LAJMI I FUNDIT:

Krimet e komunizmit, 35 varre masive dhe mbi 6 mijë të zhdukur

Krimet e komunizmit, 35 varre masive dhe mbi 6 mijë të zhdukur

A do gjenden ndonjëherë të zhdukurit e diktaturës komuniste? Cilat janë zonat kur do të nisin gërmimet në shtator dhe a po e pengon prokuroria punën e organizatës ndërkombëtare që merret me zhvarrimet? 

Në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, MAPO intervistoi zotin Luigj Ndou, kreu i Marrëdhënieve me Qeveritë për Shqipërinë dhe Kosovën pranë ICMP-së për të mësuar më shumë se si po shkon marrëveshja e kësaj organizate me qeverinë shqiptare dhe a ka ndonjë hap para për realizimin e zhvarrimeve e gjetjen e të zhdukurve.


Anash lumenjve, në male apo dhe pranë fshatrave të banuara gjenden varre të humbura të përdorura nga sigurimi i shtetit e policia e kohës komuniste për pushkatimin dhe më pas varrosjen e kundërshtarëve politikë. Kjo praktikë nisi që në vitet e para të vendosjes së diktaturës komuniste dhe u përdor deri në fund të saj duke shënuar të paktën 35 varre masive dhe mbi 6 mijë të zhdukur, të pushkatuar nga regjimi i kohës ose të vdekurit në burgje e kampet e internimit.

Por shifrat zyrtare të mësipërmeve që kanë dalë nga institucionet përkatëse mund të jenë shumë më të larta.Shpresa për t’i gjetur këta njerëz të zhdukur me forcë është e vakët edhe pse në Tiranë prej disa vitesh është ngritur zyra e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), një organizatë që ka ndihmuar në gjetjen e të paktën 70 përqind të personave të zhdukur nga luftërat në Ballkan pas vitit ‘90.

Në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, 30 Gusht, Mapo intervistoi zotin Luigj Ndou, kreu i Marrëdhënieve me Qeveritë për Shqipërinë dhe Kosovën pranë ICMP-së për të mësuar më shumë se si po shkon marrëveshja e kësaj organizate me qeverinë shqiptare dhe a ka ndonjë hap para për realizimin e zhvarrimeve e gjetjen e të zhdukurve. ICMP është e varur nga vullneti i institucioneve shqiptare, kryesisht të prokurorisë që nxjerr urdhëresat përkatëse për të kryer zhvarrimet.Aktualisht ICMP është përqendruar në zbatimin e pilot-projektit të BE-së në lidhje me dy lokacione specifike, Dajt dhe Ballsh.

Zoti Ndou, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) ka ratifikuar një marrëveshje me Shqipërinë në vitin 2018 për gjetjen e të zhdukurve gjatë periudhës komuniste në vend. Pse erdhi kaq vonë një marrëveshje e tillë kur sistemi diktatorial ra që në vitin 1991?

ICMP u ftua nga Autoritetet Shqiptare në vitin 2015 për të shqyrtuar mundësinë e ndihmës në procesin e kërkimit dhe identifikimit të të zhdukurve gjatë epokës komuniste. Filloi një konsultim me autoritetet shqiptare dhe marrëveshja midis ICMP dhe Këshillit të Ministrave, pasi kaloi procedurat ligjore, u ratifikua nga Parlamenti shqiptar në Nëntor 2018. Është e rëndësishme të theksohet se procesi i personave të zhdukur është kompleks dhe afatgjatë. Në shumë vende ky proces zgjat me dekada.

Me çfarë vështirësish po haset zyra e ICMP-së në Tiranë? A keni arritur të identifikoni të gjitha vendvarrimet e përdorura nga sistemi komunist për pushkatimin e të dënuarve politikë? Sa janë në total dhe si janë shpërndarë? Sipas të dhënave zyrtare Shqipëria kishte në periudhën e diktaturës 23 burgje dhe 48 kampe internimi. Gjatë sistemit komunist u burgosën dhe u pushkatuan nëpër burgje gjithsej 6535 viktima. Sipas të dhënave tuaja varret e përdorura nga sistemi komunist kanë qenë gjithmonë afër burgjeve dhe kampeve apo janë përdorur dhe vende të tjera për këtë gjë?

