LAJMI I FUNDIT:

Kosovë, koha është të duhemi

Kosovë, koha është të duhemi

Nga: Eli Kanina

O dridhet mali ç’ka u ba,
O nji baresh’ prej nesh u nda


Do të ishte magjia e zërit dhe fyti i kristaltë i Nexhmije Pagarushes që do të na sillte ajër dashnie nga Kosova, viteve të fëmijërisë time, me këngën legjendare “Baresha”.

Ndoshta kjo mrekulli e lindur në trojet tona, do ta frymëzonte poetin Din Mehmeti ta përjetësonte së gjalli, këtë ikonë të këngës shqiptare, në poezinë e tij dedikuar këngëtares Nexhmije Pagarusha:

Këndoi e këndoi
Derisa u shndërrua në këngë…
… E vdekja s’ka ç’ti bëjë…

Mbaj mend se në një konkurs letrar në gjimnaz, edhe pse fituam si grup, unë u ngatërrova në nja dy tituj librash të autorëve kosovarë.

“Duhet ta lexosh e t’i njohësh më mirë autorët e letërsisë kosovare”, më bëri vërejtje përgjegjësi i rrethit letrar të shkollës. Kërkova në Bibliotekën e qytetit dhe më dhanë “Vdekja më vjen prej syve të tillë” nga shkrimtari Rexhep Qosja. E mbajta vath në vesh atë vërejtje dhe kur disa vite më vonë më kapi syri mes librave në librari një antologji me poetë nga Kosova, mu duk se më përcëlloi veshi deri në rrëzë. E bleva menjëherë antologjinë poetike “Fjalë prej zjarri Kosovë”, e ngazëllyer për autorët e përfshirë aty. Poetët qenë përzgjedhur nga poeti ynë i nderuar Xhevahir Spahiu.

E përpiva librin me poezi të përzgjedhura nga librat e autorëve Esad Mekuli, Azem Shkreli, Ali Podrimja dhe Din Mehmeti, për vetë emrat e tyre të njohur në letërsinë shqipe e më tej. Iu riktheva antologjisë, duke i lexuar me zë poezitë, me dëshirën për të mbajtur mend më të bukurat e më të bukurave nga librat e tyre ndër vite. Gjeja aty veç talentit të mirëfilltë të krijimit, edhe intelektin e autorëve të formuar universiteteve e eksperiencave më pas me veprimtaritë e angazhimet e tyre dhe postet drejtuese që kishin pasur.

Poeti Din Mehmeti si një fllad i ëmbël romantik, përzier me një farë rebelizmi që i buron së brendshmi, duket se shpjegon arsyen pse troket zemra:

Tymi po i del hënës
Toka sinjal i kuq në orbitë
E tërmete të reja në mëshirë
E rrëkëllimë gurësh mbi gurë
A thua, pse troket zemra…

Po kështu edhe tek poezia “Sytë që shkrepin dashuri”, poeti Din Mehmeti lutet për dashurinë, se është ajo që shkrep e trashëgon votrën, mbi mortjet e paemra, ani pse jeta është e lidhur në hullitë e ferrit:

Eja bir-o, ta ndij gjakun duke vluar
Bregores time të lulëzua.

Autoportreti që Din Mehmeti zgjedh për veten është sidoqoftë, mjaft që të mos e nënshkruajë fatin. Po kaq bukur Din Mehmeti na përshkuan “telashet” e jetës së tij, sa duket se lazdrohet prej tyre tek poezia e tij.

Do të ish i paplotë poeti din Mehmeti në këndvështrimin tim, pa mesazhin e poezisë “Ora”, që e kapërcen kohën të cilën ai jetoi:

Semaforët klithin zjarr!
Ora pa akrepa si fëmijë i çmendur
Udhëtonte diku jashtë kohës.

Sepse kështu janë poetët sipas Din Mehmetit, nga temperatura e fjalëve, vdesin ngadalë pa klithma.

Të dyshimtë e kokëfortë, kur shkelmojnë zotrat që s’dinë të ngopen kurrë. Din Mehmeti e quan zog i diellit, Kosovën, teksa na dëshmon dashurinë e tij nëpërmjet arsyeve për të cilat e do.

