Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të nisë gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra konstatoi se disa prej avokatëve të të akuzuarve, nuk janë pajisur me shkresa të lëndës, andaj në mungesë të kushteve ligjore, seanca shtyhet, raporton “Betimi për Drejtësi“.


Po ashtu, Namani-Hajra tha se për katër të akuzuar mungojnë avokatët, konkretisht për të akuzuarit Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq dhe Dragoslav Nikoliq.

Sipas gjykatëses, Oda e Avokatëve të Kosovës nuk e ka njoftuar Gjykatën se cilët avokatë janë të autorizuar për këta katër të akuzuar.

Në anën tjetër, prokurori special, Ilir Morina tha se Prokuroria ka bërë përpjekje të marrë informacione se cilët janë avokatët e caktuar ex officio nga Oda e Avokatëve të Kosovës, duke kërkuar përmes e-mailit listën e tyre, në mënyrë që të pajisen me shkresa të lëndës.

Morina tha se vetëm 10 avokatë janë paraqitur në Prokurori për t’u pajisur me shkresa të lëndës, andaj ftoi avokatët që nuk janë paraqitur për t’i marrë shkresat e lëndës pas përfundimit të seancës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të cilët i akuzon për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999. Aktakuza përshkruan vrasjet mizore, trajtimin çnjerëzor, dëbimet dhe shkatërrimin e pasurisë së civilëve.

Sipas aktakuzës, të akuzuar në këtë rast janë: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, me dashje, në bashkëkryerje dhe individualisht dhe në përgjegjësinë komanduese, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisëm Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III-të e quajtur “Korpusi i Prishtinës”, dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP)- në të cilën bënin pjesë: Njësitë e Veçanta të Policisë të njohura si “PJP”, Njësitë Speciale Antiterrosite të njohura si “SAJ”, Njësitë e Divizionit për Siguri Shtetërore të njohura si “RDB”, Njësitë e Divizionit për Siguri Publike të njohura si “RJB” dhe Njësitë Rezervë, 21 të akuzuarit kanë shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile të nacionalistetit shqiptar të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë. /Betimi për Drejtësi/