LAJMI I FUNDIT:

Kroacia pritet t’i bashkohet Eurozonës në janar të 2023-së

Kroacia pritet t’i bashkohet Eurozonës në janar të 2023-së

Kroacia beson se do të jetë gati të bashkohet me Eurozonën në janar të vitit 2023.

Kështu ka deklaruar kryeministri Andrej Plenkoviq, duke shtuar se vendi do ta ruaj stabilitetin financiar.


“Lidhur me kohën që Kroacia do të kalojë në ERMII, ne jemi të bindur se gjatë pjesëmarrjes së saj në mekanizëm, do të ruajmë stabilitetin e kursit të këmbimit dhe do të jemi gati të bashkohemi me Eurozonën më 1 janar 2023”, tha Plenkoviq.

Vendi buzë detit Adriatik, me 4.4 milionë banorë, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2013, hyri vitin e kaluar në Mekanizmin Evropian të Shkëmbimit (ERM-2), i cili është si një “dhomë pritjeje” për hyrjen në Eurozonë.

“Integrimi në Eurozonë dhe në zonën Schengen janë përparësitë strategjike për qeverinë. Falë hyrjes në Eurozonë, rreziku i monedhës dhe kostot e lidhura me kursin e këmbimit do të zhduken, normat e interesit do të bien, investimet e huaja do të inkurajohen, opsionet për financim në tregjet e kapitalit do të rriten dhe vlerësimi i kredisë së vendit mund të përmirësohet me 2 për qind”, shtoi ai.

Kjo gjë do të lehtësojë eksportet dhe ardhjet e turistëve nga Eurozona. Qeveria parashikon rimëkëmbje ekonomike prej të paktën 5 për qind dhe një rritje reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 6.6 për qind vitin e ardhshëm.

Qeveria parashikon të ulë borxhin publik nga 88.7  për qindtë PBB-së në vitin 2020 me 2 për qind në vitin 2021 dhe me midis 3 për qind dhe 4 për qind në vit deri në vitin 2024, e cila është dy herë më shpejt sesa përcaktohet zyrtarisht në kriteret e Mastrihtit. /Telegrafi/