Kongresmeni amerikan Keith Self ka deklaruar se refuzimi i vazhdueshëm i disa vendeve anëtare të NATO-s për ta njohur pavarësinë e Kosovës po dëmton stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe po krijon hapësirë për rritjen e ndikimit rus në rajon.

Sipas njoftimit të publikuar nga organizata “Albanians for America”, Self i bëri këto komente gjatë një seance dëgjimore përmbyllëse të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.


Në cilësinë e kryetarit të Nënkomitetit për Evropën, kongresmeni republikan e cilësoi Kosovën si “një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë evropianë të Shteteve të Bashkuara”, duke theksuar rëndësinë strategjike të saj për NATO-n dhe sigurinë në Ballkan.

Self rikujtoi edhe angazhimin e tij në planifikimin e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 kundër spastrimit etnik në Kosovë, duke thënë se shteti i Kosovës ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sigurisë rajonale dhe bashkëjetesës multietnike.

Sipas tij, këto elemente përbëjnë argument të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.

Në një deklarim të veçantë gjatë seancës, kongresmeni amerikan foli edhe për ish-kongresmenin Eliot Engel, të cilin e quajti “hero në Kosovë”, për shkak të rolit dhe mbështetjes së vazhdueshme ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës.

Self tha se Engel e kishte kuptuar rëndësinë e Kosovës si “kryq i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ndërsa kritikoi qasjet që, sipas tij, lavdërojnë aleatët e Kosovës në Uashington, por nuk mbështesin plotësisht integrimin euroatlantik dhe sigurinë afatgjatë të saj.

Deklaratat e kongresmenit amerikan vijnë në një kohë kur Kosova vazhdon të kërkojë mbështetje më të madhe ndërkombëtare për anëtarësim në organizata euroatlantike, ndërsa pesë shtete anëtare të NATO-s ende nuk e njohin pavarësinë e saj./Telegrafi.