LAJMI I FUNDIT:

Kosova ka mundësi të shumta për prodhimin e rrymës nga erë

Kosova ka mundësi të shumta për prodhimin e rrymës nga erë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu (OEK), ka vizituar kompaninë “Air Energy” me seli në fshatin Kikë në Komunën e Kamenicës, me ç`rast sot filloi edhe vendosja e nëntë turbinave me kapacitet 3.6 MGW për prodhimin e energjisë nga era.

Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu, tha se investimet e tilla janë të mirëseardhura për Kosovën. “Ky investim i hap perspektivë edhe për shumë investime për Kosovën. Ne presim që të ketë edhe investime të tjera në sektorin energjetik dhe në prodhimin e energjisë elektrike alternative”, deklaroi ai.

Sipas tij biznesi është ai që po e mban Kosovën. “Kemi ardhur këtu që të japim përkrahje dhe zërin e biznesit të e dërgojmë tek institucionet e Kosovës”, tha ai.

Gërxhaliu vlerësoi se ky investim është lajm i mirë për Kosovën. “Ky projekt duhet të jetë vazhdimësi e projekteve të tjera që duhet të realizohen në koordinim me qeverinë dhe institucionet e tjera të Kosovës”, tha ai.

Kreu i OEK-ut Gërxhaliu vlerësoi se Kosova me prodhimin e energjisë me erë po plotëson njërin ndër kushtet e Bashkimit Evropian për prodhim nga era. “Kjo është një dëshmi se Kosova ka kushte dhe ambient ku mund të zhvillohet dhe prodhohet energjia alternative”, tha ai. /Telegrafi/