Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Klement Zguri, në një konferencë për shtyp prezantoi sot rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 25 qershorit, sipas të dhënave të mbërritura në KQZ.

“‘Sot, në ora 19:00 u mbyll numërimi i kutisë së fundit për zgjedhjet për kuvendin në KZAZ-në, nr. 35, të qytetit të Tiranës. Me rezultatin e kësaj kutie përfundon procesi i numërimit dhe tabulimit të rezultateve në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky tabulim tregon së në këto zgjedhje në Shqipëri, kanë marrë pjesë në votim 1.613.087 zgjedhës, ose 46,72 % e numrit të përgjithshëm”, theksoi Zguri.

Zguri bëri të ditur se numri i përgjithshëm i votave të vlefshme ka qenë 1.580.778. Votat janë ndarë sipas subjekteve elektorale si vijon:

Partia Socialiste 763 999 vota, ose 48.33 përqind të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, e kthyer në 74 mandate, Partia Demokratike 455 481 ose 28.81 përqind, 43 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim 225 678 vota, ose 14.28 përqind, 19 mandate, Partia Drejtësi dhe Unitet 75 938 vota ose 4.8 përqind, 3 mandate dhe Partia Social Demokrate 14 988 vota, ose 0.95 përqind, 1 mandat.

“Partitë e tjera, të cilat nuk kanë kaluar pragun elektoral kanë marrë në totalin e tyre 44661 vota, ose 2.8 përqind të votave të vlefshme”, theksoi Zguri.