LAJMI I FUNDIT:

Kosova i jep Danimarkës në shfrytëzim 300 qeli burgu, kriza energjetike në vend dhe aktgjykimi në rastin e të miturës në Drenas – top lajmet e javës

Kosova i jep Danimarkës në shfrytëzim 300 qeli burgu, kriza energjetike në vend dhe aktgjykimi në rastin e të miturës në Drenas – top lajmet e javës

Javën që po lëmë është nënshkruar letër-qëllim në mes të Qeverisë së Kosovës dhe të Danimarkës për huazimin e 300 qelive të burgut për të burgosurit nga Danimarka.

Po javën që po lëmë pas vendi është përballur me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, ndërsa është paralajmëruar krizë energjetike edhe për dy javët në vijim.


Të enjten, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve në rastin e së miturës në Drenas.

Kosova i jep Danimarkës në shfrytëzim 300 qeli burgu

Në objektin e Qeverisë së Kosovës, të hënën më 20 dhjetor është nënshkruar një letër-qëllim sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.

Të pranishëm në ceremoni kanë qenë përfaqësues nga Mbretëria e Danimarkës, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja Haxhiu ka thënë se Kosova është vlerësuar në aspektin e sundimit të ligjit dhe sipas saj për këtë arsye është përzgjedhur.

“Në qendrën korrektuese do të vendosen 300 të burgosur në një afat 5+5”, deklaroi shkurt Haxhiu, e cila njoftoi se detajet më të hollësishme do të jepen më vonë.

Ai ka përmendur mungesën e hapësirave në burgjet e Danimarkës, duke falënderuar Kosovën për mundësinë e zhvendosjes së të burgosurve.

“Sapo nënshkruam një letër qëllimi, ne e shohim si një gurthemel për marrëveshjet e ardhshme. Është një marrëveshje që do të përfitojmë të dyja palët. Shërbimi korrektues i Danimarkës është i mbingarkuar. E kemi kontaktuar para një viti qeverinë e Kosovës. Kjo marrëveshje do të zgjidh një masë të madhe me të cilat përballemi ne në vendin tone”, deklaroi Hakkerup.

Qendra Korrektuese gjendet në Fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit.

Marrëveshja është për të burgosurit me 10 vite dënim nga gjykatat në Danimarkë, në të cilën nuk përfshihen vepra të terrorizmit dhe të personave me probleme mendore.

Pas nënshkrimit pritet që marrëveshja të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, si edhe të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

Ky projekt synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve në Danimarkë dhe të jap mundësi që burgjet atje të zgjerohen me 326 vende gjatë periudhës kohore 2022 dhe 2025.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë raportimit në Komisionin për Legjislacion ka bërë të ditur se kostoja vjetore për 300 të burgosur nga Danimarka do të jetë rreth 5 milionë euro.

“Diku 5 milionë euro është kostoja vjetore”, tha ajo. Ministrja më tej tha se ndër arsyet pse Danimarka ka zgjedhur Kosovën është se kanë analizuar raportet ndërkombëtare dhe vendore rreth trajnimit të të burgosurve dhe Kosova në Ballkanin Perëndimor qëndron më së miri në këtë aspekt.

Ajo bëri të ditur edhe atë se si procedohet në rastet kur të burgosurit kryejnë dënimin.

“Gjashtë muaj më parë ne njoftohemi dhe përgatitemi për dërgimin në Danimarkë, dhe pastaj në vendin e origjinës”, tha ajo, raporton Telegrafi.

Ajo tha se në mandatin e saj të parë në kohën e Qeverisë Kurti 1, ka pasur ftesë nga ministri danez për të komunikuar këtë çështje.

“Pasi u rrëzua qeveria, s’kemi mbajtur asnjë takim më, për faktin e rrethanave”, tha ajo.

Haxhiu ka thënë gjithashtu se pas qeverisë Kurti 1, qeveria pasuese e drejtuar nga Avdullah Hoti, ka qenë e përfshirë në diskutimet për dhënien me qira të objekteve në strehim të 300 të burgosurve në shtetin e Danimarkës.