Ndryshe nga romantizmi i Din Mehmetit, tek poeti Azem Shkreli veçori është mendimi i thellë, shprehja sintetike në poezi, pasqyrimi i realitetit. Edhe tek ai Kosova mbetet kryefjalë fillim e fund, shkumbë e bardhë e etjes që s’shuhet, damar i plasur në trupin e bjeshkës, dhimbë që rrjedh e kulluar dashurive. Kjo është Kosova në vargjet e Azem Shkrelit:

Kosovës së gjerë valojnë arat e grurit
Gjithë ditën e lume, derisa muzgut
Del një vashë me shtambë nga lulet e gjakut.

I përmendur për rolin drejtues tek Kosovafilmi, Azem Shkreli përsëri mbetet poet i shquar që me plot figura e metafora, me fabulat interesante na përcjell imazhe dhe mesazhe të fuqishme. Tek poezia “Rrëfimi i gjyshes”, ndërsa gjyshja loton e rrëfen dashurinë e pafatë të dy të rinjve, tue namë kanunin plak, që n’shekuj s’bani lak, poeti shkruan:

Tash m’dhimset gjyshja e mjerë
Që vdiq me kanun në gji…

I kërcënuar nga dashuria që i shëtit livadheve të gjoksit, me hapa të mëdhenj sa vjeti, poeti Azem Shkreli e kujton vashën tek paraelegjia, duke e paralajmëruar:

Ruaju moj, se vashat më të bukura i vret bukuria e vet.

Azem Shkreli shkruan se poeti i vërtetë e gjen vargun edhe në gjurmë të kalit, mëkon drithmat, mjel vesë e qumësht zogu, për këngën që s’deshi të shkruhet. Sa realist aq edhe metaforik në përshkrimet e tij Azem Shkreli vjen tek poezia “Koha e krymbave”:

Marshim i jargët i krymbave zvarret tryezave, shikimeve
Hipin shoq me shoq dhe shpallin të kremten e krymbave.
Shenjti Shenkoll, po tallemi apo na mori krymberia?

E famshme mbetet jo vetëm për titullin por edhe përmbajtjen e shtjelluar në shumëçka autori di dhe dëshiron për vendin e vet, tek kjo poemë e Azem Shkrelit “E di një fjalë prej guri”:

E di një fjalë prej guri, fjalë prej zjarri
Miku im, furi e saj lëkund mallet
I bën retë të rreknohen qiellit si shqerrat
Nga ungurimë e bishës a nga vetmia.
E di një fjalë më të rëndë, fjalë më të madhe
Së heshtja jote që mi’ peshon në mëdyshje.
Miku im, e di një fjalë t’kuqe si gjaku.

Ajo që spikat në gjithë antologjinë “Fjalë prej zjarri Kosove”, është patriotizmi i poetëve, rebel e i zjarrtë, mes vedit por edhe si një revoltë ndaj padrejtësive historike që kanë lënduar shqiptarët:

A është fajtor shqipëtari pse nën këtë qiell jeton?
Nën këtë qiell, në trojet e të parëve të vet?
A është fajtor pse është dhe kurrë të mos jetë e dëshirojnë?

Është kjo retorikë e fuqishme e poetit Esad Mekuli, e vërteta shekullore e shqiptarëve e shndërruar në plagë, që vazhdon po aq të godasë tek poezia “Tempora Mutantur”(latinisht, kohët që ndërrojnë):

Shqelmova të kaluemen, shërbimin mistik të gjyshave të mi…
O, na jetojmë në mashtrim dhe mashtrohemi përditë…
O, mjaft me rrena! Duem me pi tashma në gurrën e së vërtetës…

E vërteta e dhimbshme e një populli të varfër nuk mund të vinte kaq qartë sa në poemën “Kush i pari bani”, sa të duket se Migjeni dhe Esat Mekuli kanë një nerv e një damar nga një gurrë e përbashkët (mbase realiteti i së njëjtës kohë, vitet 30) ku ushqejnë vargun e vet, kur u duhet të përshkruajnë mjerimin shqiptar:

E pashë në rrugë syngulun në largësi:
Në bebëzat e hapuna tmerri ishte strukë
Fytyrë-vyshkun e verdhë si shafrani
Prej përleshjes s’mbrendshme buzët shkrum
Dhe duert…
Pse t’hollë, tepër t’hollë e ke setrën, kurse xhepat
Janë shumë të ngushtë për duert e tua t’ajuna.

