Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar aktivitetin e prokurimit për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2026.

Sipas njoftimit zyrtar të datës 12 maj 2026, procedura e prokurimit është anuluar pasi nuk është pranuar asnjë ofertë nga operatorët ekonomikë.


Në dokument thuhet se anulimi është bërë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik, të cilat kërkojnë anulimin e aktivitetit të prokurimit kur nuk pranohet asnjë tender.

Kontrata ishte paraparë të realizohej si marrëveshje kornizë dhe kishte të bënte me shërbime për shtypjen e materialeve zgjedhore për procesin elektoral të 7 qershorit 2026.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 284 mijë e 506 euro dhe ishte planifikuar të jepet me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

KQZ-ja ka bërë të ditur se palët e interesuara kanë të drejtë ankese pranë autoritetit kontraktues, në pajtim me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik në Kosovë. /Telegrafi/