LAJMI I FUNDIT:

Kosova vendi i parë në Ballkan që nënshkruan Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve me DFC-në amerikane

Kosova vendi i parë në Ballkan që nënshkruan Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve me DFC-në amerikane

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett kanë nënshkruar Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve (IIA) që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të SHBA-ve, për të sjellë gamën e prodhimeve financiare në Kosovë, ku përfshihet financimi i borxhit, investimeve në ekuitet, sigurimi i riskut politik dhe grantet për ndihmë teknike.

Me këtë rast, Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka nënshkruar këtë marrëveshje me DFC-në.


“Kjo marrëveshje shpreh vullnetin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve për të inkurajuar aktivitetet ekonomike në Kosovë që promovojnë zhvillimin ekonomik dhe kapacitetet prodhuese të vendit tonë. Marrëveshja për Nxitjen e Investimeve (IIA), hap rrugë dhe garanton investimet amerikane në Kosovë, efektet e së cilës do të shihen gjatë vitit 2021, si dhe është një hap konkret drejt maksimalizimit të efekteve ekonomike të Marrëveshjes së Washingtonit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Nënshkrimi i sotëm pason vizitën që kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, Adam Boehler ia bëri Kosovës në shtator.

Nënshkruhet marrëveshja financiare me SHBA-në, hapen mundësitë për nxitjen e investimeve në Kosovë
Lexo po ashtu Nënshkruhet marrëveshja financiare me SHBA-në, hapen mundësitë për nxitjen e investimeve në Kosovë

Gjatë asaj vizite, Boehler kishte nënshkruar deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e fokusit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera.

E lansuar në 2020-në, DFC-ja bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda me të cilat përballet bota në zhvillim sot. Ajo investon në sektorë të ndryshëm përfshirë në sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë.

DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim. Të gjitha investimet e saj iu përmbahen standardeve të larta dhe respektojnë mjedisin, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e punëtorëve. /Telegrafi/