LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Shqipëria koordinojnë punët për mirëmenaxhimin e ujësjellësve

Kosova dhe Shqipëria koordinojnë punët për mirëmenaxhimin e ujësjellësve

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bashkë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka dhe atë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi morën pjesë në konferencën e përbashkët të organizuar në Tiranë nga shoqatat e Ujësjellës-Kanalizimeve të dy vendeve.

Shqipëria tanimë është vendi i parë në rajon që në kuadër të bashkëpunimit me USAID ka formalizuar një program për trajnimin dhe certifikimin e stafeve të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve. Për këtë arsye, mes ministrave Gjiknuri e Lluka u firmos edhe një memorandum i përbashkët përmes të cilit do mundet që dy vendet të shkëmbejnë përvojën e tyre me synim mirëmenaxhimin e burimeve njerëzore.


“Që të administrojmë siç duhet ujin duhet të kemi njerëz profesionistë e që dinë të menaxhojnë këtë pasuri kaq të rëndësishme. Ne në Shqipëri kemi filluar një reformë të rëndësishme për sa i përket mirëmenaxhimit të sektorit të ujit të pijshëm. Rezultatet e para kanë qenë të mira. Është rritur arkëtimi me 17 milion euro më shumë se vitin e kaluar për të njëjtën periudhë. Janë reduktuar ekspozimet e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sipas tij, në kuadër të reformës së ujit është bërë e mundur që në periudhën 9-Mujore të këtij viti të instalohen 74 mijë matës dhe 37 mijë kontrata të reja të nënshkruhen.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, vuri theksin tek nevoja për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shkëmbimin e eksperiencave pozitive në menaxhimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.

“Kemi nevojë edhe ne në Kosovë për praktikat më të mira që ofron Shqipëria, sidomos nga disa praktika me menaxhimin e ujërave të zeza. Prandaj, le të jetë kjo edhe një metodë e shkëmbimit të këtyre praktikave që mund ti aplikojmë në vendet tona në mënyrë që bashkërisht t’i menaxhojmë ujërat sa më mirë”, theksoi ministri Lluka.

I pranishëm në aktivitet, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Fatmir Matoshi theksoi se konferenca të tilla janë mbështetje dhe shtytje edhe për ministritë dhe qeveritë e dy vendeve. /KP /Telegrafi/