës në drejtësi edhe gjykatësit dhe prokurorët, pasi ka emëruar vetë presidentin e republikës).

Të gjithë e dinë, se kjo tendencë erdhi e u përforcua pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 dhe marrëveshjes Berisha-Rama, e cila në thelb konsistonte në kompromisin: Ai që e merr pushtetin, e gëzon atë të plotë dhe pa kokëçarje.

Rama e ndoqi këtë logjikë dhe megjithëse e pësoi në një palë zgjedhje, por që prej vitit 2013, është përfituesi kryesor i atij pakti i cili po i jep dorë të sillet si një timonier i papërgjegjshëm.

Të njëjtën strategji po ndjek edhe Basha. Megjithëse për shumë kohë përdori retorikën e delegimit të pushtetit dhe dëgjimit të zërit të njerëzve, në praktikë ai po zbaton formulën e Ramës: qëndro në opozitë, mbaj fort partinë, spastro kundërshtarët, komando i vetëm, sepse një ditë lodhja e votuesve nga qeverisja do ta sjellë në pjatë të argjendë pushtetin.

Pra, në këtë pikë, mes Ramës dhe Bashës nuk ka asnjë ndryshim. Kreu i PD-së po përdor të njëjtën rrugë dhe të njëjtat mjete, për të realizuar atë që arriti pesë vite më parë rivali i tij i sotëm.

Por, në këtë nismë aspak kreative për të përsëritur eksperimentin e Rilindjes, Basha harron se bashkimi i të njëjtëve elementë, në mjedise dhe rrethana të ndryshme, nuk të çon domosdoshmërisht në përfundime identike.

Rama që ndoqi rrugën e kapjes fort të partisë, linçimit të kritikëve dhe avancimit të një projekti personal, humbi me një diferencë të vogël me PD-në. Ai edhe kur u mund, nuk e pati kurrë larg shpresën e fitores. Dhe kjo jo për meritë të tij. Por për faktin e thjeshtë se shifrat kanë treguar që të majtët janë shumicë në këtë vend.

Për t’i mundur ata, Berishës i është dashur të bëjë domosdoshmërish dy gjëra. Së pari të bashkojë deri më një radhët e veta dhe së dyti të arrijë të përçajë në maksimum pasardhësit e Partisë së Punës.

Por, projekti personal, përçarës dhe aspak shpresëdhënës i Bashës ka pak gjasë t’a arrijë këtë. Ndaj nëse vazhdon të kopjojë modelin e Ramës, ai nuk përbën vetëm një rrezik për interesin publik. Ai është gjithashtu edhe një kërcënim për të vetët. Sepse duke u përpjekur t’i ngjajë Ramës në mjete, ai mund të mbetet një kopje e tij e keqe në qëllime.

Dhe kjo mund ta gremiste PD, gjithnjë poshtë e më poshtë… sado e unifikuar dhe pa fraksione që të mbetej rreth Bashës.