Kthehet nga ekskurzioni dhe pa stërvitje shënon dy supergola – ky është Meritoni, Ronaldo i Kosovës

Meriton Korenica, për të cilin kemi raportuar kohë më parë për supergolat e tij nga gjuajtja e lirë, nuk ka dhënë shenja se e ka ndërmend të ndalet.
Por, Liga e Parë në këtë fundjavë ishte pak më e jashtzakonshme.
KF Rahoveci siç dihet shënoi fitore me rezultat 4-1 ndaj Dukagjinit në stadiumin “Seljadin Mullabazi – Mici”. Në këtë takim sërish shkëlqeu Meriton Korenica, 17 vjeçari i cili po shënon dhe po asiston në çdo ndeshje për ekipin e tij.
Video: Dy supergola nga gjuajtja e lirë nga Meriton Korenica, Ronaldo i Kosovës!
Më pak se 24 orë pasi është kthyer nga ekskurzioni dhe pa asnjë stërvitje, Meritoni 17 vjeçar tregoi kapacitetet e tij të jashtëzakonshme, duke realizuar dy supergola, një prej tyre nga një goditje volej, për të konfirmuar se ai jo më kot konsiderohet Cristiano Ronaldo i Kosovës. E për këtë, tashmë janë alarmuar gjigantët e futbollit kosovar, si F.C. Prishtina e selektori Albert Bunjaku, të cilët pritet të kërkojnë 17 vjeçarin sensacional.
Meritoni vazhdon të mbetet top golashënuesi i KF Rahovecit në Ligën e Parë, teksa e konfirmoi se është një prej talentëve më të mëdhenj në futbollin e Kosovës, e që i takon skenave të mëdha të futbollit botëror. /Telegrafi/



















































