LAJMI I FUNDIT:

Konkurrenca jolojale dhe luhatja e çmimeve problem për bukëpjekësit

Konkurrenca jolojale dhe luhatja e çmimeve problem për bukëpjekësit

Problemet e çmimit të bukës dhe rritja e çmimit të miellit ishin qëllimi kryesor i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me sektorin e bukëpjekësve.

Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi falënderoi bizneset pjesëmarrëse dhe ndër të tjera kërkoi t’i identifikojnë problemet me të cilat këto biznese po përballen, me qëllim të identifikimit të hapave të nevojshëm për të u ndërmarrë nga Oda.


Përfaqësuesi i D.P.Z Saranda, Artan Qenaj, tha se kontrolli nga Inspektorati sanitar duhet të bëhet para hapjes së biznesit e jo pasi të filloj puna.

“Kosto për prodhimin e një buke kap vlerën prej 23 cent, ndërsa disa biznese vendore po e ofrojnë në treg me çmim prej 9 cent çmim ky i cili nuk mbulon as shpenzimet për prodhimin e një buke” tha Vehbi Krasniqi pronar i D.P.Z Besarti.

Krasniqi gjithashtu theksoi se për çdo bukë duhet të deklarohet pesha dhe në bazë të saj të caktohet edhe çmimi, pasi që vetëm në këtë mënyrë nuk do të dëmtohet biznesi dhe klienti.

Cenë Gjuraj pronar i D.P.Z Apollonia shtoi se një problem shumë i madh për sektorin e bukëpjekësve po vazhdon të mbetet tregu joformal, i cili edhe sot po është prezent dhe po funksionon lirshëm. Gjuraj theksoi që është shumë e nevojshme ndërhyrja e shtetit në rregullim të këtij problemi.

Në fund të këtij takimi u identifikuan hapat e mëtutjeshëm që do të iniciohen nga OAK me qëllim të përmirësimit të kushteve momentale të sektorit të bukëpjekësve.

Oda e Afarizmit të Kosovës po punon në identifikimin dhe përfaqësimin e problemeve të bizneseve tek institucionet kompetente, me qëllim të krijimit të një klime sa më të favorshme të të bërit biznes në Kosovë. /Telegrafi/