Frymëzues gjeneratash me letërsinë e vet dhe revistën letrare “Jeta e re”, me përkthimet e kritikat e tij, Esad Mekuli edukoi e promovoi autorët e mëvonshëm të poezisë shqiptare të Kosovës. Esad Mekuli, na ka lënë vargje të tilla që veç stigmatizimit të padrejtësive shoqërore, gjykon e vlerëson brezat, pa ia humbur përpjekjen e vullnetin brezit të vet, siç shkruan tek poezia Gjykimi:

Pse – kush ka faj që prindërit s’na lanë gadi kurrgja
Pos vorreve dhe padijes…

Esad Mekuli di të sjellë edhe mëngjesin e gurbetqarit si andërr e shartueme në zhgandërr të zezë e të mundimshme, po me po aq emocion na e përcjell një tjetër imazh mëngjesi kur i duhet të ofshajë si poet romantik:

Fushat erënjoma shtrihen
Si trup i gufuem femne.

E s’ka sesi të mos mbetet ndërmend ky dyvargësh universal i mallit, që shënon të pambërritshmen e poetit Esad Mekuli, tek poezia me të njëjtin titull:

Kur dëshiroj aq retë mbi qytet me i soditë
Derisa malli për t’pambërritshmen m’kap…

Ndërsa Esad Mekuli është quajtur babai i poezisë në Kosovë, Ali Podrimja është diamanti i kurorës së poezisë moderne shqiptare. Në një mënyrë krejt origjinale, Ali Podrimja dëshmon artin e tij të fjalës, dhe misionin që ka para popullit të Kosovës, përmes përshkrimit të situatës së shqiptarisë në botë, duke iu drejtuar vetes:

Ndizen, fiken qirinj erë temjani pikojnë fjalët
Trupat rezervati
Nën sqetull të fatit dheun marrin fëmijët
Gruaja end e shkreh pëlhurën
Në Kullë letre.

Me vetëdijen e njeriut që i duhet të bëjë të pamundurën për të siguruar të ardhmen e lirinë, Ali Podrimja premton në testamentit e tij, sakrificat që i duhet të bëjë, duke e paralajmëruar brezin e ri se:

… kohë t’egra trokasin pullazeve gërmuqe…
Dhe tanket t’i shkapërderdhin lodrat
Ja dita plot tërmete vogëlushi im.

Ali Podrimja megjithatë beson se kur të prajnë mallkimet, helmimet, rrethimet, edhe klithjet, edhe ndjekjet, edhe vajet, edhe varret, edhe lugetërit, edhe gjakrat, atëherë populli do të këndojë apo vajtojë, i lirë. Ai revoltohet aq shumë kur ia çjerr maskën dhe zbulon të keqen e kësaj bote, me Orën e kurdisur mbrapsh, dhe duke mbledhur shuplakën e gjakosur, rënkon me veten në pafuqi:

Po Derri a bëhet Njeri?!

I neveritur nga kjo botë hipokrite njerëzish, që fytyrën ndërrojnë me të derrit, me maska, që tërë jetën mbesin, veten pa e parë në pasqyrë, poeti i drejtohet:

Kush je ti që flet e fytyrën ende s’ta pamë?
Kush je ti që çon pluhur pas ëndrrës e ik?

Ali Podrimja e prezantoi poezinë shqipe në Evropë në formën më moderne, me përcjelljen e dramës shqiptare, dhe aspiratat për liri e paqe, duke demaskuar në çdo rast, dhunën ndaj popullit të Kosovës. Ai na tregon se armikut rrugën ia shtruam me kufoma, deri në zemrat tona.

