Kryesia e Vëllaznimit si Qeveria e Kosovës

Në 16 ndeshje të stinorit vjeshtor, Vëllaznimi arriti të tubojë 19 pikë, duke përfunduar në pozitën e tetë. Analistë të ndryshëm vlerësojnë se gjakovarët kanë mundur të arrijnë më shumë.
Mirëpo, duke parë situatën në klub, nga ‘kuqezinjtë’ nuk është pritur më shumë. Kjo për shkak se futbollistët nuk janë paguar që tre muaj dhe motivi te ta nuk ka qenë në nivelin më të lartë. Këtë e kishin shprehur lojtarët disa herë në deklarimet e tyre për gazetën SportPlus. Madje, ata ishin të revoltuar për mosinteresimin e kryesisë së klubit. E këtë revoltë e ka shprehur edhe mesfushori, Alban Dylazeka.
“Nuk kemi marrë paratë për tre muaj. Nuk jemi duke e ditur se çka po ndodhë. Askush nga kryesia nuk po vjen për të na treguar situatën. Kryesia ka humbur si Qeveria e Kosovës. Nuk ka interesim”, ka thënë Dylazeka për SportPlus. /Telegrafi/






















