ICMP është përqendruar aktualisht në zbatimin e pilot projektit të BE-së në lidhje me dy lokacione specifike, Dajti dhe Ballsh. Siç mund të jeni në dijeni, në vitin 2010 familjet në kërkim të të afërmve gërmuan vendvarrimin pranë Tiranës dhe zhvarrosën të paktën 13 grupe mbetjesh njerëzore. Zona në Ballsh ka të bëjë me burgun e epokës komuniste, ku të burgosurit ishin varrosur në varre të pa shënjuara. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, 30 Gusht, vitin e kaluar në Tiranë, ICMP prezantoi “Gjurmuesin e Vendvarrimeve”.

Ky aplikacion është përfshirë në faqen e internetit të Autoritetit Shqiptar për hapjen e dosjeve nga epoka komuniste. Qëllimi i kësaj është të mundësojë të gjithë individët që kanë në zotërim informacion në lidhje me varret e mundshme që t’i raportojnë përmes këtij mjeti në internet. Përmes Gjurmuesit te Vendvarimeve, 11 lokacione të mundshme janë raportuar në ICMP. Një 24 lokacione të tjera të mundshme janë raportuar në Institutin Shqiptar për Integrimin e të Përndjekurve Politikë (IIPP) dhe Autoritetit për hapjen e dosjeve të epokës komuniste.

Është e rëndësishme të theksohet se informacioni i dhënë, kryesisht nga familjet, mbi varret e mundshme duhet të hetohet siç duhet nga autoritetet në mënyrë që të vërtetojnë faktet. Këto vende janë të vendosura në të gjithë Shqipërinë, nga Saranda në Shkodër, dhe më së shpeshti janë afër kampeve të burgjeve, objekteve ushtarake, lumenjve dhe vendeve të ngjashme. Siç kam thënë tashmë, të gjitha pretendimet e besueshme në lidhje me varret e mundshme duhet të hetohen nga autoritetet para se të fillojë ndonjë punë në terren.

A ka një ndërgjegjësim dhe interesim të familjarëve të të humburve për gjetjen e eshtrave të të afërmeve të tyre? Sa njerëz janë interesuar deri më tani pranë ICMP-së?

ICMP është i vetëdijshëm për përpjekjet individuale të familjeve për të kërkuar të afërmit e tyre pas rënies së regjimit në 1991. Në shumë raste, bazuar në informacione të ndryshme, familjet organizuan zhvarrosje dhe identifikime individuale, pa aplikuar asnjë lloj metodë shkencore. Kjo është hera e parë që Institucionet shqiptare i janë drejtuar çështjes në një mënyrë sistematike, duke marrë kërkesa nga familjet për të filluar hetimet e personave të zhdukur. Në këtë drejtim, që nga nëntori i vitit 2018 rreth 610 raste të personave të zhdukur janë raportuar në ICMP (Zyra në Tiranë ose përmes Qendrës së Hetimit Online), Institutit për Integrimin e të Përndjekurve politikë dhe Autoritetit Shqiptar për hapjen e dosjeve tëepokës komuniste.

Shumica dërrmuese e këtyre rasteve u raportuan në IIPP. Ndërkohë, ICMP mblodhi 42 mostra referimi familjare në lidhje me Projektin pilot të Dajtit dhe Ballsh. Sidoqoftë, Volumi i problemit është shumë më i madh duke pasur parasysh të dhënat zyrtare. ICMP ka qenë në gjendje të rishikojë të dhënat zyrtare të autoriteteve shqiptare dhe është e rëndësishme të përmendet se sipas të dhënave zyrtare, gjatë diktaturës 5,548 individë u ekzekutuan me ose pa gjyq dhe trupat e tyre nuk u kthyen kurrë në familjet e tyre.

Gjithashtu gjatë diktaturës, 987 individë vdiqën në burgjet në Shqipëri. Për më tepër, 619 raste të personave të ekzekutuar janë në shqyrtim nga autoritetet shqiptare; këto janë raportuar nga familjet, por nuk kanë përmbushur kriteret ligjore për regjistrim bazuar në Ligjin për Kompensimin. Këto shifra tregojnë rrugën e gjatë përpara për autoritetet nëse duan të merren me çështjen e të zhdukurve në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe sistematike. Dua të shfrytëzojë këtë mundësi që edhe njëherë ti bëj thirrje të gjithë familjarëve të cilët pretendojnë se të afërmit e tyre janë ekzekutuar në Dajt dhe atyre familjeve të afërmit e të cilëve kanë vdekur në Burgun e Ballshit që të vijnë në zyrën e ICMP në Tiranë (Rruga AbtiToptani) dhe të japim kampionët e gjakut për analizat e ADN-së në mënyrë që të kemi sa më shumë viktima të identifikuara.