Në mbrojtje të etnisë, Ali Podrimja nuk harron se të tjerë poetë shqiptarë para tij e kryen këtë mision, dhe të tjerë pas tij, e kanë për detyrë t’i dalin zot gjuhës, kullës, atdheut. Ndërsa e gjejmë këtë në poezinë për Martin Camajn, ku Ali Podrimja zbulon sesa e vlerëson poeti poetin në raport me atdheun, duke e përforcuar jehonën e zërit të tij në botë:

Me ferk mbërthen Atdheun në arkë
Dhe merr Evropën në sy.

Ali Podrimja përpara se të lerë trashëgimitë e tij ashtu siç shkruan tek “Lum lumi”, porosi e amanete për të birin, na kujton se ç’ka trashëguar ai prej atit, për shkak të dashurisë, për shkak të urrejtjes:

E baba im atëherë gurin e rëndë
Në themel ka vënë, gurin e përrallave.

Thirrjet e poetit si biri për nënën, i gjejmë tek poema “Hija e tokës” ku Ali Podrimja me duart rreth belit i lutet:

Zgjohu Kosovë!
Sonte vetëm mbeta!

Ashtu siç i plas buza nga lutja, Ali Podrimja di edhe të falet në poezinë e tij:

Të falem Kosovë
Varr i dreqit
Çerdhe e Lejlekut tim!

Ashtu si gjithë poetët, edhe Ali Podrimja mbetet i pakënaqur nga fati i vet, duke vuajtur vetëm, në mes të verbërve, hijeve, perëndive, para vetvetes e hapësirës së murit, para dashurisë e urrejtjes vetëm:

Po ti tepër po lyp nga Unë
E pak po më jep, jeta ime.

Ali Podrimja e mori atdheun kudo shkoi si një plagë, si një fjalë:

Fjala ime bëhu Unë
Plaga ime le të marrë frymë thellë

Me jetue siç thotë ai edhe nga larg, me aromë ftoi dhe melodi fyelli nga vendlindja, duke varur ëndrrat në krahë lejlekësh, me netët ballkanike pas shpine, pa iu përulur Evropës së përgjumur dhe perëndive të krisura. Koha është të duhemi, shkruan poeti Ali Podrimja, që gjithmonë ia ka frikën edhe Lules edhe femrës, duke na grishur ta provojmë vetveten derisa të kemi frymë! Epika e poetit Ali Podrimja është edhe kryefjala e gjithë jetës së tij:

Me shekuj kam shitur gjakun
E rritur jam me gjakun e shitur
Kosova është gjaku im që nuk falet!

Kjo formë e lartë patriotizmi, emocionet që përcjellin këto vargje, më kujtojnë solidarizimin dhe mikpritjen tonë të familjeve kosovare gjatë luftës në Kosovë. Në vitin 1999 edhe pranë qytetit tonë, në Togës, ishte një qendër ku ishin vendosur këto familje.

Për shkak të apartamentit tonë të vogël, por edhe të familjeve të mëdha numerike kosovare, që nuk ndaheshin, ne nuk i morëm dot në shtëpi. Sapo morëm rrogën, së bashku me motrën dhe Fatmirën, një shoqe të saj infermjere, morëm ambulancën, blemë koli me ushqime dhe shkuam tek kjo qendër, ku i dorëzuam në shtabin drejtues. Kutitë me molto dhe biskota i mbajtëm për të qerasur fëmijët.

Të ndrojtur dhe të strukur në prehrin e nënave, ata dukej se ishin rritur kaq shumë nga vuajtja e dhimbja e luftës, sa kishin harruar të silleshin si fëmijë. Jo vetëm që nuk zgjatnin duart t’i merrnin por edhe me të luturat tona, e vajisnin kokën të turpëruar a thua ndiheshin në borxh. Po kështu gratë me fytyra të trishta, mjaftoheshin me atë sajdisje, pa u ankuar për më mirë, sikur tu dukej si thelë mbi bisht çdo përmirësim kushtesh aty. E megjithatë ne donim me shpirt, të flisnim e të ndanim me ata fëmijë e gra, atë hall të tyrin, që nuk ishte veç i tyre, për ta kaluar së bashku atë që po ndodhte.

