Kryetari i FIBA-s jep premtime për basketbollin kosovar

Në këtë takim joformal, i pari i FBK-së, Erolld Belegu, ka shfrytëzuar rastin të njoftojë kryetarin e FIBA-së për zhvillimet e fundit në basketbollin dhe sportin e Kosovës, për përparimet e fundit që janë bërë në aspektin e ndërkombëtarizimit të sportit, përfshirë këtu edhe pranimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, me pranim të plotë në Federatën Evropiane. I pari i FIBA-s nga ana e tij u shpreh i kënaqur me faktin që takohet me drejtuesit e FBK-së dhe është në gjendje të marrë informata nga dora e parë për basketbollin e Kosovës.
Tutje, Belegu është shprehur i lumtur me takimin e kryetarit të FIBA-së, duke thënë se shumë shpejt pritet të takohen edhe në mënyrë zyrtare. “Ka qenë një takim shumë konstruktiv edhe pse jo formal, meqë Muratore në mënyrë zyrtare do të na pret në fillim të vitit të ardhshëm. Sidoqoftë, premtimi i tij se personalisht do të angazhohet për të shikuar se çka mund të bëhet më shumë në rastin e Kosovës, është shumë domethënës dhe i mirëseardhur,” ka deklaruar Erolld Belegu, pas këtij takimi.
Kryetari i FBK-së gjatë ditës ka pasur edhe një takim me drejtorin sportiv të FIBA-së, Lubomir Kotleba, i cili njëherësh është edhe njeriu përgjegjës për FBK-në në FIBA. Belegu e ka informuar edhe drejtorin Kotleba për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe është njoftuar nga Kotleba për zhvillimet e fundit pas kongresit të FIBA-së të mbajtur në Spanjë. Delegacioni i FBK-së që po qëndron në Stamboll në Kampionatin Botëror për Femra. Në agjendë ka edhe takime me drejtues të tjerë të lartë të FIBA-së gjatë dy ditëve të ardhshme, kur në program janë ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja që zhvillohet të dielën. /Tribuna/Telegrafi/



















