Porse, siç dihet marrëveshja nuk ka ndodhur, ndërsa Haxhiu tha se në mandatin e saj të tashëm, është njoftuar për të gjitha procedurat e vijuara dhe në fund marrëveshja është finalizuar duke plotësuar parimet e nevojshme nga të dyja shtetet.

“Pas përgatitjes së negociatave kemi ardhur të një letër – qellim që jemi pajtuar për fuqizim të bashkëpunimit me Danimarkën për shkak të rolit të Danimarkës në Kosovë dhe jemi dakorduar që për shkak se ka nevojë të ndihmojmë në këtë drejtim, përmes një dhënies në shfrytëzim të një qendreje, jemi pajtuar që t’ia ofrojmë qendrën në Gjilan”, tha Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë bëri të ditur se Kosova ka të drejtën të refuzojë ndonjë të burgosur kur konsiderohet se është i dënuar për ndonjë vepër penale që është më e ndjeshme dhe Kodi penal i Kosovës parasheh dënime maksimale.

Haxhiu më tej theksoi se drejtori i Qendrës do të jetë danez, po ashtu edhe stafi menaxhues, ndërkaq oficerët korrektues do të jenë të Kosovës.

Ndërkaq, lidhur me atë se a mund të jetë problem gjuha, ministrja Haxhiu tha se do t’i shohin mundësitë përmes rekrutimit të stafit që njohin gjuhën angleze ose ndonjë gjuhë tjetër, ose përmes përkthyesve.

Po ashtu gjatë raportimit në Kuvend, Haxhiu tha se të burgosurit që do të vijnë nga Danimarka për të vuajtur dënimin e tyre në burgun e Gjilanit nuk do të jenë shtetas danezë por shtetas të vendeve të treta.

KOSTT paralajmëron krizë energjetike në dy muajt e ardhshëm

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu ka thënë se situata energjetike në vend është e rëndë dhe përveç atyre që prodhojnë dhe shpërndajnë rrymën, kujdes duhet të kenë edhe qytetarët që shpenzojnë rrymën.

Kadriu thotë se konsumi i energjisë elektrike është në nivele të jashtëzakonshme.

“Në këtë moment diferenca mes prodhimit dhe importit është jashtëzakonisht i lartë. Në kushte normale nuk do të ishte problem, por ngritja e çmimeve në tregun ndërkombëtarë e ka përkeqësuar situatën”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryshefi i KOSTT thotë se reduktimet e energjisë janë të domosdoshme për ta ruajtur integritetin e sistemit energjetike dhe për të mos u penalizuar nga partnerët ndërkombëtarë.

Kadriu thotë se vitet e kaluara në Kosovë nuk ka pasur shpenzim kaq të madh të energjisë elektrike, por sipas tij “për shkak të çmimit të lirë të rrymës, këtë vit edhe qytetarët kanë filluar ta përdorin atë për ngrohje”.

“Shpresojmë që bashkërisht ta kalojmë këtë situatë që do të jetë sfidë për dy muajt e ardhshëm”, deklaroi tutje Kadriu.

Dënohen 10 vite e gjysmë burgim efektiv dhe katër vite burgim me kusht, të akuzuarit në rastin e të miturës në Drenas

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve SH.XH, V.V, G.H, F.C, I.R, G.Z dhe H.H, në rastin e të miturës në Drenas.

Siç njoftohet, arsimtari Shkëlzen Xhekaj është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin dhe veprën penale nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës, dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite e 6   muaj.

Polici Vesel Veseli është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin dhe veprën penale Shtytja në ndërprerjen e shtatzënisë dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 viteve.

Avokati Gazmend Halilaj është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, transmeton Telegrafi.

I akuzuari F.C., është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë  pozitën, autoritetin apo profesionin dhe është gjykuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 vite me kusht që në afat prej 3 viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

I akuzuari I.R., është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite me kusht që në afat prej 3 (tre) viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

I akuzuari G. Z., Konfom nenit 364 par.1 pika 1.3 lirohet nga akuza për veprën penale Frikësimi gjatë procedurës nga neni 395 të KPRK-së.

Ndërkaq, ndaj të akuzuarit H.H. konform nenit 363 par.1 nën par.1.1 gjykata ka marrë aktgjykim refuzues për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
Kalo në kategori