Mbaj mend asaj kohe se isha e fejuar dhe shkoja në PTT, për të folur në postë me të fejuarin në Greqi, sepse nuk kisha telefon në shtëpi. Kabinat telefonike ishin gjithmonë të mbushura me familjet kosovare që flisnin me familjarët e tyre refugjatë në Gjermani e Zvicër. Nuk më rëndonte fare shpirti kur shpesh largohesha edhe pa folur fare, kur gra e fëmijë kosovarë, nguleshin e vonoheshin në kabina aq sa humbja orarin me të fejuarin. Por, kur e mendoja, se të paktën këto familje çliroheshin e qetësoheshin disi me ato telefonata, duke ua përcjellë shqetësimet e tyre të afërmve të tyre, më dukej se kjo ia vlente. Aty në postë, e ulur në pritje, i kundroja veshjet e sjelljet e tyre me një farë çudie dhe admirimi.

Aty zura muhabet me një grua që rrinte në lagjen tonë, tek shoqja ime Albana. Ajo mbante një veshje tradicionale, me puplinë të bardhë nga poshtë, dhe nga mbrapa në fundshpinë kish një dërrasë 30-40 centimetra, të futur në një torbë leshi e punuar me motive të bukura plot ngjyra. Më habiste ajo dërrasë që e godiste nga pas kur ecte, dhe e detyronte të ecte avash dhe me trupin drejt. Ajo më tregonte se ish marre që gruaja të dilte pa të në rrugë, dhe pesha e goditja e asaj dërrase ua zbukuronte ecjen. Ndryshe e kishin hak atë dajak që ajo dërrasë u jepte nëse spërdridheshin. Ajo grua më tregonte se djemtë në Gjermani mundeshin t’i dërgonin aq marka sa të blinte edhe shtëpi në Shqipëri, por ajo do të kthehej me të gjithë, në trojet e saj, sapo lufta të mbaronte. Madje na ftonte edhe ne të shkonim vizitë në Kosovë, pas lufte.

Unë do të shkoja vërtet në Kosovë, për herë parë në 25 prill të 2015, por jo për miqtë që mirëpritëm dikur në qytetin tonë. Ishte promovimi i një Antologjie për heronjtë e Luftës së Kosovës, ku përfshiheshin edhe dy poezi të miat që unë kisha shkruar për këta dëshmorë. Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, eksperienca ishte e veçantë, sepse ndjeva interesin që kishin atje për autorët shqiptarë, dhe rëndësinë që u jepnin librave dhe aktiviteteve letrare. Do të kishte eksperienca të tjera ku unë shkëmbeva librat e mi me autorë nga Kosova, derisa në 18 shkurt 2019, në eventin e organizuar me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, do të nderohesha nga Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë dhe Ministria e Kulturës së Kosovës me çmimin “Ramiz Kelmendi”, për tregimet e vitit. Ishte një kënaqësi, por edhe një përgjegjësi ky vlerësim, që Kosova letrare më përcillte me çmimin. Me shpirtra e muza të farkëtuara nga lufta dhe situata e pasluftës në Kosovë, unë njoha edhe pasardhësit e sotëm dinjitozë, të poetëve të nderuar kosovarë Azem Shkreli, Esad Mekuli, Ali Podrimja e Din Mehmeti, që unë mbaja prej vitesh me pekule në bibliotekë.

Nëpërmjet njohjeve në rrjetet sociale, më pasuruan bibliotekën edhe me të tjerë, libra e autorë/e bashkëkohorë nga Kosova, duke i lexuar, takuar në aktivitete letrare këtej e andej, edhe duke u miqësuar me shumë prej tyre. Tani e them krenare e pa u ngatërruar, se jam bërë shumë e vëmendshme ndaj kësaj gjysëm molle, që kishte po aq shije e vlerë sa gjysma tjetër që unë shijoja që nga vegjëlia…