LAJMI I FUNDIT:

Koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, emërimi i drejtorit të ri të AKI-së dhe masat e reja antiCOVID19 – top lajmet e javës së kaluar

Koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, emërimi i drejtorit të ri të AKI-së dhe masat e reja antiCOVID19 – top lajmet e javës së kaluar

Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka miratuar koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Po javën e kaluar Qeveria miratoi 60 milionë euro kredi për blerjen e vaksinave antiCOVID-19.


Javën që lamë pas është emëruar edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa të dielën më 18 prill Qeveria miratoi masat e reja antiCOVID-19.

Qeveria miraton koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 13 prill ka miratuar koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ministria e Drejtësisë i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të miratojë opsionin 3 i cili parasheh hartimin e ligjit të ri i cili mundëson realizimin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se koncept-dokumenti ofron analizë të thukët për nevojën e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Ajo ka thënë se me këtë projektligj do të përcaktohen saktë se cilat janë arsyet për konfiskim të pasurisë, dhe se ky ligj do të gjej zbatim para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Haxhiu ka thënë se synojnë të formojnë agjenci të pavarur për inicimin e procedurave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ajo ka thënë se ky projektligj është i rëndësishëm për shtetin e së drejtës dhe përmes shtratit ligjor kthen taksat e qytetarëve në buxhet të shtetit.

60 milionë euro kredi për blerjen e vaksinave antiCOVID-19

Po të martën, më 13 prill Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për negocimin e marrëveshjes kornizë së kredisë së datës 14 gusht të vitit 2020 ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagim Emergjent ndaj Covid-19”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se nevojiten 25 milionë euro shtesë, nga 60 milionë sa ka kosto i tërë projekti.

“Tërë projekti kap vlerën prej 60 milionë euro, kemi 35 milion euro tashmë të negociuara, të nënshkruara dhe ratifikuara në Kuvend dhe po bëhet fjalë për një shtesë 25 milionë eurove që sigurohen me këtë amendamentim”, ishte shprehur Murati.

Ai shtoi se kjo do të ndihmojë në blerjen e vaksinave anti-COVID-19, sipas marrëveshjeve që negociohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit, nuk hiqet flamuri i Kosovës

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka mbajtur të martën, më 13 prill një seancë virtuale ku është diskutuar raporti i UNMIK-ut për Kosovën.

Përfaqësuesi i Rusisë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u mbajt për Kosovën ka kërkuar nga udhëheqësi i seancës që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla të heq flamurin e Kosovës mbrapa saj ose të ndryshojë ambientin.

“Ne nuk jemi kundër ndaj përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet por vetëm si territor, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë pamjen prapa ose të heq flamurin në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, ishte shprehur përfaqësuesi rus.

Ndaj kësaj kërkese të Rusisë, ka reaguar përfaqësuesi i Britanisë së Madhe duke thënë se nuk shohin arsye që të kryediplomatja kosovare të ndryshojë pamjen nga ku do të prezantojë.

“Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet mbrapa për të vazhduar prezantimin”, ka thënë përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.

Gërvalla para Këshillit të Sigurimit: Babain ma ka vrarë regjimi i Beogradit, pavarësia e Kosovës është punë e kryer.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, duke iu kundërpërgjigjur kryediplomatit serb Nikola Selakoviq në mbledhjen e KS të OKB, kishte thënë se Kosova e pavarur është projekt i përmbyllur.

“Pavarësia e Kosovës është punë e kryer dhe do të ishte mirë për Serbinë sa më parë që e pranon këtë”, është shprehur Gërvalla, duke u përgjigjur në fjalimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, i cili ka thënë se ka thënë se “projekti i Republikës së Kosovës po shkon drejt dështimit”.

Në fjalën e saj Gërvalla para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ka numëruar të bëmat e Serbisë fashiste mbi shqiptarët, ndërkaq ka përmendur edhe vrasjen e babait të saj, Jusuf Gërvalla.

“Baba im është vrarë nga regjimi i Beogradit në tokë të huaj, në Gjermani. Fëmijëve të mi u them se nuk ka të bëjë me serbët por Serbia duhet ta bëjë dallimin – duhet t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë”, ishte shprehur Gërvalla.

“Kemi gjithë interesimin për të normalizuar marrëdhënien me Serbinë. Kemi interesimin për perspektivën evropiane dhe jo atë të mesjetës. Jemi vend i vogël por i posaçëm. Jemi të vegjël por qëndrojmë drejt. Kemi miq të besueshëm dhe jemi të besueshëm për ta”, kishte thënë ajo.

Petrit Ajeti emërohet drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kanë emëruar Petrit Ajetin drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Në njoftimin e Presidencës thuhej se ky emërim është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës.

Petrit Ajeti ka lindur në Gjilan, më 11 tetor 1981. Shkollën fillore dhe të mesme gjimnazin matematiko-natyror i ka mbaruar në Gjilan. Në vitin 2001 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Gjithashtu, ka kryer studimet në nivelin Baçelor në Shkencat Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ajeti ishte bursist i programit të bursave pasuniversitare të BE-së “Young Cell Scheme”, përmes të cilit mbaroi studimet e nivelit Master në fushën e Arteve në Përgjegjësinë Sociale të Korporatave në Universitetin Metropolitan të Londrës në Mbretërinë e Bashkuar.

Masat e reja antiCOVID-19

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të dielën, më 18 prill ka vendosur masat e reja anti-COVID.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se në bazë të analizave të fundit, kanë ardhur me propozim vendim për masat e reja që kanë të bëjnë me heqjen e disa kufizimeve të pjesshme.

Sipas vendimit:

Kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë nga ora 22:30 deri në 05:00.

Gastronomia do të lejohet të punojë deri në orën 22:00 ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

Po ashtu, institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.

Konviktet lejohet të punojnë sipas rregullit një student në një dhomë.

Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu lejohet ta vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të rregullt duke respektuar masat për parandalimin  e përhapjes së pandemisë.

Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskurzionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

Ndërkaq, përjashtim nga kufizimi i lëvizjes, bëjnë:

Rastet e natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi).

Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë, dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike.

Operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Siguri
Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Politikë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori