LAJMI I FUNDIT:

Kryetari Ahmeti dhe drejtori i Urbanizmit tregojnë se së shpejti fillon legalizimi i ndërtimeve pa leje

Kryetari Ahmeti dhe drejtori i Urbanizmit tregojnë se së shpejti fillon legalizimi i ndërtimeve pa leje

Komuna e Prishtinës brenda vitit 2018 ka lëshuar mbi 180 leje ndërtimore, por problem vazhdon të jetë mos-pajisja me certifikatë për përdorim për objektet e ndërtuara.

Në në një konferencë për media ku kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se po e nisin një seri të konferencave për media ku drejtorët e kësaj komune do prezantojnë punën e tyre.


Ahmeti theksoi se komuna e Prishtinë çdo vit lëshon mbi 180 leje ndërtimore dhe se sipas tij nga tani inspektorati i kësaj komune nuk do të lejoj banimin në ndërtesat që nuk kanë certifikatë për pranim teknik dhe atë për përdorim.

“Problemin më të madh momentalisht e kemi me faktin se shumica e ndërtesave një përqindje tepër e madhe nuk e kanë certifikatën e përdorimit, me ligj asnjë banor nuk do të duhej të banonte në ndërtesat që nuk kanë certifikata të përdorimit, kjo do të thotë se shumica nuk e kanë kaluar përdorimin teknik çoftë për shkak të mos aplikimit dhe ky është problemi kryesor, dhe thjesht në ligj nuk kemi kurrfarë si me thënë detyrimi që i detyrojnë pronarët e këtyre ndërtesave me aplikua. Tash e tutje inspeksioni nuk lejon që të hyjnë në banesë të re nëse nuk e kanë certifikatën për pranimin teknik dhe certifikatën e përdorimit”, ka thënë Ahmeti.

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se së shpejti do të fillojë edhe legalizimi i ndërtimeve pa leje.

Punën e drejtorisë së Urbanizmit në komunën e Prishtinës për vitin 2018 dhe planet për 2019 i shpalosi i pari i kësaj drejtorie, Ardian Olluri i cili tha se në vitin 2018 janë dhënë leje për ndërtim mbi 860 mijë metra katrorë.

Edhe Olluri tha se kanë pranuar pak kërkesa për certifikatë të përdorimit, ku vetëm në vitin 2018 kanë qenë 23 kërkesa, ndërsa në këtë fillim të vitit janë bërë vetëm 5 kërkesa.

“Janë trajtuar 2749 kërkesa administrative, prej të cilave janë përfunduar me akte administrative 1732 kërkesa. Nga këto akte 186 janë leje ndërtimore, 103 leje ndërtimore të kategorisë së parë dhe 83 leje ndërtimore të kategorisë së dytë.Sipërfaqja totale ndërtimore e lejuar gjatë vitit 2018 është 869 mijë e 20 metra katror. Në vitin 2017 janë lëshuar 176 leje ndërtimore dhe janë lejuar 563 mijë e 390 metra katror. Dallimi është 10 leje ndërtimore më shumë të lëshuara në vitin 2018, ndërsa dallimi e sipërfaqes ndërtimore është 350 mijë 701 metër katror. Numër të vogël të kërkesave kemi pasur për certifikata të përdorimit, kemi pranuar vetë]m 23 kërkesa prej të cilave 17 janë përfunduar në vitin 2018 dhe 6 janë procedura këtë vit. Edhe në këtë vit nuk po duket gjendja më e mirë, prapë ne këtë vit i kemi vetëm 5 kërkesa”, ka thënë ai.

Olluri po ashtu tha se kanë lehtësuar aplikimin për leje ndërtimor, ndërsa parlajmëroi se së shpejti do të publikon edhe listat e lejeve për ndërtim,
“Ne kemi filluar me e publikuar komplet procesin e pajisjes me kushte ndërtimore, pra pas aplikimit për kushtet ndërtimore ne vendosim njoftimin publik në parcelën për të cilën kërkojnë kushtet ndërtimore, në rrugën afër parcelës, rrugën publike dhe në web faqen e komunës, pastaj komentet që i pranojmë nga pala e interesuar dhe përgjigjet e drejtorisë së urbanizimit i publikojmë në web faqen”, ka shtuar ai.

Drejtoi i Urbanizmit në Prishtinë tha se për vitin 2019 kanë planifikuar 7 projekte që kanë kosto financiare dhe gjashtë projekte që nuk kanë kosto financiare. /Telegrafi/