ICMP punon në gjithë botën për gjetjen e të zhdukurve dhe prej kësaj pune janë zhvarrosur dhe identifikuar mijëra të humbur nga lufta në Bosnjë dhe Kosovë, etj.  Sa specifike është puna në Shqipëri? Çfarë vështirësish hasni? Sa kohë u duhet të presin akoma të afërmëve për një varr ku të qajnë familjarin e tyre?

ICMP aktualisht po implementon Pilot Projektin e financuar nga BE në lidhje me vendvarrimet e Dajtit dhe Ballsh dhe ky është përparësia jonë tani. Sidoqoftë, ka pasur disa kërkesa nga familjet që humbën të dashurit e tyre në vende të tjera, burgu i Burrelit për shembull. Autoriteteve shqiptare u takon të vendosin se si të procedojnë me lokacione të tjera, si Burreli. ICMP është në Shqipëri të ofrojë asistencë teknike për autoritetet në kuptimin e  Antropologjisë dhe Arkelologjisë Mjeko Ligjore, ADN-së dhe ndërtimit të institucioneve. Ne nuk jemi në Shqipëri për të zëvendësuar autoritetet, kështu që i takon autoriteteve të japin përparësi për nevojat e tyre.

ICMP u krijua me iniciativën e Presidentit amerikan BillKlinton në 1996 në Samitin G-7 në Lyon, Francë. Marrëveshja e Paqes në Dejton, e cila përfundoi luftimet në ish-Jugosllavi, ishte në vitin e parë të zbatimit dhe mandati fillestar i ICMP ishte të ndihmonte kërkimin për afro 40,000 personat që ishin të zhdukur si rezultat i luftimeve nga 1991 deri në 1995.

Deri sot , ICMP ka ndihmuar qeveritë në rajon të gjejnë më shumë se 70 përqind të atyre që ishin të zhdukur. ICMP u bë një organizatë ndërqeveritare me bazë traktati kur u nënshkrua Marrëveshja e ICMP, e nënshkruar fillimisht nga pesë qeveri, në fund të vitit 2014. Mandati i saj është të sigurojë bashkëpunimin e qeverive dhe të tjerëve në gjetjen e personave të zhdukur nga konflikti, abuzimet e të drejtave të njeriut, fatkeqësitë natyrore , krimi i organizuar, migracioni i parregullt dhe shkaqe të tjera dhe për t’i ndihmuar ata në këtë mënyrë. Është e vetmja organizatë ndërkombëtare që ka si detyrë ekskluzivisht të punojë për çështjen e personave të zhdukur.

Ajo operon strukturën kryesore të identifikimeve njerëzore me ADN me kapacitetin më të lartë në botë. Deri më tani, më shumë se 20,000 persona të zhdukur nga e gjithë bota janë identifikuar duke përdorur ADN me ndihmën e ICMP.

Me ndihmën e ICMP, vendet në Ballkanin Perëndimor kanë krijuar institucione të specializuara dhe kanë hartuar legjislacion që mundëson procese efektive të personave të zhdukur. Në Shqipëri, ekziston nevoja për të fuçizuar kapacitetet e institucioneve që merren me këtë çështje. Kjo do të kërkonte më shumë mbështetje për institucione të specializuara siç janë IIPP, Instituti për Mjekësi Ligjore, Laboratori Shkencor i Policisë dhe institucione të tjera. Zyrat kompetente të prokurorisë gjithashtu duhet të forcohen.

Mungesa e kapaciteteve në Shqipëri është një sfidë e madhe jo vetëm për ICMP, por edhe për familjet që presin përgjigje gjithashtu. Deri tani, për shembull, një urdhër gjyqësor për gërmimet në Dajti dhe Ballsh nuk është lëshuar dhe ne nuk kemi marrë ndonjë shpjegim të arsyeshëm për këtë.Meqenëse procesi i personave të zhdukur është shumë kompleks dhe përfshin institucione dhe organizata në nivele të ndryshme, nevojitet vullnet i qartë politik për të mbajtur një proces efektiv.

Kjo është e nevojshme për hetimin efektiv të çështjeve individuale, alokimin e burimeve financiare dhe njerëzore në institucionet e specializuara, dhe forcimin e kapaciteteve teknike të IIPP, IML, dhe Zyrat e Prokurorëve. E gjithë kjo është e nevojshme për të dhënë llogari për të zhdukurit gjatë epokës komuniste dhe në këtë mënyrë të mundësojë shumë familje të marrin përgjigje për të afërmit e tyre të zhdukur./MAPO